Shkrime
New York Times: A është ky fundi i regjimit të Ayatollahëve

Nën një qiell të trazuar nga bombardimet izraelite dhe në një Teheran që lëngon mes frikës, zhurmës dhe pasigurisë, regjimi islamik i Iranit duket më i brishtë se kurrë më parë. Për herë të parë në dekada, Republika Islamike nuk është thjesht e gërryer nga brenda, por po sfidohet edhe nga jashtë. Një regjim që për 46 vjet është mbajtur në këmbë përmes frikës, propagandës dhe represionit, sot përballet me shenjat e qarta të kalbëzimit. A është ky fillimi i fundit për ayatollahët, apo vetëm një stuhi tjetër që do të kalojë?
Një autokrat 86-vjeçar, Ayatollah Ali Khamenei, sundon këtë komb të trazuar, ashtu siç ka bërë për 36 vite, në rolin e tij si rojtar i revolucionit, një mision konservator në të cilin ai është treguar i aftë. Udhëheqësi suprem nuk është kumarxhi. Por sistemi i tij, i largët nga një shoqëri e re dhe plot aspirata, duket i kalbur dhe i stërvjetëruar për shumëkënd, dhe ai tani është me shpinë pas murit.
Gjatë gjashtë ditëve të luftimeve, Izraeli ka goditur impiantin e pasurimit të uraniumit të Natanz-it, ku prodhohet shumica e karburantit bërthamor të Iranit, ka vrarë të paktën 11 nga gjeneralët më të lartë të regjimit dhe disa shkencëtarë bërthamorë, ka bombarduar objekte të naftës dhe energjisë, ka marrë kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore iraniane, dhe ka detyruar dhjetëra mijëra njerëz të ikin nga Teherani.
Të paktën 224 persona janë vrarë në gjithë Iranin deri të dielën, shumica prej tyre civilë, tha një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit. Por shifra me siguri ka vazhduar të rritet me përparimin e bombardimeve izraelite në ditët që pasuan. Raketat iraniane kanë vrarë të paktën 24 izraelitë.
“Republika Islamike është një dhëmb i kalbur që pret të hiqet, si Bashkimi Sovjetik në vitet e fundit të tij,” tha Karim Sadjadpour, një ekspert i Iranit në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare në Uashington. “Khamenei është në situatën më të vështirë që ka përjetuar ndonjëherë.”
Megjithatë, ajatollahu ka përballuar kërcënime ndaj pushtetit të tij më parë, dhe ka mbijetuar me epërsinë e tij të paprekur. Në vitin 2009, kur miliona njerëz dolën në rrugët e Teheranit për të protestuar për atë që shihej si një zgjedhje presidenciale e vjedhur, banditë të licencuar nga shteti rrihnin vazhdimisht gra të guximshme që kërkonin dinjitet dhe liri. Për disa ditë, e ardhmja e regjimit qëndronte mbi një teh thike. Por me egërsi të plotë ai mbijetoi. Shumë protestues u tërhoqën zvarrë për t’u torturuar, përdhunuar dhe, në rastin e disa qindra prej tyre, vrarë.
Nëse vështirësia aktuale me të cilën përballet regjimi iranian do të çojë në rënien e tij, mbetet për t’u parë. Thirrje të izoluara “Vdekje Khameneit” ngrihen në qiellin e natës, por protestat popullore janë të pamundura nën bombat, dhe gjithmonë të rrezikshme nën grushtin e hekurt të qeverisë. Nuk ka udhëheqës të qartë për të drejtuar një tranzicion politik për të njëjtën arsye.
(Tymi që ngrihet lart pas një sulmi izraelit, siç shihet nga Teherani, të mërkurën)
Ajatollahu Khamenei mbetet sfidues. Ai iu përgjigj të mërkurën kërcënimit për jetën e tij nga Presidenti Trump dhe thirrjes për “dorëzim të pakushtëzuar” duke thënë se “Irani qëndron fort përballë luftës së imponuar, ashtu siç do të qëndrojë fort kundër paqes së imponuar, dhe nuk do t’i nënshtrohet asnjë imponimi.”
Këto ishin fjalë tipike të një kombi krenar që u ngrit kundër Perëndimit pothuajse një gjysmë shekulli më parë përmes revolucionit të Ajatollah Ruhollah Khomeinit, duke rrëzuar Shahun dhe duke vendosur si refrenin e tij javor thirrjen: “Vdekje Amerikës”.
Por kryengritja kurrë nuk solli lirinë që kishte premtuar. Frustrimi u rrit, qoftë për shamitë e imponuara mbi gratë që nuk donin t’i mbanin ato, apo edhe për shkak të keqmenaxhimit kronik dhe paralizues.
