Connect with us

Aktualitet

Vajza ruse që jeton në Shqipëri: Zakoni më i keq? I shtyni gjërat për më vonë dhe thoni gjithmonë ‘kismet’

Nga Entela Resuli

Alla është një vajzë ruse që prej 14 vitesh jeton në Tiranë. Përpara se të shkelte në Shqipëri, dinte shumë pak për të, dhe as nuk e kishte menduar asnjëherë jetën e saj këtu.

Si fillim në Shqipëri e solli dashuria. Më pas kuptoi, se ndryshe nga shumë shqiptarë që duan të largohen nga vendi i tyre, ajo ka zbuluar se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar.

E rritur në Moskën e ftohtë, Tirana dhe gjithë Shqipëria i janë dukur shumë mikpritëse dhe bujare.

Vitet e para të qëndrimit në Shqipëri ka punuar si fotografe, ndërsa tani, prej më shumë se pesë vitesh është e angazhuar në një tjetër fushë, atë të trajnimit të mendimit të njerëzve dhe fotografisë.

Në rrjetet sociale ajo është e njohur për seancat e saj motivuese.

Alla Simacheva e flet shqipen shumë mirë. Është brune dhe ka tipare të imta. Sot është mami e një djali 11 vjeç. Ka një zgjidhje për gjithçka dhe sipas saj e gjithë jeta është çështje fokusi, varet se çfarë do që të shohësh dhe marrësh prej saj.

-Por si duket Shqipëria e ditëve të sotme në sytë e një vajze ruse? -Alla, përpara se të vije në Shqipëri a kishe dëgjuar më parë për këtë vend?

Të jem e sinqertë, shumë pak dija për Shqipërinë, vetëm vendndodhjen dhe disa stereotipe.

-Çfarë të solli këtu dhe mbi të gjitha çfarë të mbajti në Shqipëri?

Fatmirësisht, përpara se të vizitoja Shqipërinë për herë të parë, zgjodha të mos lexoja asgjë në internet dhe të krijoja përshtypjet e mia. Takimi i parë me Shqipërinë ndodhi para 18 vitesh, kur do të takoja familjen e ish-bashkëshortit shqiptar. Isha shumë e re dhe e guximshme dhe pavarësisht jetës së sistemuar mjaft mirë në Moskë, nuk mendova gjatë për t’u transferuar në Tiranë.

Njoh shumë gra ruse që janë larguar nga Rusia për bashkëshortët e tyre shqiptarë. Mirëpo, martesa ime tashmë ka përfunduar dhe zgjidhur, dhe qëndrimi në Shqipëri ishte një zgjedhje e vetëdijshme.

Së pari, Shqipëria na ofron të gjitha mundësitë për të krijuar jetën siç duam, pavarësisht, ankesave dhe mendimeve negative të shumë shqiptarëve, unë realisht shikoj shumë mundësi për një jetë të bukur në Shqipëri.

-Ka diçka që të bëri përshtypje në fillim, mund të na e tregosh?

Në fillim fare përshtypjet dhe ndjenjat për Shqipërinë ishin shumë të miksuara, më dukej sikur isha në një tjetër realitet. Normalisht, Tirana para 18 vitesh nuk ishte njësoj si Tirana e sotme. Çuditesha, se si ka mundësi që një vend kaq i bukur të ketë kaq shumë kontraste. Mikpritja e shqiptarëve dhe ngrohtësia e njerëzve më bënte përshtypje për mirë dhe njëkohësisht rrëmuja dhe zakoni i vjetër i hedhjes së mbeturinave nga dritaret, më habiste negativisht, ose hedhja e mbeturinave në det apo në lum.

-Ju flisni shumë mirë shqip, kush ju ka ndihmuar për këtë pjesë dhe a ju ka bërë kjo gjë që të kuptoni më shumë Shqipërinë, mentalitetin këtu?

Ah, ju falënderoj shumë për vlerësimin. Gjuha Shqipe vërtet është një gjuhë e vështirë dhe e veçantë për të huajt. Njëkohësisht, mendoj se është vështirë të integrohesh në një vend të huaj dhe të ndihesh e qetë pa gjuhë. Kisha një mikeshë shqiptare, e cila nuk fliste anglisht, dhe kjo, mendoj, është mënyra më e mirë dhe më e bukur për të mësuar çdo gjuhë, pra, është komunikimi. Jam shumë mirënjohëse për durimin dhe kohën që më ka kushtuar mikja ime, duke më kuptuar, duke më korrigjuar, duke më mësuar.

