Kosova
Mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë, Qerkinaj: Politikanët nuk lejojnë që kërkimi të ecë përpara
Nga konferencat e përbashkëta për shtyp të 12 dhjetorit në Beograd dhe së fundi në Prishtinë, familjarët e personave të zhdukur u kanë bërë thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë ta depolitizojnë çështjen e kërkimit të më shumë se 1600 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë (1998-1999).
“Ne kemi të drejtë për një varrim të denjë të të dashurve tanë. Ne kemi të drejtë t’i ndjekim penalisht krimet e luftës. Kemi të drejtë për dëmshpërblim dhe ndërtimin e një memoriali për të zhdukurit në vendin e krimit,” tha Natasha Shqepanoviq, kryetare e Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Kosovës
Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur me bazë në Prishtinë, vlerësoi në Beograd se rezultatet nuk do të mungonin sikur autoritetet ta trajtonin kërkimin e personave të zhdukur si çështje humanitare.
“Politikanët nuk lejojnë që ky proces të ecë përpara. Ne nuk jemi mjaftueshëm të njohur me rezultatet sepse askush nuk na informon, prandaj bashkërisht po mundohemi të shpjegojmë se si është situata”, tha Qerkinaj.
Sipas të dhënave të shtatorit 2023 nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), 1616 persona janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur i Serbisë njoftoi se rreth dy të tretat e tyre janë shqiptarë, 568 janë serbë dhe joshqiptarë të tjerë.
Familjet e tyre kanë bërë apel së bashku që grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen e të zhdukurve, ta fillojnë sërish punën, sepse nuk kanë punuar mbi këtë çështje që nga viti 2021.
Lëvizja e fundit formale nga të dyja palët ishte më 2 maj, kur në Bruksel, në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një deklaratë për të zhdukurit në periudhën 1998-2001.