Connect with us

Aktualitet

Marrëveshja për emigrantët/ Si “Rama” u kthye në një fatkeqësi politike për Melonin

Një marrëveshje shumëmilionëshe  midis Italisë dhe Shqipërisë që synon frenimin e ardhjeve u prezantua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për të ndalur vrullin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e Bashkimit Europian. Qendra e ngritur në Shqipëri ishte ndërtuar për të pasur kapacitet deri në 300 emigrantë. Por duket se as von der Leyen dhe as kryeministrja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, nuk e kishin marrë parasysh ligjin ekzistues.

Vetëm një muaj pas hapjes së shumëpërfolur, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri dhe asnjë prej tyre nuk ka qëndruar më shumë se 2 ditë në kampin e Gjadrit. 5 kaluan më pak se 12 orë në qendrën e paraburgimit, ndërsa pjesa tjetër për pak më shumë se 48 orë. Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë të Gjykatës së Romës e konsideruan të paligjshëm dërgimin e tyre në Shqipëri. Kjo sepse vinin nga vende si Bangladeshi dhe Egjipti, që konsiderohen të sigurta nga Roma por jo nga Gjykata Europiane e Drejtësisë. Sipas këtij vendimi të marrë më 4 tetor, një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurtë, nëse i gjithë territori i këtij vendi nuk është i sigurtë.

Skema ka ndezur një përplasje mes qeverisë dhe gjyqësorit. Këta të fundit akuzohen se po e pengojnë qëllimisht projektin. Megjithatë, analistët thonë se Meloni dhe aleatët e saj e dinin që në fillim se ekzistonte rreziku që marrëveshja të mos funksiononte. Chiara Favilli, profesoreshë e së drejtës së Bashkimit Evropian në Universitetin e Firences, tha: Që nga viti 1993, disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme si ajo e Italisë dhe Shqipërisë, por gjithmonë janë refuzuar. Kjo sepse janë marrëveshje që janë të papajtueshme me disa norma themelore.

Muaj përpara nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, shumë OJQ, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet humane apo edhe e ligjshme. Thirrjet e tyre u injoruan. Mbështetësit këmbëngulën se skema ishte më humane sesa dërgimi i tyre mbrapsht në vendet e origjinës. Apo në vendet e Afrikës, siç ishte plani britanik për Ruandën.

Kundër duket se kanë dalë edhe qytetarët. Sipas një sondazhi të fundit, 55% e italianëve nuk janë dakord me marrëveshjen.

Besueshmëria e publikut tashmë është një rrezik i ri për qeverinë italiane që çështjen e emigracionit e kishte më të rëndësishmen në fushatë. Për më tepër që kjo skemë po kushton para nga buxheti i shtetit. Transporti përmes detit në një anije ushtarake italiane të vetëm 8 emigrantëve kushtoi 250,000 €, pra më shumë se 31,000 € për kokë.

Në këto kushte, qeveria italiane ka nisur sulmet ndaj gjyqësorit, duke sulmuar ata që nënshkruan marrëveshjen si “magjistratë të politizuar” dhe që për qëllimin kishin dobësimin e kufijve të Italisë. Në këtë çështje është futur edhe Elon Musk, i cili ka mbështetur mikeshën e tij, Meloni. Ai,në një postim në rrjetin social “X”, shkroi: Këta gjyqtarë duhet të shkarkohen!

Në një rast të paprecedentë, përgjigjen Musk ia dha presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.

“Italia di si të kujdeset për veten”.

Por këto sulme kanë pasur pasoja pasi javën e kaluar, policia forcoi mbrojtjen për Silvia Albanon, një nga gjashtë gjyqtaret që firmosi vendimin për rikthimin e emigrantëve të paligjshëm në Itali. Ajo ka marrë kërcënime me vdekje që nga marrja e vendimit./ZËRI

Marrë nga “TheGuardian

Advertisement