Connect with us

Aktualitet

“U telefonova nga një mikeshë, pimë kafe më pas…”- Kush e nxori në pritë “të fortin” e Niklës, çfarë dëshmoi Marklen Haka

Më 8 qershor 2022 një atentat me armë zjarri ndodhi pranë fshatit Nikel ndaj Marklen Hakës, i cili kishte rënë edhe më parë pre e sulmeve të ngjashme me armë, ku kishte mbetur i plagosur rëndë.

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ketë ngjarja të rëndë, ndërsa ka treguar edhe për rolin e dy mikeshave që e nxorën në kafe, para se ai të ishte pre e atentatit.

Dokumentari, pjesa e parë:

Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019. Atje u plagos rëndë në pragun e banesës së tij dhe humbi jetën më pas në spital halla e tij, Shpresa Basha. Pas atentatit, ai kishte bërë veten të padukshëm për shënjestruesit e tij, të cilët kishin shprehur qëllimin e qartë për eleminimin e tij. Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.

Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij. Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.

Policia e Shtetit

Më datë 8 Qershor 2022, rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël të Njësisë Administrative, Nikël-Krujë, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Marklen Lutfi Haka, i cili ka shkuar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.

Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka. Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje. Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.

Përparim Caca ishte duke shërbyer në lokalin e tij kur ndjeu së pari të shtënat e shumta që vinin nga jashtë kafenesë së tij të vogël. Ai nuk pati mundësi të dilte dhe të shikonte menjëherë se çfarë po ndodhte në rrugë. Një vrimë tejshpuese e mbetur në xhamin e lokalit tregoi për terrorin që ai dhe të tjerë të pranishëm në kafene në atë moment përjetuan nga plumbat që vinin nga përtej rrugës.

Dosja hetimore

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në lokalin në pronësi të shtetasit Përparim Caca, u konstatua një vrimë tejshpuese në xhamin e dritares së kafenesë.

Po kështu nga kqyrja e automjetit model ‘Golf 5’, me targa AB 728 CB, 5 vendësh, me ngjyrë të zezë, e cila është në pronësi të shtetasit Kurt Hidri dhe që më datë 8 Qershor 2022, ka qenë në përdorimin e Marklen Hakës, u konstatuan vrima tejshpuese, me drejtim nga e  majta në të djathtë, të cilat korespodojnë me xhamin e krahut të pasagjerit të parë të automjetit ne fjalë.

I pari që u mor në pyetje lidhur me ngjarjen ishte pikërisht Marklen Haka, njeriu që ishte edhe në qendër të sulmit më të fundit me armë ndaj tij. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas dëmtimit që kishte marrë në nofull, ashtu si edhe në atentatet e tjera të ngjashme ndaj tij, nuk dha asnjë informacion me interes për kundërshtarët e tij, që i ishin vënë nga pas për të qëruar hesapet me të.

Megjithëse nuk dha njohje për armiqtë e tij të mundshëm, Marklen Haka nuk mohoi dyshimet që ai pati në momentin kur makina e tij u vu në ndjekje nga një tjetër automjet, fill pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikeshat e tij, një lokal jo shumë larg vilës së tij në fshatin Nikël. Ai tha se doli nga banesa rreth orës 12.00 të drekës, pas ftesës për kafe që i kishte bërë një e njohura e tij, të cilën e identifikon me emrin Alketa. E cila i tha se ishte e shoqëruar me një mikeshën e saj, të quajtur Rita.

Marklen Haka: Më datë 8 Qershor 2022, unë po qëndroja në banesën time kur rreth orës 12.00 u telefonova nga një mikesha ime, Alketa.  Ajo më tha se jam me Ritën dhe më ftonin për kafe. E lamë të takoheshim te ‘Klajdi Park’ në Tapizë.  Unë aty shkova me makinën time tip ‘Golf 5’ me ngjyrë të zezë. Kur shkova aty pashë që Alketa dhe Rita kishin mbërritur para meje dhe po më prisnin.  Unë qëndrova me to në lokal përreth një orë. Pasi përfunduam kafen, unë u përshëndeta me Alketën dhe Ritëm dhe shkova të paguaj faturën.

