Kosova
Edtstadler: BE-ja ende pa një vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim
Ministrja për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka bërë thirrje për avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor, dhe ka shtuar se përkundër se Kosova ka dorëzuar aplikimin në dhjetor të vitit 2022, akoma nuk është marrë ndonjë vendim nga ana e Bashkimit Europian.
“Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 – ende pa ndonjë vendim nga ana jonë se si do të procedohet me të. Nuk ka dyshim se shumë nga arsyet e kësaj situate qëndrojnë tek vetë gjashtë shtetet” – ka shkruar ministrja austriake, duke iu referuar problemeve të pazgjidhura në Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.
“Reformat e nevojshme janë ende të pazgjidhura dhe problemet kryesore mbeten ende aty. Por në fund të fundit, procesi i zgjerimit është gjithashtu një çështje se çfarë japë dhe çfarë marrë. Ndryshimet me shtrirje të gjerë kërkojnë motivim dhe vullnet politik” – ka shtuar ndër të tjera ministrja Edtstadler.
Ajo ka theksuar se në shumë vende të rajonit, qytetarët nuk besojnë më në mundësinë reale të anëtarësimit në BE dhe janë afruar më shumë me narrativat e Rusisë apo Kinës. BE-ja, sipas saj, duhet të marrë drejtimin në Ballkanin Perëndimor dhe t’i japë një vrull të ri proceseve të anëtarësimit.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.