Connect with us

Aktualitet

Debati rreth gjuhës shqipe dhe rreziku i tensioneve etnike në Maqedoninë e Veriut

Heqja e gjuhës shqipe nga tabelat e sinjalistikës rrugore, rindezi debatet në Maqedoninë e Veriut. Përplasje mes partive shqiptare në opozitë dhe atyre në koalicionin qeverisës. Incidenti koincidon me shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese, në fillim të tetorit të shfuqizimit të tre neneve të gjuhës shqipe nga “Ligji për zbatimin e gjuhëve”. Rreziku i rizgjimit të tensioneve etnike.

Nga Ben Andoni

Pak ditë më parë, pothuajse në mesin e muajit shtator, udhëtarët e parë, që do të përshkonin udhën për në Kosovë nga Bllaca e Maqedonisë së Veriut u gjendën të shokuar kur panë se ishte hequr tabela e sinjalistikës rrugore, shkruar edhe me gjuhën shqipe. Mbrëmjen e së premtes të 13 Shtatorit tabela e shkruar “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” rezultonte tashmë në vetëm tre gjuhë: në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht.

Reagimi ishte i ashpër nga shqiptarët, kryesisht nga BDI, e cila nuk i kurseu sulmet ndaj kundërshtarëve të tyre të VLEN-it duke i cilësuar si të paaftë dhe shërbëtorë të VMRO-së, që po shkatërrojnë hapur arritjet kombëtare. “Aleanca për Shqiptarët” e Ziadin Selës ishte po në të njëjtën valë. Në fakt, reagimi i VLEN-it ishte i menjëhershëm dhe ata kërkuan hetime. Dhe, vërtetë, fill në fundjavë tabela ishte larguar dhe ishte rikthyer tabela e vjetër, ku figuronte edhe gjuha shqipe.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nuk i ka bishtnuar situatës por kuptohet se fajin e projektoi drejt opozitës. “Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, por se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve”. Ai foli për kriminelë politikë “të frikësuar nga hetimet që po afrojnë” e që për pasojë”reagojnë në këtë mënyrë, tentojnë ta destabilizojnë shtetin por, nuk kanë sukses“, tha me një ton cinik kryeministri Mickoski

Advertisement