Pasi u nda me vajzat, Marklen Haka tha për hetuesit se ai mori sërish rrugën e kthimit për në banesën e tij në fshatin Nikël. Megjithatë, me daljen nga lokali, ai vuri re nga pasqyrat e makinës një lëvizje të pazakontë të një automjeti që vinte pas tij. Ky automjet e ndiqte përgjatë gjithë kohës, pa iu ndarë për asnjë moment të vetëm. Kjo situatë shkaktoi dyshime te ai vetë, se automjeti që vinte pas tij dhe njerëzit në bord, nuk ishin përdorues të zakonshëm të rrugës.

Marklen Haka: Pasi pagova faturën dola dhe shkova te makina ime. Ndërkohë që Alketa dhe Rita po qëndronin në makinën e tyre në oborrin e lokalit dhe të dyja po merreshin me telefonin. Gjatë kësaj kohe unë u ngjita në makinën time dhe u nisa drejt Fushë Krujës, ndërsa vajzat u nisën për në drejtim të Tiranës me një automjet A Class. Por sapo u nisa unë pata dyshime, pasi në ndjekje të automjetit tim u vu një tjetër makinë, Audi A8.

Dyshimet e Marklen Hakës në atë moment nuk rezultuan thjesht të tilla. Manovrat që ai kreu në rrugë e bindën se automjeti me xhama të zinj që po e ndiqte nga pas ishte aty pikërisht për të. Ai nuk mundi të shquajë asgjë nga brenda automjetit përveç xhamave të zinj dhe targës së huaj në pjesën e saj të përparme. Ndërkohë, e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte të jepte gaz sa më shumë të mundej makinës së tij, e cila ishte disa kuaj kubik më pak e fuqishme se Audi që po e ndiqte.

Marklen Haka: Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin.  Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.

Por kur mendoi se i shpëtoi kurthit të radhës, Marklen Haka nuk llogariti se ndjekësit e tij do ta godisnin pikërisht në momentin kur ai do të merrte frymë lirisht dhe ia kishte hedhur pa u lagur shënjestruesve të tij. Ai tha për hetuesit se sapo hyri në Nikël, një tytë arme zjarri doli nga xhami i zi i ulur i makinës që e kishte ndjekur përgjatë gjithë rrugës, dhe qëlloi në drejtim të automjetit të tij, që në këtë moment ishte ndalur në anë të rrugës.

Marklen Haka: Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.

Edhe pse në atë gjendje, Marklen Haka tha se ende pati fuqinë ti jepte makinës dhe të largohej nga vendi ku u derdh ndaj tij breshëria e plumbave. Ai tregoi se u drejtua drejt Fushë Krujës për të kërkuar ndihmë te miqtë e tij në këtë qytet, të cilët më pas e dërguan në Spitalin e Traumës në kryeqytet, pas plagës që kishte marrë në nofull. Spitali i Traumës, që për të ishte kthyer në stacion të zakonshëm kurimi, sa herë ai binte pre e atentateve, ashtu si edhe në këto pamje të shtatorit 2019, ku edhe në atë kohë u plagos rëndë pas një prite që i ishte organizuar në orët e vona të mbrëmjes në derën e vilës së tij në fshatin Nikël në Fushë-Krujë.

Marklen Haka: Pas asaj që më ndodhi unë i dhashë makinës indietro dhe u largova drejt Fushë Krujës. Aty u ndala për një moment dhe u nisa sërish dhe shkova të kalçeto ‘Çangu’.  Ku mbërriti Adi Haka i cili më pas më dërgoi në spital.

Nga shtrati i spitalit ku ndodhej, Marklen Haka tha se nuk i njihte atentatorët e tij dhe se nuk kishte dyshime për asnjë emër të veçantë që mund të lidhej me motivet e ekzekutimit të tij. Ai rrëfeu për hetuesit se ishte kthyer në Shqipëri më 5 qershor 2023, vetëm tri ditë para se të ishte pre e sulmit me armë, informacion që duket se e kanë siguruar edhe kundërshtarët e tij.

