Connect with us

Kosova

Hovenier: Duhet të vazhdojë dialogu për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Hovenier i ka bërë këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë. Ai ka thënë se dialogu mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.

Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.

“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.

Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës, por duhet të diskutohet kjo çështje.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti – e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme në Kosovë.

Kjo rregullore i ka prekur komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në to përdoret edhe dinari serb. Shteti i Serbisë deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmat shtesë.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të pezullojë vendimin për dinarin serb dhe që bisedimet për rregulloren e BQK-së në Bruksel “të vazhdojnë me urgjencë”.

Më 27 shkurt, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për këtë çështje, por zyrtarët evropianë kanë thënë se “takimet shtesë do të jenë të nevojshme”.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.

Disa serbë në Kosovë kanë treguar se nuk po mund të marrin të ardhurat prej Serbisë në dinarë, në mungesë të kësaj valute.

Dogana e Kosovës e ka ndaluar dy herë këtë vit hyrjen e dinarëve në Kosovë, me arsyetimin se diçka e tillë nuk është autorizuar prej BQK-së, institucionit të vetëm që mund të bëjë importimin dhe eksportimin e valutave.

Marrë nga REL

Advertisement