Connect with us

Politike

Noka: Ka mbaruar ajo ditë kur ata bënin ç’të donin me opozitën

Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka folur para mediave pas ndërprerjes së mbledhjes së Sekretariatit të Etikës nga opozita. Gjatë fjalës së tij Noka akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, se e urrejnë opozitën. Noka tha se opozita nuk do të njohë asnjë vendim të Komisionit të Etikës, të cilat i konsideroi si vendime të “narkos”.

Ai më tej tha se kjo bandë hajdutësh dhe narkosi do të kenë opozitën përballë në datën 7, ora 18:00. Noka tha se e gjithë Shqipëria do të jetë në Tiranë për mosbindje civile.

“Mazhoranca të kërkojë me ngulm të mos ketë opozitë në parlament. Është unike dhe këtë e bëjnë vetëm regjimet narkos, Rama dhe zonja 5 mln euro e doganave e urrejnë opozitën, kanë tmerr opozitën. Ajo flaka e karrigeve i ka tmerruar, se shohin që gjuhët e asaj flake mund të lëpijnë diku nesër nga Surreli apo thasët e parave që kanë fshehur. Ata që kanë vjedhur pronën publike, ata që kanë vjedhur 10 mld euro në këto vite, qajnë me lot krokodili pasurinë e famshme publike të një karrigeje. Kjo është fytyra e këtij regjimi, narko, bandë hajdutësh. Mendojnë se me kërcënime të tilla mund ta intimidojnë opozitën. Ka mbaruar ajo ditë kur ata bënin ç’të donin me opozitën,” tha ai.

Advertisement