Connect with us

Kosova

Efekti ‘VARG’ godet Kosovën, teksa lufta nis në veri

Vesko Garçeviç, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, tha se nëse Milorad Dodik, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, ndihet i inkurajuar për të organizuar referendum për pavarësi dhe për ta shpallur Republikën Srpska shtet të pavarur, një gjë e tillë ka të ngjarë të çojë në një reaksion zinxhiror në rajon.

“Atëherë, mund të presim diçka të ngjashme, ose jostabilitet dhe përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë” – deklaroi Garçeviç

Nga ana tjetër, Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, u shpreh se Rusia nuk ka synime specifike strategjike në Ballkanin Perëndimor, por se është e vetëdijshme se, praktikisht, “pa përpjekje” mund ta pengojë integrimin euroatlantik të vendeve të Rajonit.

Sipas tij, forca paqeruajtëse e BE-së në Bosnje, EUFOR Althea, nuk ka as njerëz dhe as pajisje, për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dhunës së mundshme atje, dhe se rritja e kapacitetit të këtyre forcave, është parakusht për zgjidhjen e prpblemeve atje.

Sipas Vogel, Bashkimi Europian nuk ka “oreks” për të forcuar ndjeshëm këto forca, edhe pse, sipas tij, paralajmërimet e SHBA-së do të duhej të shërbenin si “thirrje zgjimi” për Unionin.

Ai nuk mendon se përparimi i Bosnjës drejt integrimit evropian, do ta ndryshonte sjelljen e Dodikut. Sipas tij, BE-ja është fajtorja kryesore për situatën aktuale në Bosnje.

Por, ndryshe nga Vogel mendon Garçeviç. Sipas tij, integrimi i përshpejtuar në BE do ta ulte rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

Dodik, në disa paraqitje publike, ka shprehur mbështetje për rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Teksa zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor.

Nëse Trump fiton kundrejt presidentit aktual, Joe Biden, Vogel tha se nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e SHBA-së me Bosnje e Hercegovinën, por se pret rikthimin e “tendencave të rrezikshme për t’i parë diktatorët si miq”.

Sipas Vogel, Donald Trump nuk ka ideologji apo strategji të qarta, por se ka, sipas tij, mbështetjen e autokratëve të ndryshëm – në mesin e tyre Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kurse Garçeviç deklaroi se tendencat e Trumpit për zgjidhje pragmatike dhe radikale mund të përkthehen edhe në praktikë, jo vetëm në Bosnje e Hercegovinë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Një prej ideve, që është hequr nga tryeza disa vite më parë, por mund të kthehet në agjendë, dhe ky është shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë” – potencoi Garçeviç. Në rast se ky skenar realizohet, shtoi ai, ndarja e Republikës Sërpska do të bëhej shumë e mundshme, dhe efekti I vargut do të niste edhe në vende të tjera të rajonit.

Inteligjenca amerikane, në raportin e publikuar javën që shkoi, tha se “Ballkani Perëndimor ka gjasa të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike, gjatë vitit 2024. Tensionet në këtë rajon janë përshkallëzuar teksa Dodik në Bosnje  ka intensifikuar retorikën e tij secesioniste, duke vënë në rrezik paqen.

Dodik është aleat me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, Dodik ka takuar katër herë Putinin – herën e fundit, muajin e kaluar.

Advertisement