Gjatë kësaj kohe, ai kishte qëndruar në Bruksel, por nuk dha shpjegime se cila ishte arsyeja e qëndrimit të tij në kryeqytetin belg, ku ishte rezident për vetëm dy javë. Lidhur me atentatin ndaj tij, u pyetën nga grupi hetues edhe persona të cilët mendoheshin se kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Një prej këtyre personave të pyetur ishte edhe Geraldo Haka, kushëri i Marklen Hakës, i cili ishte i pari që u njoh me atentatin që i ishte bërë të afërmit të tij dhe bëri shoqërimin e tij deri në Fushë Krujë, si dhe më tej në spitalin e Traumës në kryeqytet.

Geraldo Haka: Unë ndodhesha në lokalin tim pranë shkollës 9-vjeçare Nikël, kur kushëriri im Marklen Haka, më thirri me zë të lartë; ‘Merr makinën tënde dhe më ndiq, pasi më kanë qëlluar’. Sapo e pashë, e ndoqa nga pas Marklenin derisa parkoi makinën te kalçeto.

Aty ai më pas u ngjit në makinën time dhe jemi nisur për në spital. Gjatë rrugës Markleni më tha se nuk e di kush më ka qëlluar. Nuk folëm shumë gjatë, pasi ai kishte gjakderdhje nga goja, pasi kishte marrë një plumb në nofull.

Pas marrjes së dëshmisë së kushëririt të objektivit të atentatit, grupi hetues u kthye edhe njëherë në vendngjarje për të marrë thënie të reja, që mund të shërbenin për të zbardhur skenën e krimit. Një ndër këto persona ishte edhe Përparim Caca, pronari i lokalit përballë ku ndodhi ngjarja. Ai tregoi se i tmerruar, ishte më shumë i interesuar të fshihte kokën se sa të shikonte se çfarë po ndodhte jashtë apo kush ishin autorët.

Përparim Caca: Në momentin që dëgjova të shtëna me armë, unë u ndjeva i frikësuar dhe u futa poshtë banakut dhe nuk kam parë se çfarë ka ndodhur. Unë më pas dallova një plumb që kishte përshkuar xhamin e dritares së lokalit. Në momentin e ngjarjes, në ambjentin e brendshëm të lokalit nuk ka patur klientë. Ndërsa në verandë kanë qenë të ulur një djalë dhe një vajzë, të cilët sapo dëgjuan të shtënat u shtrinë përtokë.

I vetmi që mundi të shquajë diçka rreth identikitit të autorëve të krimit ishte Dritan Haka, kushëri me Marklen Hakën. Personi i cili i shpëtoi mrekullisht plumbave ndërsa po bëhej gati të ngjitej në makinën e të afërmit të tij. Gjatë momentit kur Marklen Haka ishte ndalur në kryqëzimin e fshatit Nikël, pas shenjës që kushëriri i tij i kishte bërë me dorë për ta marrë me vete në makinën e tij. Edhe pse në fillim Dritan Haka dha detaje interesante në lidhje me karakteristikat pamore të autorit që qëlloi ndaj kushëririt të tij, më vonë në dëshminë e tij para hetuesve, ai i tha këtyre të fundit se nuk i mbahej mend mirë portreti i atij që shkrehu armën.

Dritan Haka: Më datë 8 qershor 2022, rreth orës 14:00, isha duke qëndruar në këmbë në kryqëzimin e stacionit Nikël, me qëllim për të gjetur ndonjë makinë të rastit, për të shkuar në fshat. Gjatë kësaj kohe para këmbëve të mia ndaloi me makinën e tij, Marklen Haka, që është edhe djali i xhaxhait tim. Pikërisht në këtë moment, paralelisht me makinën e Marklenit pashë që u afrua edhe një automjet tjetër tip Audi, me ngjyrë të zezë, ku nga sedilja e pasagjerit u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës, ku ndodhej kushëriri im. Unë arrita ta dalloj personin që qëlloi. Ai nuk kishte maskë në fytyrë. Ishte brun dhe mendoj se duhet të jetë diku te rreth 40 vjeç.