Kështu më kishte dhënë bazën, e cila thjesht rritej vetë, kur isha duke njohur njerëz të rinj. Sot kam një shprehje: rri, rri dhe mësoj ndonjë fjalë në shqip. Tani punoj me shumë njerëz, komunikoj nëpërmjet rrjeteve sociale për shkak të punës, kështu që vazhdoj të dëgjoj dhe të mësoj fjalë të reja.

-Meqë jemi të mentaliteti, çfarë të bën përshtypje nga kjo pjesë në Shqipëri?

Janë bërë më shumë se 14 vite që jetoj në Shqipëri, nuk mendoj se më bën përshtypje diçka, e kam pranuar si një pjesë të mjedisit, nuk është që më prish terezinë apo më streson, por është fakt për mua, që shqiptarët ankohen shumë dhe për çdo gjë: për vapën, për të ftohtin, për shiun, për diellin, për trafikun, për politikën, për tezen, hallën, komshiun. Dhe ndërkohë që ankohen, gjithashtu, vrasin shumë mendjen për mendimin dhe aprovimin e të tjerëve.

Dalloj këtë sepse e di shumë mirë se si funksionojnë mendimet. Ndërkohë që harxhojmë kohën dhe energjinë për të ankuar, ne nuk jetojmë jetët tona por jetojmë jetët e të tjerëve.

Në fakt, shumë shpejt, u infektova dhe unë me mendimet negative gjatë viteve të para në Shqipëri. Aq shume kisha dëgjuar shprehjen “jemi në Shqipëri, këtu gjërat nuk funksionojnë”, që vërtet e besoja për një kohë të gjatë deri sa zbulova, që nuk është e vërtet.

-Ne në Shqipëri kemi një imazh për ruset si vajza të gjata, bionde, me sy blu… a ju kanë thënë që nuk ngjani si ruse?

Jo vetëm që ma thonë shpesh që nga e folura nuk dallohem që jam e huaj, dukem si një shqiptare që ka jetuar jashtë, por një herë më kanë thënë dhe kështu: ua, ruse je? Po ruset janë të bukura, jo si puna jote.

Kjo tashmë është kthyer në një shprehje që përdor dhe vetë, si shaka.

Mua personalisht me pëlqen miksi im gjeografik. Unë kam lindur në Tokjo, jetova vitet e para të jetës sime atje, pastaj u rrita në Moskë, dhe u formova në Shqipëri. Kultura të ndryshme më kanë pasuruar botën time të brendshme dhe mënyrën e të menduarit.

-Për ata që ju njohin nga instagrami ju jeni një fotografe shumë e mirë por edhe një trajnuese mendimi, pse ke zgjedhur këtë formë për të qenë pranë ndjekësve të tu?

Është e vërtet që kam qenë fotografe për një kohë të gjatë, ishte profesioni që ushtroja në Shqipëri për 10 vite. Unë doja që nëpërmjet artit të fotografisë të tregoja njerëzve se sa mirë janë, që jetojnë në një vend të bukur, njëkohësisht falë rrjeteve sociale dhe shumë miq dhe kolegë rusë mësuan vendet e fshehura dhe të bukura të Shqipërisë.

Tani misioni im vazhdon ku nuk punoj vetëm me pamjen e jashtme, por punoj me mendimet e njerëzve, që bën të mundur ndryshimet e mëdha në të gjitha aspektet e jetës.

-Po ju vetë a ndiheni ndonjëherë e demoralizuar, e lodhur… çfarë bëni për të dal nga kjo gjendje?

Tashmë është bërë e vështirë të ndihem e demoralizuar, sepse kur shikoj që nuk po arrij rezultatin e dëshiruar, kuptoj që ka diçka në mënyrën time të menduarit, ka një veprim që e bëj gabim, ndaj nuk arrij. Përdor ndjenjat në mënyrë që të më sjellin dobi dhe të më ndriçojnë mundësitë e zhvillimit. Lejoj vetes të ndjej dhe pasigurinë, dhe frikën, dhe inatin, nëse vjen, sepse këto ndjenja alarmojnë që ka diçka në realitetin tim, që kërkon të përmirësohet.

