Connect with us

Aktualitet

Shifrat në dekadën e fundit/ Këto janë qytetet shqiptare me rekord familjesh të ikura jashtë vendit

Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona. Tirana, me emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, me humbjet më të mëdha të popullsisë. Kukësi ka normat më të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit. 53% e të ikurve janë me arsim të mesëm ose të lartë. Shumica, të rinj. Gati 60% e të ikurve rendisin varfërinë si arsye

Shqipëria është duke përjetuar zhvillime alarmante në humbjen e popullsisë, për shkak të emigracionit të lartë. Edhe pas tri dekadash nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë të larta, duke e vënë perspektivën e zhvillimit të vendit në një rrugë pa krye.

Shifrat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.

Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.

Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.

Që në fillim të viteve 1990, migracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij ekonomik, politik e shoqëror mbeten çështje thelbësore në Shqipëri. Shqipëria është mes vendeve kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e migracionit ndërkombëtar. Ndërkohë, kërkimi i azilit është një dukuri relativisht e re për vendin dhe ka nisur të raportohet në statistikat europiane që prej fillimit të udhëtimit pa viza në zonën e Schengen-it.

Nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2019, rreth 193 000 shtetas shqiptarë u regjistruan si azilkërkues për herë të parë në vendet e BE-së. Dukuria arriti pikën kulmore në vitin 2015, kur kërkuan azil rreth 67 000 shtetas shqiptarë, për t’u ulur më tej, si rezultat i procedurave të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesave të azilit, rregullave më rigoroze të migracionit dhe normave më të ulëta të pranimit. Përveç emigracionit jashtë, edhe 200 mijë persona kanë migruar brenda vendit.

GSH/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *