Connect with us

Bota

29 vdekje nga uria në dy ditë në Gaza

TEL AVIV – Tepër vonë dhe tepër pak. Është e vërtetë që natën e së mërkurës, nëntëdhjetë kamionë të ngarkuar me ndihma të Kombeve të Bashkuara më në fund arritën të hynin në Gaza dhe të niseshin drejt qendrës dhe jugut të Rripit, të uritur nga bllokada e vendosur nga ushtria izraelite që më 2 mars. Por vetëm për dy ditët që kamionët u detyruan të ‘piqeshin’ në diell në pikën kufitare Kerem Shalom, të pafuqishëm të lëviznin nga frika e plaçkitjeve, 29 persona – fëmijë dhe të moshuar – vdiqën nga uria. Ata u shtohen 56 viktimave të tjera që kishin humbur jetën prej patologjive të lidhura me kequshqyerjen gjatë 80 ditëve të mëparshme të bllokadës.

Në një territor të shkatërruar nga bombardimet e vazhdueshme – të cilat dje shkaktuan edhe 52 të vrarë – dhe të përmbysur nga urdhrat e papritur të evakuimit (dje preken Sheikh Zayed, Salatin, Beit Lahiya e Jabalia, të gjitha qytete në veri që ushtria i ka shpallur “zonë të rrezikshme”), furnizimet, sipas Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, u shpërndanë vetëm pjesërisht. Për të shmangur kaosin, dorëzimet u kryen natën, konfirmon Jens Laerke, zëdhënës i agjencisë humanitare të OKB-së, OCHA: “Po përballemi me vështirësi të mëdha në shpërndarjen e ndihmave për shkak të rrezikut të plaçkitjeve dhe problemeve të koordinimit me autoritetet izraelite”. Megjithatë, disa rezerva mielli arritën në një numër të vogël furrash, të mbështetura nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP). Dje këto furra rifilluan prodhimin e bukës, duke ulur lehtësisht edhe çmimin që kishte arritur tashmë në 5 dollarë për një pite të vetme. “Por pas 80 ditësh bllokadë totale, familjet ende rrezikojnë urinë masive. Nevojiten shumë më tepër ndihma”, denoncon WFP-ja.

Apelin e përsërit edhe llogaria zyrtare e UNICEF-it në X: “Ajo që ka mbërritur është vetëm një pikë në oqean. Furnizimet që hyjnë nuk janë aspak të mjaftueshme. Dhe çfarë ka, vështirë arrin te ata që vërtet kanë nevojë. Po shterojnë rezervat. Po mbaron edhe koha për të shpëtuar fëmijë të tjerë”.

Ndërkohë, përveç dëshpërimit për mungesën e çdo lloj mjeti jetik, dje në Gaza u shtua tronditja për vendimin e Netanyahut që të tërheqë edhe stafin teknik nga negociatat në Doha. Shenjë se diplomacia është ngecur sërish dhe qeveria izraelite do të vazhdojë me operacionin agresiv “Qerret e Gedeonit”: pas bombardimeve përfshin edhe një pushtim tokësor. Lajmi për ndërprerjen e negociatave u prit me hutim edhe në Izrael, ku familjarët e pengjeve e quajtën “një vendim që na shkakton dhimbje të madhe. Ne nuk kemi privilegjin të heqim dorë nga më të dashurit tanë”. Përveç kësaj, edhe mbështetja për luftën po bie. Sipas një sondazhi të fundit të Israel Democracy Institute, 70 % e qytetarëve janë gati ta përfundojnë konfliktin në këmbim të lirimit të pengjeve. Tani vetëm 25 % dëshirojnë të vazhdojnë derisa Hamas të shkatërrohet plotësisht. Për herë të parë, sipas të njëjtit studim, rritet edhe një opozitë humanitare ndaj luftës, sidomos mes përfaqësuesve të qendrës së majtë: “Ka një zgjim. Jo i gjerë, por ndjehet”./La Repubblica

Advertisement