Connect with us

Shkrime

Arlind Qorri, një ‘Che Guevara’ në tentativë, por modern dhe jo misionar komunist

Nga Edmond Arizaj

Shqipëria udhëhiqet prej 12 vjetësh nga një bir komunisti dhe kryetarin e partisë më të madhe opozitare e ka ish-komunist, megjithatë akuzat më të rënda si komunist i merr Arlind Qorri, jo ata që votojnë Ramën dhe Berishën. Duket ka dhe tek Arlindi një tronditje, sepse ai është detyruar të dalë nga monopatet e së majtës të fortë, të ashpër, e herë-herë të dhunshme dhe të hyjë në rrugën e socialdemokracisë, e butë dhe e sigurtë.

Në fakt ai nuk ka lidhje me komunizmin e shëmtuar shqiptar, siç e akuzojnë, ka më shumë të dhënat e “Che”-së, Ernesto Guevarës së famshëm, revolucionarit të përjetshëm, militantit ideolog, që besonte seriozisht në barazinë mes klasave. Por mediokrit shqiptarë e kanë parë Arlindin me një foto të Marksit dhe tashmë e quajnë komunist, me konotacion negativ. Plaça unë në e dinë kush është Marksi!

Të akuzosh gjithë të rinjtë, pse kur ishin në rini, mbanin postera të ndryshëm sipas ideve, bindjeve, qejfeve e dëshirave të tyre, i bie që vetë si i ri maksimumi i qejfit dhe dëshirës ka qenë Syska dhe Bejka. Nuk po mbroj Arlindin, po akuzoj sulmonjësit e tij që e quajnë komunist duke u përpjekur ta fyejnë, teksa votojnë o Ramën, o Berishën. Ai është në fakt më shumë, është revolucionar. Të paktën në përpjekje.

Ai i përngjan “Che”-së. Idealist i zjarrtë, duke kërkuar barazi për njerëzit dhe nivelim të pasurisë. Derisa hyri në rrugën e qetë të socialdemokracisë, beteja dhe përplasja ishte mjeti i tij, ashtu si për “Che”-në ishte revolucioni. Edhe Arlindi në thellësi duket revolucionar në fakt, pavarësisht se duhet të mbulohet me basmanë e socialdemokracisë. Ai është ekstrem në idetë e tij dhe i pakompromis, pa shih, njësoj si “Che”. Arlindi në masë të vogël, sigurisht, por e ka pasur “qejf” ushtrimin e dhunës për të arritur të drejtën e pretenduar. Ndonjëherë kjo nuk është aspak e keqe. Dhe ja, porsi “Che” ai është intelektual, jo mjek sigurisht, por ama njësoj lexuesh librash “të sëmurë”, folës të zjarrtë. E një tjetër hallkë që po e vendosim në zinxhirin imagjinar që i lidh të dy, refuzimi i pasurisë. Vetëm se Arlindi nuk ka beretë.

Ai thotë se ka angazhuar dhjetëra vetë për programin e tij. Pra në ndryshim thelbësor nga “Che” nuk do të përdorë armët. Ai do të gjuajë oligarkët. Si?! Ky është një hendek që duhet mbushur. Si mund të gjuash njerëz që mbushin me taksa arkën e leckosur të një shteti të grabitur prej vitesh? Që kanë dhe vende pune? Pak problematike t’i gjesh zgjidhje të shpejtë, e pikësëpari duhet gjetur zgjidhja.

Por më pëlqen optimizmi i tij, sensi i humorit, këmbëngulja për përplasje me mediat pse nuk e ftojnë, dhe duke i bullizuar kështu, ka nisur të shfaqet pothuaj sa të tjerët, madje më shumë, që janë në Kuvend me deputetë. Skemë e shkëlqyer.

Le të flasim hapur dhe ta pranojmë: Ai është i vetmi me risi, jo vetëm në program. Arlind Qorri dha fjalën…dhe vini re…e mbajti. Tha dy vjet më parë që ai nuk do të ishte i pari në listën e Tiranës dhe nuk është. Imagjinoni: Rama vetëm sa tentoi të mos ishte në listë të sigurtë, sa shpërndau pak fjalë, e pastaj pak fjalë të tjera se shokët iu lutën dhe ai me shumë vështirësi vendosi të jetë i pari në listë, as pas ndonjë shoqeje psh. Nejse. Dhe tjetër, është i vetmi, absolutisht i vetmi, jo vetëm nga partitë e vjetra, por edhe nga të rejat, që pohon, (sa thjesht dhe sinqerisht madje!) se nëse “Bashkë” nuk përfaqësohet në Kuvend, ai do e quajë dështim total do të japë dorëheqjen dhe do të vazhdojë të jetë aktivist. Një shuplakë për PS që ka shekuj që s’bën zgjedhje në parti dhe një dajak për PD që bën zgjedhje vetëm nëse fiton Berisha.

Unë nuk do ta desha Arlindin në pushtet. Madje as që ta marrë pushtetin ndonjëherë. Më pëlqejnë idealet e revolucionarëve, por jo shtetformimet e tyre. Por do të parapëlqeja Arlindin në Kuvend së bashku me një pjesë të të ngjashmëve të tij. Dhe mundësisht të ishin pjesë e qeverisjes. Do ishin një çelës sigurie, kundër korrupsionit, oligarkisë e grabitjes së të mirës publike, e sidomos ndërtimit të institucioneve. Jo vetëm. Arlindi është orator dhe filozof, dhe parlamenti ka nevojë, ka shumë nevojë për të tillë. Ka nevojë për fjalë të zgjedhur, qoftë edhe të ashpër. Mos u trembni, Arlind Qorri nuk është misionar i komunizmit. Është një “Che” në tentativë. Është në kohën e duhur, sepse duhet pak ngjyrë e ndezur në politikën e zbërdhulur shqiptare.

Advertisement