Kosova
Ben Andoni: Kosovës i ikën kohë të mira prej ngurtësisë së Kurtit në dialog
Publicisti Ben Andoni thotë se nënshkrimi i mundshëm i Marrëveshjes me Serbinë në Samitin e Këshillit Europian në mars, do të ishte një cak optimist për ta mbërritur Kosova këtë vit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin fqinj.
Ai pret që BE-ja pas zgjedhjeve të reja europiane do të ketë njerëz të ri që do t’i japin tjetër dinamikë dialogut, por nuk pret që në SHBA do të vijë një president që e njeh Kosovën më mirë sesa Joe Biden.
Nga Kosova, Andoni tha se pret racionalitet dhe “të llogarisë në ndihmën e aleatëve”, pasi sipas tij, në vitin 2023, asaj i ikën kohë të mira në lidhje me dialogun për shkak të “ngurtësisë së qeverisë”.
Andoni nuk u shpreh shumë optimist për mundësinë e hapjes së dyerve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për të marrë njohjen nga pesëshja e BE-së në këtë vit të ri.
“Dua që Kosova këtë vit të nisë procedurat për Kartën e Adriatikut, që do të thotë të jetë gati në paradhomën e NATO-s, hapësirën ku e meriton të jetë. Për këtë duhet ndihma e madhe e Shqipërisë dhe Kroacisë. Do të ishte vërtetë një gjë e madhe për Kosovën” – deklaroi Ben Andoni I cili duke folur gjithashtu edhe për marrëdhëniet jo të mira ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, tha se sipas tij do të qëndrojnë të tilla për shumë kohë dhe do të përmirësohen vetëm kur të dyve do t’u përshtaten interesat.