Dritan Haka kujtoi më pas, se autorët, ndoshta të trembur, i drejtuan armën edhe atij, por nuk qëlluan më në vazhdim. Ai mundi të shikojë vetëm ndërsa ata morën rrugën nga kishin ardhur dhe u larguan të qetë në drejtim të rrugës Kamëz-Fushë Krujë për të humbur gjurmët edhe sot.

Dritan Haka: Unë arrita të shquaj vetëm faktin që mjeti i autorëve u kthye mbrapsht. Dhe në atë moment më drejtuan edhe mua armën. Nga sa pashë pas atentatit ata morën rrugën nacionale Kamëz-Fushë Krujë.

Pavarësisht deklarimit të tij të parë se ai arriti ta shikojë në sy një nga atentatorët, në dëshminë e tij të dytë dhënë për hetuesit, Dritan Haka u shfaq i mjegullt në lidhje me portretin e qitësit që për një moment desh i mori jetën edhe atij vetë.

Dosja Hetimore: Pavarësisht se Dritan Haka, thotë se e ka parë drejt e në sy personin që qëlloi mbi kushëririn e tij, Marklen Haka, në dëshminë e dytë, ai është tërhequr nga ky deklarim, duke thënë se nuk është në gjendje ta identifikojë përsëri këtë person. Ai po kështu thotë se nuk e ka fiksuar me çfarë arme është qëlluar, por ai që ka qenë armë e gjatë dhe jo pistoletë. Dhe të shtënat kanë qenë me breshëri dhe jo tek e tek.

Asgjë me rëndësi në dëshminë e saj nuk dha edhe një nga klientet e lokalit, përpara të cilit u luajt e gjithë skena e krimit, e cila atë ditë u përball bashkë me një të njohurën e saj, me momentet e frikshme. Por që për fatin e saj të mirë, plumbat e kursyen, ndërsa iu desh të kthehej e tronditur në banesë.

J.M:  Më datë 8 qershor 2022, në orën 07.00 kam dalë nga shtëpia ime që ndodhet në fshatin Mukje dhe kam shkuar në punë në një mobileri në fshatin Shelqet. Rreth orës 13:00 pasi mbylla punën u nisa për në kryqëzimin e Niklës dhe u ula në verandën e lokalit të shtetasit Pap Caca për të pirë kafe bashkë me një të njohurën time. Pak më vonë dëgjova krisma arme dhe të dyja u ulëm poshtë tavolinës. Pas ngjarjes, u largova në drejtim të shtëpisë në fshatin Mukje. Marklen Hakën nuk e njoh dhe nuk e kam parë ngjarjen sesi ndodhi dhe as autorët.

Deri në këtë pikë të hetimit, askush nuk i njihte autorët e atentatit, edhe pse kishin mundur ti shquanin portretet e tyre brenda makinës me të cilën tentuan të kryenin eleminimin e Marklen Hakës. Kjo sugjeron se qitësit më shumë gjasa nuk i përkisnin zonës përreth. Në lidhje me ngjarjen, grupi hetues u ndal edhe te makina e përdorur nga Marklen Haka ditën e ngjarjes, kur ra pre e plumbave. Nga kjo u konstatua se automjeti në përdorim të shënjestrës së atentatit ishte në pronësi të një shtetasi, me gjasa familjar i tij i afërt.

Dosja Hetimore: Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, është pyetur shtetasi Kurt Hidri. Ai ka deklaruar se automjetin që përdorej nga Marklen Haka me targa AB 728 CB, i përket përket shtetasit Agustin Haka, të cilit ia ka shitur para një viti dhe këtë gjë mund ta vërtetojë nëpërmjet aktit noterial që ka bërë te noteri.

Por në dëshminë e tij, Kurt Hidri, tha se nuk e njihte Marklen Hakën. Ndërsa me të vetmin person që kishte njohje ishte Agustin Haka, të cilit i kishte shitur edhe makinën. Megjithatë, dëshmia më interesante për grupin hetues ishte padyshim e vajzave me të cilat Marklen Haka konsumoi kafenë e fundit para se të binte pre e plumbave, veçanërisht e njërës prej tyre, e identifikuar me emrin Alketa.