Për sa i përket lodhjes, po. Lodhem. Kjo është një ndër pikat e mia të dobëta. Punoj shumë pa lejuar vetes të pushoj në mënyrë cilësore, pasi më duket sikur kam shumë qëllime dhe shumë pak kohë për t’i realizuar ato. Ndoshta ngjan çuditshme, por këtë verë po mësoja të bëja pushimet e vërteta pa u shqetësuar për asgjë.

-Cili është mesazhi më të cilin ju nisni ditën tuaj?

Mendimet kanë nevojë për kujdesin dhe higjienën njësoj si edhe trupi ynë. Është e vërtet që njësoj siç lajmë dhëmbët, edhe mendimet kanë nevojë të pastrohen, të sistemohen dhe të mirëmbahen. Unë pavarësisht se jam coach (trajnere) dhe kujdesem për mendimet e klientëve, jam thjesht njeri, dhe mendimet e mia kërkojnë të njëjtin kujdes gjithashtu.

Së pari, dedikoj disa minuta kohë në mëngjes për të ndjekur mendimet që kam, çfarë mendoj, çfarë ndjej, cilat janë mendimet që më shkaktojnë ndjenjat e kundërta të kënaqësisë.

Çdo njeri pavarësisht statusit, pozicionit e punës apo nivelit e të ardhurave, ka mendime që krijojnë pasiguri, ankthi, stresi, frikë, lodhje dhe është diçka normale. Nuk është normale të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur këto ndjenja nuk ekzistojnë. Ky është vetëmashtrim pastaj.

Kështu që mesazhi im i ditës, ose motoja është që, se pari, unë sot, si çdo ditë tjetër, kërkoj dhe vëzhgoj mendimet që më kufizojnë, dhe së dyti, sot kërkoj dhe vëzhgoj, cilat janë veprimet që më sjellin kënaqësi, dhe do të përfshij më shumë nga këto veprimet në rutinën time.

Keni dëgjuar për parimin Pareto? Që 20 % të shkaqeve sjellin 80 % të rezultateve. Në këtë rast, 20 % të veprimeve që bëjmë në ditë, do të na sjellin 80% të lumturisë. Duke identifikuar, cilat janë këto 20%, do të na ndihmojë të shumëfishojmë dhe të kthejmë në zakon një lifestyle të lumtur pavarësisht rrethanave.

-Sipas jush, njeriu e ka në dorën fatin e tij apo ai është i shkruar?

Në jetën e çdo njeriu funksionon ajo që në çfarë personi e beson. Unë e besoj dhe e praktikoj metodën e cila thotë, që çdo gjë që ne kemi apo nuk kemi në jetë është rezultati i veprimit. Siç thoshte Einstein, është çmenduri të bësh të njëjtin veprim dhe të presësh rezultate të tjera. Veprimet tona janë nxitur nga emocionet, emocionet janë indikatorët e mendimeve.

Kështu që nëse kemi diçka që duam të përmirësojmë në jetë, mjafton të ndryshojmë të paktën një mendim për të pasur një rezultat të ri. Kaq e thjesht. Çdo gjë është shumë e thjesht, jemi ne, njerëz, që e komplikojmë, sepse nuk besojmë që gjerat mund të funksionojnë thjesht.

-A mund të ndryshojmë jetën tonë dhe mënyrën se si jetojmë nga mënyra se si mendojmë?

Një tjetër mendim krijon një tjetër emocion, një tjetër emocion krijon një tjetër reagim, reagimi i ri do të thotë rezultati i ri. Ndërkohë është e rëndësishme të kemi një profesionist që mund të na ndihmoj të identifikojmë mendimet tona. Unë jam coach dhe kam një coach.

Mund të them që është kënaqësi e veçantë të jem në pozicionin e klientit, sepse një mendim me të cilin ushqehem çdo ditë, sidomos në momentet e vështira, është që ekziston minimalisht një person, i cili më pranon plotësisht ashtu siç jam dhe beson tek unë.

-Nga duhet ta fillojmë për të bërë këtë, për të ndryshuar ?

