Connect with us

Aktualitet

‘Eshtë detyra e tij që…’, gjenerali Clark për deklaratën e Christopher Hill që ndezi gjakrat

Ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark, pasi është pyetur për të komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, se “Serbia është më afër në NATO-s se sa Kosova”, ka thënë se Christopher Hill, është një diplomat i shkëlqyer, dhe se ajo që ai ka thënë në lidhje me Kosovën, Serbinë dhe Aleancën, është absolutisht e vërtetë.

“Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer dhe se ajo që thotë ai ka thënë është absolutisht e vërtetë” – ka theksuat Clark

Kujtojmë se ambasadori Hill, në një intervistë për televizionin publik serb pretendoi se Serbia është më afër NATO-s se Kosova, kur po fliste për ngjarjet e viteve 1998-99, pasi që u provokua me pyetje nga gazetari serb në lidhje me qëndrimin e SHBA-ve ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”, tha Hill.

Ndonëse e lavdëroi ambasadorin amerikan, ish-komandanti i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve, theksoi se nuk mund të flas në detaje nëse SHBA-të kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe sesa me Kosovën – ashtu siç tha Hill – pasi që “nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje”.

“Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë”, potencoi gjenerali Clark, I cili angazhimin e ambasadorit amerikan në Serbi, e sheh si një “përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur”.

“Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme”, shtoi Clark

Jashtë kësaj, duke folur për bombardimet e NATO-s, ai ka thënë se është krenar për operacionin që udhëhoqi, teksa ka shtuar se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës (17 shkurt, 2008), u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

Duke folur për aktualitetin, gjenerali amerikan deklaroi se “gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme”, sepse, sic u shpreh ai, “Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë”.

Clark është i mendimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet që të ushtrojnë presion më të madh mbi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për shkak se sic deklaroi ai, Serbia është vend më i fuqishëm, më i madh dhe e meriton.

Kur SHBA-të u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë ata duhet ta ushtrojnë mbi Vuçiç-in. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm, me mundësi më të mëdha për fleksibilitet dhe për kompromis” – potencoi Clark

“Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur. Duhet bërë paqe me këtë ide dhe Serbia të mësohet me faktin se kjo është pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë”, shtoi gjenerali NATO-s.

Advertisement