Connect with us

Sport

Botërori i Klubeve/ PSG turpëron 4-0 Real Madridin, francezët gjejnë Chelsean në finale! Modric luan aktin e fundit me ‘Galaktikët’

Paris Saint Germain ka dhuruar spektakël të vërtetë në gjysmëfinalen e luajtur kundër Real Madrid, teksa fitoi bindshëm 4-0 duke siguruar biletën për finalen e madhe të së dielës, ku do të përballet me Chelsean në Kupën e Botës për Klube.

Skuadra franceze e nisi ndeshjen në mënyrë të furishme dhe zhbllokoi rezultatin që në minutën e 6-të, kur Fabian Ruiz përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtësit madrilen Raul Asencio dhe e dërgoi topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë, një tjetër gafë, këtë herë nga Antonio Rudiger, i dha mundësinë Ousmane Dembele të dyfishojë shifrat, duke e bërë startin e PSG-së thuajse të përsosur.

Për të mbyllur një pjesë të parë dominuese, parizienët goditën sërish në minutën e 23-të me një kundërsulm të shpejtë. Achraf Hakimi asistoi saktë për Fabian Ruiz, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për ekipin. Me këtë avantazh të thellë, PSG shkoi në pushim me rezultatin 3-0

Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm dhe ndonëse trajneri Xabi Alonso bëri disa zëvendësime për të rigjallëruar skuadrën madrilene, asgjë nuk ndryshoi në ecurinë e lojës. Në minutën e 87-të, Bradley Barcola bëri një depërtim të shkëlqyer dhe asistoi për Goncalo Ramos, i cili vulosi fitoren 4-0 me një festim që i kujtoi të gjithëve Diego Jotën. Te Real Madrid, Luka Modric luajti ndeshjen e fundit me ‘Galaktikët’.

Me këtë rezultat të thellë, PSG siguron finalen e madhe ku do të përballet me Chelsean, në një duel që zhvillohet të diel në orën 21:00 në ‘MetLife Stadium’ në New York.

 

Advertisement