Është e rëndësishme të fillojmë të vlerësojmë hapa të vegjël. Gjithashtu është e rëndësishme te kujdesemi për fjalorin. Vetë fjalët jo vetëm që na lejojnë të transmetojmë mesazhet dhe informacionin tek njëri- tjetri, por na krijojnë ose na lehtësojnë peshën emocionale.

Për shembull, dikur kur miqtë më bënin pyetjen “si je”, unë përgjigjesha “shumë e ngarkuar kam qenë”. Ky mendim dhe vetë këto fjale me krijonin ngarkesën. Më vonë i zëvendësova me mendimin që nuk jam e ngarkuar, por jam e kërkuar. Shikoni, se si ndryshojnë reagimet dhe vetëvlerësimi. Kush jam unë në variantin e parë? Jam një njeri i lodhur dhe në stres. Kush jam kur jam e kërkuar? Jam e dashur, jam profesioniste, kam besimin e klientëve. Me cilin mendim jeta është më e bukur? Sigurisht, me të dytin. Dhe është vetëm çështje zgjedhje.

-Duket sikur keni zgjidhje për gjithçka, po ka patur edhe në jetën tuaj momente të vështira?

Unë mund të them që mënyra e të menduarit është aftësi, dhe si çdo aftësi tjetër trajnohet dhe përmirësohet. Sigurisht, kam kaluar kriza dhe momente shumë të vështira. Mendoj se transformimi im nisi në momentin kur babai im u nda nga jeta shumë papritur për të gjithë. Kisha shume pyetjet dhe në kërkim të përgjigjeve arrita në këtë profesion ku jam tani.

-Si mund t’ja u shpjegojmë atyre që po na lexojnë se me çfarë merreni konkretisht?

Konkretisht zhvilloj programet transformuese në grup dhe individualisht ku çdo person mund të marri instrumentet, si fillim, të shikoj veten në thellësi, jo në sipërfaqe, t’i përgjigjet vetes se kush është dhe çfarë do dhe pastaj të ndërtoj veten, ashtu siç vetë dëshiron.

Studimet, në të cilën bazohet metodologjia që unë përdor, vërteton që njerëzit qëllimin thelbësor gjithmonë e kanë pozitiv, mënyra se si e arrijnë shpesh është toksike për të tjerët për shkak të mendimeve dhe ndjenjave të renda. Për shembull, kur njeriu vepron, i udhëhequr nga dhimbja ose dëshpërimi. Është shprehja e një sipërmarrësi të famshëm, Gary Vaynerchuk: hurt people hurt people, happy people make other people happy.

Pra, njerëz të palumtur lëndojnë njerëzit e tjerë, shpesh herë pa dashje dhe në mënyrën e pavetëdijshme, njerëzit e lumtur, thjesht ndajnë lumturinë.

– Zakoni më i keq që kemi?

Të shtyjmë jetën për më vonë. Kur themi për diçka që duam të bëjmë, themi “nesër”, shtojmë dhe “kismet”, “nesër kismet”. Këtë unë e përkthej që asgjë nuk do të bëhet fare, sepse është thjesht një zakon për të zvarritur gjerat. (VoxNews)

 

Aktualitet

Projektligji i ri për rivlerësimin e pronave, a do të bien çmimet e apartamenteve në Tiranë?

Një rivlerësim tjetër i pronave, por me një normë tatimi 5-fish më të vogël ka ngritur aludimet e një lëvizje të mundshme të çmimeve për tregun e pasurive të paluajtshme. Ekspertët e tregut imobiliarë tregojnë se ky proces mund të prekë vetëm një kategori apartamentesh.

“Ne mendojmë që me këtë amnisti çmimet e apartamenteve me hipotekë po pësojnë rënie, sepse ai tatim që do paguanin në periudhën e mëparshme dhe ia faturonin blerësit dhe mendojmë se me këtë rivlerësim çmimi do bjerë”, tha për A2, Erjon Alimema, ekspert i pasurive të paluajtshme.

 “Kjo rënie nga 3% e rivlerësimit mund të  prekin vetëm një kategori. 2000, 2010, 2015 kanë mundësinë e rivlerësimit të pronës që e kanë blerë vite më para. Kurse sa i përket pronave të reja duke qenë se këtë vit janë rritur çmimet e referencës nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh”, u shpreh Fjordi Subashi, ekspert imobiliar.