Ajo kishte telefonuar Marklenin për të dalë nga banesa ku ndodhej në ngujim të plotë dhe për të pirë kafe me të. Policisë iu arrit të identifikojë shoqërinë e Marklen Hakës me dy vajzat përmes pamjeve filmike, si edhe të bizneseve në zonë, për të parë ndjekjen që i bëri më tej makina e vrasësve.

Alketa: Marklen Hakën e njoh prej shumë vitesh, pasi kam bashkëjetuar me vëllain e tij të ndjerë, Roland Haka. Atë ditë rreth orës 12.30 e kam takuar Marklenin së bashku me një shoqen time në një lokal pranë Tapizës. Pasi pimë kafe u larguam në dy drejtime të ndryshme. Ai drejt shtëpisë, ne për në Tiranë. Ngjarjen e kam mësuar përmes lajmeve.Por kjo dëshmi duket e cunguar në thëniet e saj.Pasi jo vetëm Alketa nuk tregon për qëllimin e takimit por mungon edhe dëshmia e shoqërueses së saj në tavolinë, atë ditë. Kush është kjo vajzë dhe pse grupi hetues nuk e ka marrë edhe dëshminë e saj. Dëshmi që mund të hedhë dritë, nëse vajzat u përdorën si karrem apo u ndoqën në lëvizjet e tyre, me qëllim që grupi i qitësve të binte në gjurmët e Marklen Hakës.

Aktualitet

Ish-ekonomisti i Bankës Botërore: Ja si ndikon vendlindja në nivelin e të ardhurave

Studimet tregojnë se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen rreth pesë deri në gjashtë dekada për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik të mesatares së vendeve të BE-së.

Ndërkohë që pabarazia në nivelin global duket që është zbutur si pasojë e rritjes ekonomike të Kinës gjatë dekadës së fundit, periudha që kaluam fillimisht me COVID-in dhe më pas me konfliktet të cilat po jetojmë, kanë pasur një ndikim negativ për sa i përket uljes së pabarazisë.

Megjithatë, brenda vetë Europës, brenda Perëndimit dhe brenda shumë vendeve që janë në listën e vendeve më të zhvilluara, pabarazitë janë rritur.

 

 

Cilët janë faktorët që ndikojnë në zbutjen e pabarazisë? Gjeografia? Pra, vendi ku ne lindim dhe jetojmë? Statusi shoqëror, prejardhja familjare? Mundësitë që na jep jeta dhe sistemi politik e ekonomik në të cilin ne jetojmë? Cili është ndikimi i teknologjisë në këtë proces? Ndikimi i forcave migratore?

Për të gjitha këto, Ditmit Bushati diskuton në podcast-in “Public Square” me një ekonomist të famshëm amerikan, me origjinë serbe, Branko Milanović, i cili për shumë vite ka punuar si ekonomist pranë Bankës Botërore, dhe tanimë është profesor në City University of New York.

“Po t’i referohemi nivelit global, kemi njerëz nga vende të ndryshme. Nëse dikush ka liundur në Malish, fashat prej nga burojnë të ardhurat, krahasuar me pjesën tjetër të botës, janë të kufizuara, edhe nëse ky person i përket një grupi të një niveli të lartë, edhe sikur të jetë Presidenti i Malit, të ardhurat e tij do të jenë sa 20% e të ardhurave në Francë.

Kështu që, kur mbledhin të dhënat global, ajo që vëmë re është që një pjesë e madhe të ardhurave tona përcaktohen nga vendi ku jetojmë . Dhe për 95-96% e popullatës, ky është vendi ku kanë lindur.

Fillimisht vetëm dhe më pas me një koleg, kam bërë disa përshtatje në lidhje me sesa ndikon niveli i arsmit dhe të ardhurave të prindërve. Ajo që mbetet e pashpjegueshme, ku përfshihen përpjekjet e bëra, fati apo të tjerat, është rreth 20-30%. Kjo është baza e atij citimit të famshëm se ‘rrëth 50-60% e të ardhurave tonë në nivel global përcaktohen nga vendi ku jetojmë, 20% përcaktohen nga prindërit tanë sesa të pasur dhe të arsimur kanë qenë dhe 20-30% përcaktohen nga ne’.