Prodhimi i brendshëm bruto i Iranit, ose prodhimi total, ka rënë me 45 për qind që nga viti 2012, dhe shumë njerëz janë të dëshpëruar. Sanksionet ndërkombëtare shkatërruese mbi programin bërthamor kontribuan në këtë spirale rënëse, por po ashtu edhe korrupsioni, një program privatizimi i dështuar dhe kompanitë shtetërore të fryra. Irani arriti një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të administratës Obama, por Trump e grisi atë në mandatin e tij të parë.
“Mesazhi i vetëm që populli iranian dëshiron të përcjellë është se pasi është bërë gjithë kjo dhe është shkaktuar ky lloj shkatërrimi, sigurohuni që fundi i kësaj (situate) të jetë se regjimi i tmerrshëm të zhduket,” tha një biznesmen iranian që jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili kërkoi anonimitet për shkak të zakonit të Republikës Islamike për të burgosur kundërshtarët e saj.
Në të njëjtën kohë, ndërsa bombardimet izraelite vazhdojnë, ka shenja të një ngritjeje patriotike edhe mes kundërshtarëve të regjimit që kanë kaluar kohë në burg. Për disa, cenueshmëria e treguar tashmë e Iranit është dëshmi e nevojës së tij për një bombë bërthamore, si ajo e Koresë së Veriut, për t’u mbrojtur. Në lagjen e Iranit, Pakistani, India, Rusia dhe Izraeli të gjithë kanë bomba bërthamore.
“Edhe nëse jemi pjesë e opozitës, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj një pushtimi të atdheut tonë,” shkroi Saddagh Zibakalm në një gazetë iraniane. Zibakalm është një profesor i shkencave politike i cili në mënyrë të dallueshme refuzoi të shkelte flamujt e SHBA-së dhe Izraelit në një universitet në Mashhad në vitin 2016. “Nuk mund të qëndrojmë në heshtje, apo më keq, të mbështesim agresorin.”
(Një demonstratë në Teheran kundër sulmeve izraelite ndaj Iranit të shtunën)
Kur Izraeli bombardoi selinë e televizionit shtetëror të Iranit të hënën, duke bërë që spikerja me çador (çarçaf i zi tradicional iranian) të ndërpriste papritur tiradën e saj kundër “sulmit të agresorit mbi tokën e kombit” dhe “mbi drejtësinë dhe të vërtetën”, reagimi ishte i përzier.
Disa iranianë u gëzuan kur panë një grua me veshje që shumë gra iraniane e refuzojnë të nxitonte për të gjetur strehë, ndërsa burimi i shumëurrejtur i propagandës së pamëshirshme të Republikës Islamike u mbyll me një bum të fortë. Të tjerë ndiheshin të përçarë.
“Mallkuar qoftë Izraeli! Nuk mund ta besoj që po shkruaj në mbështetje të transmetuesit shtetëror,” shkroi në rrjete sociale Hossein Dehbashi, një autor dhe historian që u dënua me gjashtë muaj burg në vitin 2022 për pretendimin se djali i Ajatollah Khomeinit kishte vdekur nga mbidoza e drogës.
Ishte ndoshta e pashmangshme, duke pasur parasysh që një shumicë e qartë e popullsisë prej 92 milionësh të Iranit kundërshton regjimin e mullahëve, sipas vlerësimeve të zotit Sadjadpour dhe vëzhguesve të tjerë, që fushata ushtarake gjashtëditore e Izraelit të zgjerohej në përmasë.
Bombardimi, siç e përshkroi Benjamin Netanjahu, kryeministri izraelit, filloi si një “veprim parandalues” për të ndaluar Iranin nga përdorimi i uraniumit të pasuruar për të nxitur drejt krijimit të një bombe atomike. Por ky mision i kufizuar tashmë duket se është zëvendësuar nga diçka më e gjerë.
Gjithmonë lindte një pyetje thelbësore: Çfarë do ta ndalonte regjimin, nëse ai mbijeton, nga të vërtiturit e centrifugave dhe rikthimi në pasurimin e uraniumit? Edhe pse programi bërthamor nuk ka prodhuar kurrë një bombë, por vetëm pak energji me kosto astronomike, ai ka qenë simboli më i fuqishëm nacionalist i mullahëve, njëlloj si nacionalizimi i industrisë së naftës së Iranit në vitin 1951. Ky lloj nacionalizimi sfidues ishte arsyeja pse britanikët u zemëruan, sepse kompanitë e naftës të tyre u prekën, dhe çuan në një grusht shteti të orkestruar nga CIA dhe inteligjenca britanike në vitin 1953.
