Bota
Netanyahu në qendër të kritikave: Po bën fushatë në kohë lufte
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është vënë në qendër të kritikave brenda partisë së tij, por edhe nga parti të tjera jashtë koalicionit qeveritar. Netanyahu, është akuzuar se po bën fushatë ndërsa vendi i tij është në luftë. Disa figura të larta politike izraelite janë shprehur se zgjedhjet janë të pashmangshme pasi të përfundojë lufta. Forcat politike, por edhe elektorati e akuzon kryeministrin si fajtor të dështimit të inteligjencës që çuan deri në sulmin e Hamasit në 7 tetor.
Netanyahu ndezi zemërimin nga e majta dhe e djathta kur tha se sulmi i Hamasit shkaktoi të njëjtin numër vdekjesh si marrëveshja e Oslos, marrëveshja e paqes e nënshkruar midis Izraelit dhe palestinezëve në 1993. Komentet, u konsideruan si të orientuara politikisht. Udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid, tha në përgjigje se ishte e pamundur të kuptohet niveli i cinizmit të një kryeministri që po drejton një fushatë të keqe politike në një kohë si kjo.
Një zyrtar i lartë në partinë Likud të Netanyahut i tha gazetës së djathtë Israel Hayom, se ky është një moment që duhet patur kujdes për të mos mbjellë përçarje. Një zyrtar tjetër i Likud është shprehur se Netanyahu është në modalitetin e plotë të fushatës. Por pavarësisht kritikave, Netanyahu ka vijuar të forcojë imazhin e tij, në një përgjigje për presidentin amerikan, kur u shpreh se ai nuk do t’i nënshtrohet presionit nga SHBA edhe pse mund të humbasë mbështetjen ndërkombëtare për luftën në Gaza. Sipas sondazheve të fundit, shumica e izraelitëve kërkojnë që Netanyahu të japë dorëheqjen.