Lefter Sila ekspert i këtij tregu i cili ka qenë pjesë e 4 periudha të mëparshme të rivlerësimit në vend, tregon se kur, sipas tij, do të ndodh rënia e ndjeshme e çmimeve që të gjithë presin.

“Rënia e çmimeve është sipas parimit të ekonomisë së tregut nëse oferta më e madhe se kërkesa dhe e dyta nëse do ketë raste krizash qoftë të brendshme dhe të jashtme. Nuk do të ketë rënie apo ngritje çmimesh. Ajo që mund të themi është se përfituesit janë vetëm pronarët”, shtoi Sila.

Për disa prej ekspertëve rënia pritet e lehtë deri në përafrimin e vlerës së tregut, pasi një pjesë edhe janë mbivlerësuar sipas tyre.

“Nëse flasim për një amnisti me 12% ulje nuk pretendojmë që çmimet do bien kaq. Gjithmonë arsye për të rritur çmimin ka disa për ta ulur shumë vështirë. Një çmim 5-7% që kanë pronat me certifikatë pronësie do të reduktohen”, deklaroi Erjon Alimema.

Mesatarisht një rënie deri në 7%  për një apartament 100 mijë euro do të përkthehej në 7 mijë euro më pak për ata qytetarë që do të blejnë një pronë në vijim. Aktualisht ndalur sipas zonave në Tiranë çmimet e referencës së apartamenteve variojnë duke nisur nga 2200 euro në zonën e ish-Bllokut, Librit Universitar, vijon me  rreth 1100 euro në zonën e Fabrikës së Miellit dhe 900 euro pranë zonës së Porcelanit.

Continue Reading

Aktualitet

Vetëvrasja e nënës me tre fëmijët në lumë/ Karamuço hedh dyshime të forta: Bashkëshorti…

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karmauço, ngre një pikëpyetje për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku nëna me tre fëmijët e saj u mbytën në lumin Buna, pranë Drragjatit

Në një intervistë Karamuço , u shpreh se është e paqartë si Alma Arrazi është hedhur nga ura bashkë me fëmijët.

“Është një pikëpyetje shumë e madhe në hyrje te urës deri te vendi që fëmija edhe nëna janë hedhur, ka një pikëpyetje shumë të madhe se çfarë ka ndodhur. Dyshimi më i madh i policisë është që nëna ka hedhur fëmijët, pastaj veten, dy fëmijët edhe pastaj është hedhur së bashkë me djalin”

Sipas tij, deri tani nuk asnjë indicie që të çojënë një pistë të dytë, “që mund t’i ketë shtyrë njeri tjetër ose të ketë ndodhur diçka nën efektet e qetësuesve”.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendja e medias në përkeqësim të vazhdueshëm në Shqipëri, por autoritetet premtojnë përmirësim të sigurisë

Në Tiranë, veprimtarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e shtypit pohuan sot se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërsa siguria e gazetarëve po cënohet shpesh nga kërcënime dhe presione për shkak të punës.

Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka raportuar 10 raste ku është cënuar siguria e gazetarëve, punonjësve të medias dhe mediave në 4 muajt e parë të këtij viti, dhe 24 raste gjatë vitit të kaluar, ndërsa paditë gjyqësore ndaj gazetarëve në vitin 2023 u dyfishuan.

Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.

“Rastet që ne kemi monitoruar ndër vite tregojnë që pavarësisht se sulmet fizike, të drejtpërdrejta, nuk janë sistemike në Shqipëri, problem qëndron tek intimidimet, kërcënimet dhe tek presionet jo të drejtpërdrejta, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe intersave të fshehur ndërmjet politikës, pronarit të medias, shpesh herë edhe krimit të organizuar. Kjo krijon një situatë jo të sigurtë, dhe pamundëson gazetarinë e pavarur, cilësore dhe në interes të publikut”, thotë zonja Bino.