Kjo është një gjetje interesante sepse na tregon sesa të mëdha janë ndryshimet në botë dhe si vendi i lindjes është i rëndësishëm për ecurinë e të ardhurave tonë në të ardhmen”, tha ai.

Continue Reading

Aktualitet

Domatet “zhgënjejnë”/ Bien eksportet, në treg ka mbiprodhim dhe çmimet janë ulur

Fermerët e serave po rezultojnë me humbje të mëdha me shitjen e produkteve të tyre gjatë këtij viti.

Dora e parë e mbjellur prej tyre që nga fillimi janarit për të dalë të parët në treg me çmime të leverdishme nuk po sjell fryte.

Fermerët në Klos të Cërrikut shprehen se kostot e rritura, nga plehu tek punonjësit, gjatë dy viteve të fundit nuk mbulohen nga çmimi 30 dhe 40 lek me të cilin po shitet domatja këtë muaj.

Në kushtet kur nuk përfitojnë asnjë subvencion nga shteti për shkak të sipërfaqeve të vogla nën 1 hektar, ata shprehen se janë të falimentuar

Shifrat e INSTAT tregojnë se eksporti I domates të paktën për dy muajt e parë të vitit ka ardhur në rënie si në vlerë edhe në sasi. Nga krahu tjetër, çmimet e larta me të cilat domatja arrin te konsumatori fundor, ku në kryeqytet shkojnë nga 80 deri në 130 lek sjell konsum më të dobët nga qytetarët.

Përtej faktorëve të tregut Banka Botërore në raportin e saj në 2023-ishin “Drejt Rritjes së Qëndrueshme” e ka shprehur se bujqësia si sektori me kontributin më të lartë në punësim dhe ekonomi në Shqipëri ka mbështetjen më të ulët nga të gjashtë e vendet e Ballkanit Perëndimor.

Continue Reading

Aktualitet

Bombardohet Konsullata Shqiptare në Ukrainë, qeveria interesohet për provat

Qeveria shqiptare ka nisur përpjekjet të dokumentojë me prova ligjore, shkatërrimin e Konsullatës Shqiptare në Ukrainë nga një sulm i Rusisë. Nga burime në dijeni të kësaj përpjekje inicuar nga kryeministri Edi Rama dhe që po ndiqet nga ministri Punëve të jashtëme Igli Hasani, gazetari Top Channel Muhamed Veliu. ka mësuar se tashmë ka nisur një korrespondencë mes Ministrisë së Punëve të Jashtëme, Prokurorisë së Përgjithëshme Shqiptare dhe asaj të Ukrainës.

Shefi i akuzës shqiptare Olsian Cela disa ditë më parë i ka dërguar homologut të tij ukrainas Andriy Kostin, një kërkesë për tu përditësuar në lidhje me mbledhjen e provave të kërkuara nga pala shqiptare.

Në letrën e parë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Cela thotë:

“Kjo kërkesë vjen në vijim të referimit nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtëme. Kërkojmë informacion mbi ecurinë e procedimit datë 9.11.2022 të rregjistruar në zyrën e Prokurorisë Publike të Rajonit Kharkiv, lidhur me ngjarjen e datës 6 Mars 2022 ku Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë njëkohësisht banesa e Konsullit të Nderit Z. Shahkin Omarov, ka qenë objekt i sulmeve të forcave ruse me pasojë shkatërrimin e tyre”.

Kërkesa e Shqipërisë e para e këtij lloji, vjen pas qëndrimeve të forta pro Ukrainës nga vendi ynë si pjesmarrës në Këshillinin e Sigurimit të OKB, nga ku u prodhua një përplasje e fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit rus në këshill, ku ishte i ftuar të fliste presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky./Top Channel

Continue Reading

Aktualitet

Shëndeti i kafshëve në dobi të shëndetit të njeriut, mbahet takimi i përfaqësuesve të Visegrad Vet+

Përfaqësues të Visegrad Vet+ perbërë nga Urdhra të Mjekëve Veterinarë nga vendet e Evropës si Hungaria, Kroacia, Polonia, Çekia, Bavaria, Italia, Greqia, Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Slovakia, Slovenia si dhe Presidentet respektive te Federatës Europiane të Veterinarisë, Unioni Europian i Veterinerve të Praktikës, Unioni Europian i Higjenistëve Veterinar, shoqata Dogs Trust, mbajtën takimin sot, më 11/05/2024, në Tiranë.

