Connect with us

Politike

Si është Kosova në sytë tuaj? Rama “nervozohet” me drejtuesen e panelit: Ky është kurth…

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ndodhet në Prishtinë në kuadër të 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Fillimisht Rama është pritur në Presidencë nga presidentja Vjosa Osmani.

Më tej, ai ishte pjesë e një Konference Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Rugova ishte politikani më atipik shqiptar, ndërsa duke cituar shkrimtarin Ismail Kadare, e quajti Rugovën si politikan pa pallat e pa komb.

Pas fjalës së mbajtur nga foltorja, Rama ka marrë edhe një pyetje nga drejtuesi i panelit, i cili e ka pyetur se si “Si është Kosova sot në sytë tuaj”.

Duket se një pyetje e tillë e ka “nervozuar” kreun e qeverisë shqiptare, i cili i është përgjigjur se kjo nuk është një pyetje, por një kurth.

Moderatorja e panelit: Si është Kosova sot në sytë tuaj? Kaq, e di që je konçiz, i shkurtë ndaj dhe pyetjen po e bëj të tillë…

Rama: “Kjo s’është pyetje, ky është kurth! Unë dua të shtoj vetëm diçka duke qenë se diskutimi në panel është më si të thuash në formë bisede, po dua të qëndroj të Ibrahim Rugova. Koha më e suksesshme e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si një subjekt edhe pse jo ende i njohur nga shumë shtete, si një shtet i pavarur, por si një subjekt në tryezë ka qenë koha e të ashtuquajturit ekip i unitetit. Dhe Ibrahim Rugova duke e parë me sytë e të sotmes, sepse e thashë edhe më parë që është një figurë që sa më shumë kalon koha, aq më shumë bëhet e madhe dhe duket e paarritshme,  nuk e shfrytëzoi personalitetin e tij ndërkombëtar, faktin që ishte njeriu, të cilit i hapeshin dyert si person, edhe kur për Kosovën ata që e prisnin, e dëgjonin për herë të parë ndoshta për të bërë politike të brendshme me politikën e jashtme.

Përkundrazi, në mënyrë shumë modeste u ul si një anëtar i një ekipi uniteti ku të gjithë ishin të barabartë dhe ajo ka qenë koha kur Kosova ka arritur suksesin e saj diplomatik dhe ka arritur ta mundi Serbinë në tavolinë. Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu.

Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë “macja me miun” në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Europian dhe për t’u afruar me ju.

Pastaj, se çfarë bën Serbia është puna e Serbisë, shkoni e merruni me Serbinë”, po ky konfrontimi “macja me miun” në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dale pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund dhe unë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar asnjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO, kërkon të hyjë në Bashkimin Europian me se çfarë bën e çfarë s’bën, e çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë.

Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar bashkë me të tjerët në komunitetin e shteteve dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme.

E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si “trimi i mirë me shokë shumë” dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur. Kështu që në këtë sens për t’iu përgjigjur pyetjes se si e shoh Kosovën sot, Kosova është shumë e bukur, Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbë kohë, duke vrapuar rreth vetes vet.

I ka të gjitha ato që i duhen, i ka të gjithë partnerët aleatët miqtë që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, ka të gjitha; thjesht dhe vetëm Kosova duhet. Kemi një shprehje ne në Shqipëri, nuk e di a e keni këtu, kur thonë ‘’duhet t’i tregojë targën’’, domethënë kur ikën makina përpara, se këtu flitet shumë për targa, duhet t’i tregojë targën Serbisë dhe të ikë përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë se në fund të fundit nuk mund të mbahet fati i Kosovës lidhur me interesat apo me pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet.

Ama një realitet demokratik, vibrant, i paqtë, një realitet që i përgjigjet vizionit të Ibrahim Rugovës në të përditshmen e Kosovës, do të ketë të gjithë energjinë pozitive për ta bërë të pamundur për më tutje, marrjen peng nga Serbia, ndërkohë që Kosova ka fituar luftën dhe që paqen e plotë mund ta arrijë, jo me mjetet e luftës po me facebook, por me mjetet demokratike evropiane”.

Advertisement