Një tryezë e gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, drejtësisë dhe diplomatë perëndimorë u zhvillua sot për të diskutuar mbi pasigurinë e gazetarëve në Shqipëri, ku siç u theksua aty, presionet i shtyjnë ata drejt vet-censurës dhe shtytjes për të mbrojtur interesat e pronarit më shumë se sa kodin e gazetarisë.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thotë për Zërin e Amerikës se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet në vazhdimësi, siç u theksua edhe në Raportin vjetor të organizatës Reporterë pa Kufij.

Ajo thotë se tani është koha që zyrtarët dhe politikanët në pushtet të zbatojnë ligjet, standartet që ekzistojnë në direktivat europiane për sigurinë dhe lirinë e shtypit, duke nisur me një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, krahas një dialogu më të madh me organizatat e shoqërisë civile.

“Siguria e gazetarëve në Shqipëri është shqetësim serioz. Gazetarët shahen, fyhen dhe nuk bëhet gati asgjë për t’i mbrojtur ata. Shpresoj shumë që së pari të ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve. Lehtësia e politikanëve në Shqipëri, që të shajnë dhe të ofendojnë secilin që i kritikojnë ata, është e patolerueshme dhe është e rrezikshme. Dhe e dyta duhet të ndalet ajo që njihet si metodologjia e kasetave. Të ndalen materialet e gatshme nga qeveria, partitë dhe bashkitë, gazetarët të lejohen të ndjekin veprimtari zyrtare, të bëhen konferenca shtypi normale, në mënyrë që gazetarët të bëjnë lirisht pyetjet që duan, të citojnë lirisht pushtetin, dhe të marrin të dhënat që interesohen”, tha zonja Kusari.

Në këtë tyrezë me median, ligjvënës dhe përfaqësues të ministrive që mbulojnë çështje të sigurisë, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky institucion po e rrit transparencën e vet përballë medias, po i nxit prokurorët të nisin hetime proaktive kur mësojnë për dhunë e kërcënime ndaj mediave, po shton punën dhe angazhimin për sigurinë e gazetarëve, duke i ftuar ata që të denoncojnë rastet e tyre me fakte sa më shpejt në mënyrë që të nisin hetimet, dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të forcuar mbrojtjen e tyre.

“Përgjatë vitit 2023 ne kemi patur vetëm 6 raste të denoncuara për dhunë ndaj gazetarëve. Duket se kemi një mospërputhje mes asaj që raportohet nga gazetarët dhe asaj për të cilën në fakt bëhet kallzim në organet ligjzbatuese. Këto kanë të bëjnë me vepra penale si goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, si dhe një rast për heqje të paligjshme të lirisë. Dy nga këto raste janë çuar për gjykim, një ngjarje në Fier dhe një në Lezhë. Edhe dy çështje të tjera këtë vit janë afër fazës të dërgimit për gjykim. Kjo tregon që ka një angazhim dhe çështjet merren seriozisht, përpiqemi të kryejmë hetime të shpejta. Duhet vlerësuar edhe konteksti në të cilin po diskutojmë sot. Jemi në një situatë aspak normale për prokurorinë, ku kemi shumë çështje që janë me përparësi dhe pa diskutim çështja e mbrojtjes së gazetarëve është ndër çështjet që duhet të jetë me përparësi”, tha zoti Çela.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Kristina Voko, shprehu shqetësim për faktin që tani po sulmohen vazhdimisht sidomos gazetarët që po raportojnë mbi proceset e e rëndësishme hetimore të hapura nga SPAK-u, ndaj gazetarëve që raportojnë mbi zhvillimet në parlament, si dhe ngritjen e komisionit kundër disinformimit.

Ajo theksoi që ndonëse në fillim kjo ide u mirëprit, si një ndihmë përballë sfidave të gazetarisë, por kjo ende nuk po shihet.