Ata diskutuan zhvillimet më të fundit për ndryshimet veterinare në Bashkimin Europian. Thelbi është shëndeti i kafshëve në dobi të shëndetit të njeriut, pra, “one health” u ngritën dhe u diskutuan çështje të ndryshme si regjistrimi dhe unifikimi i pasaportave për qentë dhe macet, duke ndërprerë abuzimet me kafshët e vogla e duke monitoruar dhe kontrolluar sëmundjen e tërbimit, e cila është një rrezik potencial për njerëzit. Po ashtu, u fol për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe përdorimin e barnave veterinare te kafshët bujqësore, dhe për kërkesat e fundit të BE. Një temë thelbësore ishte rritja e kapaciteteve veterinare, trajnimi i vazhduar dhe përmirësimi i njohurive me të fundit të shkencës veterinare, gjë që e bën veterinarinë një profesion thelbësor dhe të pazëvendësueshëm në mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin publik

E ftuar ishte dhe Ministrja e Bujqësisë,Anila Denaj e cila u shpreh se fokusi i Ministrisë së Bujqësisë është mbrojtja e shëndetit të konsumatorit duke mbështetur shërbimin veterinar privat dhe shtetëror. Ajo vuri theksin në parimin “një botë, një shëndet” dhe gatishmërinë e dikasterit për mbështetjen e veterinarëve të Shqipërisë. Po ashtu, takimin e përshëndeti dhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Rezart Postoli, Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Roland Meçaj dhe Doktor Artan Xhafa.

Në fund të takimit, dhomat veterinare europiane falënderuan Urdhrin e Mjekëve Veterinar të Shqipërisë për mikpritjen edhe organizimin dhe arritën në konkluzion për të përpiluar së bashku një dokument për Komisionin Europian mbi ndryshimet ligjore që duhet të ndodhin mbi temat e mësipërme. Të gjithë një zëri dhan mesazhin nga Tirana se Shkenca veterinare është pararojë e shëndetit publik. Ky ishte takimi parë që u mbajtë në Shqiperi në keto nivele të organizatave Veterinare te Bashkimit Europian.

Continue Reading

Aktualitet

Shqipëria po plaket, por vendi mbetet jomiqësor ndaj moshës së tretë

Qindra pensionistë në Durrës nuk kanë mundësi çlodhjeje dhe argëtimi, ndërsa ata vetë ndeshen me probleme të mbijetesës financiare. Shumica e të moshuarve të qytetit mblidhen çdo ditë në lulishten para godinës së Postës, aty ku disa dekada më parë ngrihej merkato e vjetër e qytetit bregdetar. Në pranverë gjelbërimi e mbulon hapësirën, por aktualisht mungon shumica e stolave të lulishtes.

“Këtu duhet të sjellësh gjithçka me vete, nga gurët e shahut e deri te stolat për tu ulur,” tha Sami Veliu për BIRN. Ai shtoi se që kur ka ardhur nga Skrapari në Durrës – para 20 vjetësh, në këtë lulishte e kalon kohën.  “Pensionin e kam të ulët dhe nuk ma mban të hyj e të shpenzoj në kafene”, shtoi ai.

Rrugicat e lulishtes pas orës 9 të mëngjesit mbushen me të paktën 10-12 grupe burrash që luajnë domino, shah apo me letra. Sipas Samiut mjaft prej tyre dalin edhe pasditeve. “Janë më shumë se 50 – 60 vetë, që të gjithë të moshuar, të cilët e kanë gjetur si kalim kohe këtë vend,” tha ai. “Por fatkeqësisht, jo vetëm që nuk ka një vend të mbuluar për stinën e dimrit, por edhe një banjo mungon – shtoi Sami Veliu, i cili është shumë kritik me institucionet vendore.