(Makinat në radhë për benzinë pas sulmeve ajrore izraelite në Teheran të hënën)
Ekzistojnë arsye të thella historike, përfshirë edhe grushtin e shtetit, për ndjeshmërinë ekstreme të Iranit ndaj ndërhyrjes së huaj, ashtu siç ekzistojnë rrënjë të thella për kërkimin e tij për liri përmes një forme të qeverisjes përfaqësuese, që filloi në vitin 1905 me një kryengritje kundër dinastisë Qajar, e nxitur nga kërkesa për një kushtetutë.
Tani Donald Trump flet për “një fund, një fund të vërtetë, jo një armëpushim, një fund të vërtetë” dhe Netanyahu nuk e ka fshehur shumë objektivin e tij përfundimtar. “Kemi indikacione se udhëheqës të lartë në Iran janë tashmë duke bërë gati valixhet,” tha ai. “Ata e ndiejnë se çfarë po vjen.”
Megjithatë, nuk ka asnjë provë se ata udhëheqës që janë ende gjallë i kanë bërë gati valixhet, dhe mbetet e paqartë mënyra se si bombardimi izraelit mund të përfundojë me varrosjen e Republikës Islamike.
Sigurisht, përmbysja e Republikës Islamike mund të prodhojë kaos. Historia e afërt, në Irak në vitin 2003 dhe në Libi në vitin 2011, e despotëve të rrëzuar përmes ndërhyrjes ushtarake perëndimore përbën një tregim paralajmërues.
Presidenti Vladimir Putin i Rusisë me siguri do të tregonte pa pushim hipokrizinë perëndimore në lidhje me luftën e tij në Ukrainë, nëse Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara përdorin forcën për të rrëzuar regjimin në Iran.
Që tani fuqitë perëndimore, edhe ato si Franca dhe Gjermania që zakonisht veprojnë në një vijë, janë të ndara në lidhje me mënyrën se si të veprojnë më tej. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të martën: “Kjo është puna e pistë që Izraeli po bën për të gjithë ne.”
(Presidenti Trump dhe udhëheqës të tjerë të G7 në Kananaskis, Alberta, të hënën)
Duke folur për transmetuesin gjerman ZDF, Merz shtoi se “ky regjim i mullahëve ka sjellë vdekje dhe shkatërrim në botë” dhe “vështirë se mund ta imagjinoj që regjimi i mullahëve të kthehet në funksionet e tij të vjetra.”
Presidenti Emmanuel Macron i Francës mbajti një ton shumë më të kujdesshëm. “Mendoj se gabimi më i madh sot do të ishte të kërkohej ndërrimi i regjimit në Iran me mjete ushtarake,” tha ai të martën. “Sepse kjo do të nënkuptonte kaos.”
Do të ishte e pamatur të nënvlerësohej vendosmëria e Republikës Islamike për të mbijetuar dhe deri ku mund të shkojë ky regjim në ndjekje të këtij qëllimi.
“Republika Islamike është e poshtëruar ndodhet në një vend ku nuk ka qenë ndonjëherë më parë,” tha Vali Nasr, ish-dekan i Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins. “Por ajo mund të mbijetojë mjaftueshëm gjatë për të lodhur Izraelin dhe për ta futur Shtetet e Bashkuara në diçka që nuk e dëshirojnë.”
Një gjë është e sigurt: nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen në luftë, kjo nuk do të harrohet kurrë në Teheran. Ndërhyrja amerikane do të bëhet pjesë e një psikozë të thellë amerikano-iraniane. Elementët e saj tashmë përfshijnë një grusht shteti anti-demokratik në Iran nga agjentë amerikanë, një revolucion teokratik iranian anti-perëndimor, krizën e pengjeve amerikane nga viti 1979 deri në vitin 1981, rrëzimin nga amerikanët të fluturimit 655 të Iran Air në vitin 1988 me 290 persona në bord, dhe një luftë ideologjike që ka vazhduar që nga Revolucioni Iranian i vitit 1979.
Kjo është shumë histori e hidhur, por një nga mësimet e historisë është se makthet përfundojnë. Pothuajse askush nuk parashikoi rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. “Republika Islamike është një regjim zombi,” tha z.Sadjadpour. “Ajo ushqehet nga kaosi dhe ka përhapur kaos për një kohë të gjatë, por është e sëmurë në mënyrë terminale, edhe nëse qëndron ende në këmbë.”

