Politike
‘SPAK bën idiotin e dobishëm’, Malltezi komenton kërkesën për masë arresti ndaj Berishës
Jamarbër Malltezi, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, që i hap rrugë arrestimit të tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Jamarbër Malltezi i cili ndodhet në arrest shtëpie për çështjen “Partizani”, deklaroi se për 3 vite po hetohen tre breza, Sali Berisha, fëmijët deri dhe deri tek mbesat e ish-kryeministrit.
“Berisha nuk ka asnjë VKM apo Ligj me emër personal por prapë dyshohet se favorizoi dhëndrin, ndërsa Edi Rama ka me dhjetëra Ligje dhe VKM me emra të përveçëm, por SPAK bën idiotin e dobishëm që nuk sheh, nuk dëgjon e nuk kupton”, shkruan ai.
Malltezi theksoi se pas 3 vitesh hetimi dhe sipas tij, ende pa akuzë, vendoset “Burg” për opozitën.
“Bllokim pasaporte dhe detyrim paraqitje për shefin e opozitës dhe burg për prof. Malltezin se guxoi dhe zhvilloi pronën e të parëve të vet. Jo vetëm burg, por edhe sekuestro për pronat e pronarit ‘Armik te pushtetit popullor’ duke sekuestruar edhe toka e prona të blera qysh para 20 vitesh”, shkruan Malltezi.
Ai thekson se masat ndaj ish-kryeministrit u vendosën nga një gjyqtar në konflikt interesi dhe se për mbrojtjen e tij u vendos avokat që e kishte shprehur publikisht urrejtjen ndaj Berishës.