Sipas Samiut, Bashkia mund të krijojë edhe një strukturë prej druri, si ajo që ka ndërtuar prej kohësh Pogradeci në breg të liqenit për pensionistët e tij. Jo të gjithë gjejnë mundësinë për të luajtur, dhe tifozët janë më të shumtë pranë tabelave të shahut, ku gara e përditshme është edhe më e fortë. Shumica ulen në bordurat e çimentos, me nga një copë kartoni nën vete. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, mosha mediane në Shqipëri u rri nga 33-vjeç në vitin 2011, në 38-vjeç në vitin 2022. Por ndërsa vendi po plaket, strukturat e pushtetit vendor vazhdojnë ti kushtojnë pak vëmendje hapësirave rekreative për moshën e tretë. Lulishtja para Postës është i vetmi vend ku mblidhen pensionistët durrsakë.

Tre kilometra më tej, në lagjen 18 në Spitallë ndodhet një banesë 1-katëshe, e ndërtuar ngjitur me kanalin e ujërave të larta. Një sallë e madhe, me sipërfaqe gati 80 metra katrore është thuajse e braktisur, por edhe këtu të moshuarit nuk mungojnë. Ata luajnë të gjithë në prag të banesës, së cilës i mungon porta kryesore. “Ka më shumë se tre vjet që ne i nxjerrim tavolinat jashtë, pasi na thanë se ndërtesa është privatizuar,” tha për BIRN Myslim Abazaj.

“Kemi biseduar edhe me drejtuesit e bashkisë për pronësinë e saj, por askush nuk na thotë diçka të saktë,” shtoi xhaxha Myslimi. Kjo banesë është ngritur 10 vjet më parë, dhe që nga dita e parë shfrytëzohet vetëm nga të moshuarit. Në faqen e internetit të bashkisë, jepet informacion për Qendrën Ditore të të Moshuarve brenda në qytet, ndërsa mungojnë të dhënat për godinën që ndodhet përballë shkollës 9-vjeçare “Naim Babameto” në Spitallë.

Edhe në godinën e Spitallës mungon instalimi i ujit, e njëlloj nuk ka as banjo. Të moshuarit për nevojat e tyre detyrohen të shkojnë në lokalet pranë apo edhe në shtëpi, kur ato nuk janë larg. Pensionistët janë të shqetësuar për të ardhmen e Qendrës, ku ata mblidhen prej vitesh. “Spitalla është e mbushur me familje që erdhën pas viteve ’90 nga zonat rurale të vendit, dhe të ardhurat nga pensionet i kemi mjaft të të ulta,” tha Nazmiu, i cili ka jetuar më parë në Librazhd.

“Kur kemi një vend se ku të mblidhemi gjatë ditës, familjarët tonë janë shumë më qetë”, shtoi 76-vjeçari. Në anën tjetër të qytetit, në lagjen nr 1, Dilaver Barushi, i ka shfrytëzuar ditët e para të diellit në det. Me Xhinën, qenushin e tij të pandarë, ai e ka gjetur bregdetin si vendin më të mirë për të kaluar kohën.

Telashi i vetëm i Kavijes, siç e thërrasin miqtë, është vendosja e çadrës. “Plazhi publik, ku laheshim prej disa vitesh u zu nga dikush tjetër, dhe ne nga halli kemi zënë vend në shkallët e Sfinksit,” tha për BIRN Dilaver Barushi. “Këtu luajmë tavëll e shah, e po ashtu këtu hyjmë në ujë për të notuar,” shtoi ai. Të moshuarit, që vijnë me biçikleta edhe nga lagje të tjera të qytetit bregdetar, e ndjejnë vehten me fat që kanë ujin pranë. Sidoqoftë, nëse do të kishim plazhin publik, do të shfrytëzonim edhe rërën, thonë ata.  “‘Sfinksi’ është i gjithi prej çimentoje dhe nuk rrimë dot rehat,” përfundoi Dilaver Barushi./BIRN

Continue Reading
Advertisement

TRENDING