“Po shohim se ky komision në fillesat e tij po humbet fokusin nga ato rekomandime të vazhdueshme, që ne kemi nga raporte ndërkombëtare, siç është përafrimi me legjislacionin dhe direktivat europiane, detyrimi i vazhdueshëm që kemi për të adoptuar GDPR-në, detyrimi që do të kemi në vitet në vijim për të përafruar legjislacionin tonë në lidhje me Digital Service Act. Ai duhet të ketë në fokus edhe rekomandimet e vazhdueshme që vijnë për shembull edhe nga ODIHR-i, lidhur me rregullimin e propagandës përmes kasetave të gatshme, e ndikimit të partive politike në proceset editoriale të medias. Ftoj deputetët që ta nisin fillimisht punën nga ndotësit kryesorë të hapësirës së informimit, që kryesisht vijnë nga partitë politike, nga forca të huaja dhe që lidhen me procese demokratike siç janë proceset zgjedhore, dhe më pas të merren me rregullimin e platformave, e më pas të zgjerojmë diskutimin lidhur me rregullimin ose jo, se cilat janë metodat më të mira të vetërregullimit lidhur me mediat online”, tha zonja Voko.

Në tryezën mes gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve dhe diplomatëve u theksua po ashtu se një shqetësim me rëndësi për gazetarët mbeten edhe kushtet e punës dhe siguria ekonomike e tyre. Në vitin 2022 u raportuan vetëm 6 raste në Inspektoriatin e Punës, kundrejt 26 rasteve që u raportuan në 2023, pa harruar që shumë raste e sulme nuk raportohen, por ato sjellin kufizimin e vazhdueshëm të hapësirës për gazetari në shërbim të interesit të publikut.

Marrë nga VOA

Continue Reading

Aktualitet

Dhunohet 17-vjeçari në Spartë/ U rrëmbye dhe u torturua nga të afërmit e të dashurës vetëm se ishte shqiptar

Një 17-vjeçar Shqiptar ka përjetuar momente të paimagjinueshme kur është rrëmbyer nga të afërmit e të dashurës dhe më pas është rrahur për tre orë në Spartë. Sipas asaj që tha babai i të miturës për STAR, djali i tij ka pasur një flirt me një shoqe klase, por prindërit e saj nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare. 17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë kapur para nënës dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.

Gjithashtu në një moment të rrugës nga Areopolis ata ndaluan, e zbritën të riun nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës. Aty filloi një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Druri që ra ishte i pamëshirshëm, ku nëna e vajzës ia shkul flokët dhe i preu fytyrën sipas pretendimeve. Në fakt, nga goditjet e tij filloi t’i dilte gjak nga veshi, ndërsa, sipas avokatit, ai ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe ende nuk dihet nëse do të shërohet.

Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, ndërsa kapësit e lanë në një pikë ku lajmëruan nënën e tij për ta gjetur. Viktima është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike. Sipas njoftimit, babai i vajzës, i cili disa vite më parë kishte vrarë nënën e tij në Dyros, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa është në kërkim edhe nëna e vajzës e cila edhe ajo akuzohet për rrahjen që ka ushtruar tek djali.

Continue Reading

Aktualitet

Dyshohet se kanë kryer disa vjedhje, arrestohen tre shqiptarë në Itali

Autoritet italiane kanë arrestuar ditën e sotme tre shqiptarë. Mësohet se arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata dyshohet se ata janë përgjegjës për disa vjedhje në Tirolin në Itali. Arrestimet u kryen në bazë të një urdhër-arresti nga prokuroria publike e Bolzanos.

Mediat italiane bëjnë me dije se hetimi filloi në shkurt 2024 pas disa vjedhjeve në Tirolin e Jugut. Forcat e rendit kanë arritur të identifikojnë me shpejtësi autorët dhe të monitorojnë lëvizjet e tyre. Gjatë hetimeve janë dokumentuar gjithsej pesë vjedhje, mes të cilave edhe një grabitje e rëndë në Brunico më 18 prill të këtij viti.

Grupi kriminal përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe është i specializuar për vjedhje banesash gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës. Një anëtar i bandës, i konsideruar si një figurë qendrore, rekrutonte ndihmës të tjerë nga rajone të tjera të Italisë, veçanërisht nga Kampania. Ky grup përdorte makina me qira për të shkuar në Tirolin e Jugut dhe për të kryer vjedhjet.

Duke ndërmarrë veprime të shpejta, oficerët e zbatimit të ligjit shpresojnë të kenë parandaluar krime të mëtejshme. Kamerat e vëzhgimit përmenden si një mjet i rëndësishëm për kapjen e autorëve. Si rezultat, oficerët kanë arritur të dokumentojnë aktivitetet e të dyshuarve dhe t’i arrestojnë brenda pak muajsh.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING