Connect with us

Shkrime

Viktimë e asaj që gatuan/ Fund tragjikomik për nismën që do të bënte Shqipërinë

Nga Arbër Kaceli

Ai që nisi si një eksperiment i guximshëm për të sfiduar listat e mbyllura nga dy prej zërave më të njohur anti-establishment në Shqipëri, është shndërruar në një përplasje të shëmtuar publike, duke nxjerrë në pah sa i brishtë mund të jetë premtimi për idealizma në një sistem që është krijuar pikërisht për t’i zhbërë ato.

Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, dikur të bashkuar deri në kufijtë e besëlidhjes në sfidimin e listave të mbyllura, befasuan opinionin publik në fillim të këtij viti kur krijuan një koalicion me synimin për të zhbërë në mënyrë simbolike Kodin Zgjedhor për lista gjysëm të myllura e gjysëm të hapura. Duke futur kandidatë fiktivë në listat e mbyllura dhe duke u zotuar publikisht se do t’i dorëzonin mandatet për të favorizuar konkurrencën e hapur, ata synuan të ekspozonin natyrën anti-demokratike të Kodit Zgjedhor, për të cilin bënin përgjegjës Edi Ramën dhe Sali Berishën. Kjo nuk tregonte vetëm guxim, por edhe politikisht llogaritej që i jepte pikë dy zërave më të zhurmshëm pro garës së hapur për deputetë.

Por tani, ndërsa ka ardhur momenti për të përmbushur këto premtime dhe për të djegur mandatet, aleanca shkoi sa hap e mbyll sytë nga një pishtar morali politik në tablo meksine prej politikanësh infantilë që çirren për një karrige deputeti.

Edhe pse morën 64 mijë vota në zgjedhje duke u renditur të tretët, “Nisma Shqipëria Bëhet” materializoi vetëm një mandat në Qarkun e Tiranës. Lapaj, Shabani dhe personazhe të tjerë të koalicionit ishin renditur tek lista e hapur për të promovuar garën mes njëri-tjetrit. Qëllimi ishte meritokracia. Ai që merrte më shumë vota do ta merrte mandatin. Dhe nuk pati surpriza, Lapaj dominoi mbi të gjithë.

Por çfarë ndodhi?

Në qendër të ngërçit që po vdes koalicionin ndodhet Zeqir Kordhoni, i njohur si daja i Endri Shabanit, edhe pse burime për Lapsi.al konfirmojnë se ai nuk është ekzaktësisht daja, por kushëri i afërt.

Ndërsa prej disa ditësh u raportua në media se Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listë të mbyllur në Tiranë, po kundërshtonte dorëheqjen nga mandati, ditën e sotme doli një shkresë zyrtare që dëshmoi se ishte pika që derdhi gotën.

Në një letër drejtuar KQZ një ditë më parë, Kordhoni kërkon që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues. Kordhoni i thotë kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që të injorojë çdo deklaratë tjetër të bërë nga Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në emër të tij.

Reagimi i Adriatik Lapajt ishte i flaktë. Avokati i kthyer politikan e sulmoi hapur bashkdrejtuesin e koalicionit, Endri Shabanin.

Adriatik Lapaj nuk ka as edhe më të voglin dyshim. Njeriu që po i luan fijet nga pas, dhe ai që po e flak jashtë Kuvendit është pikërisht Endri Shabani, doktori i shkencave që për meritokracinë vinte dorën në zjarr, nga mëngjesi në darkë.

Dhe Lapaj nuk do të hapë rrugë. Ai thekson se Shabani me Kordhonin nuk do të marrin asnjë mandat. Kjo me siguri sepse edhe ai e ka ndonjë të besuar sipër në listë, të cilin mund ta përdorë që ti bllokojë mandatin partnerit të tij në koalicion.

Endri Shabani nuk vonoi ti përgjigjej. Por ndryshe nga qëndrimet e zakonshme publike të tij, kësaj radhe deklarata e parë që bëri nuk kishte substancë.

I vënë përballë akuzës se po shkel mbi të vetmin besim, që ia kishte formuar shkollimi në Oksford, Shabani bën një reagim ironik në Facebook.

Por një doktor shkencash i shkolluar në Perëndim sigurisht që duhej të dinte të bënte më mirë se kaq. Pas dy orësh reflektimi, Shabani bëri një tjetër deklaratë. Argumentet janë të dobëta. Tani ironisë ia zunë vendin akuzat. Adriatik Lapaj u kthye nga aleat besnik në një “këlysh të ri” politik.

Reagimi ka tre pika kryesore.

E para sipas Shabanit, mandati i koalicionit nuk ka qenë kurrë i Lapajt.

“Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë. Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështuqë në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë!”

Së dyti, Shabani thotë se Adriatik Lapaj nuk mbajti fjalën kur tha se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, nuk do të ishtë ai që do ta merrte.

“Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin. Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.”

E treta, Endri Shabani i fut Lapajt një goditje nën brez duke i përmendur vjehrrin, me të cilin është akuzuar për zhvatje pronash në jug të Shqipërisë. Shabani thotë edhe se kushëriri i tij, Zeqir Kordhoni është kërcënuar me jetën e fëmijëve.

“E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjerrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?

Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri u përball me kërcenime ndaj fëmijëve të tij, vendosi të mos kthehej mbrapsh.” – shkruan Shabani.

Megjithatë, kreu i Nismës Thurje nuk do të ketë në duart e tij gjakun e Adriatik Lapajt. Përgjegjësinë ia lë kushëririt.

“Të jem i sinqertë, unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them” – shkruan Shabani, ndërsa i vendos dhe kapaun.

“Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur” – përmbyll Endri Shabani përgjigjen e tij ndaj Adriatik Lapajt.

Por kush po i tall ato 64 mijë votues që iu besuan të dyve, Adriatik Lapaj apo Endri Shabani?

Si në çdo marrëdhënie tjetër problematike, përgjithësisht faji ndahet mes të dyve.

Ishte vetë Lapaj ai që bëri një hap fals.

Megjithatë, Endri Shabani e amnistoi ortakun e tij në koalicion.

“Është premtim personal i Adriatikut. Ne i qëndrojmë marrëveshjes së koalicionit” – deklaroi Shabani në një lidhje live në një studio televizive, teksa numërimi i votave po shkonte drejt përfundimit. Pra Shabani ritheksonte se nëse Lapaj finalizohej si më i votuari, mandati i takonte atij.

Dielli duket që në mëngjes

Ka gabime në politikë, por ka edhe gafa. Të parat zakonisht i shpëtojnë vëzhguesit të pavëmendshëm. Të dytat shkojnë përtej… Bëhen meme, i dedikohen emisione mëngjesi, diskutohen edhe kafeneve të zakonshme të qyteteve. Instagrami dhe TikTok-u gëlojnë me kritika e gallata ndaj gafave politike.

Dhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” pësoi një goditje të madhe me propozimin e saj anti-lista të mbyllura.

Në media rodhi vendimi i koalicionit që listën e kandidatëve për deputetë në Berat ta kryesonte babai i Adriatik Lapajt.

Më pas dolën lajme se edhe Endri Shabani kishte mbushur listat me të afërm të tij. Rasti më domethënës ishte partnerja e tij, e vënë në listën e mbyllur të Tiranës.

Nisma e tyre ishte katastrofike. Reagimi ishte i menjëhershëm. Kjo ishte një gafë politike e gatuar nga vetë koalicioni, edhe pse ridikulizimi publik u sponsorizua ndjeshëm nga kundërshtarët e shumtë të Lapajt e Shabanit.

Shefat e koalicionit nuk ishin kujdesur ta qartësonin mirë arsyen pse e kishin bërë këtë manovër. Babai i Adriatik Lapajt u tërhoq nga lista, partnerja e Endri Shabanit jo. Megjithatë dëmi ishte bërë.

Abetarja e Marrëdhënieve me Publikun (PR) është menaxhimi i krizave. Kur je përballë një krize, suksesi në menaxhimin e saj varet nga shpejtësia e përgjigjes dhe qartësia më maksimale e mundshme e saj.

Këtu ishte Lapaj ai që i hodhi benzinë zjarrit. Ai reagoi shpejt, por reagimi çedonte nga etika. Nga një makinë në ecje, timonin e së cilës e mbante Pano Soko (pjesë e koalicionit), Adriatik Lapaj dhe shoferi në makinë turfulluan në ofendime.

Ky nuk ishte gabim politik. Kjo ishte gafë politike. Propozimi për të vendosur famlijarë në lista nuk duhet të kishte rrjedhur në media, duhet të ishte sqaruar mirë nga krerët e koalicionit. Megjithatë, edhe pse kriza plasi, menaxhimi i saj duhet të ishte perfekt. Kjo përgjigje jo vetëm nuk ishte e qartë, por më shumë shpërfaqte një dehje të lehtë delirizmi të dy politikanëve të rinj të koalicionit.

Ky ishte shembulli i parë se boshti Lapaj-Shabani kishte një mungesë të theksuar pjekurie që politika e do si njeriu-oksigjenin.

Gafa e dytë ishte negociimi i dështuar me ish-deputetin demokrat, Dashnor Sula. I përzënë nga Sali Berisha, Dashnor Sula gjeti shpejt gjuhën me “Nismën Shqipëria Bëhet”.

Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani e futën menjëherë në listën e kandidatëve në Elbasan.

Problemi qëndronte se ata të dy ishin flamurtarë të politikanëve të rinj. Ishin armiqtë më të thekur të klasës së vjetër politike. Por kur njëri prej kësaj klase politike iu afrua, ata i hapën krahët menjëherë.

Edhe kjo ngjarje, fill para se të dorëzoheshin listat një muaj para zgjedhjeve, ishte një katastrofë PR-i për koalicionin. Afrimi i Dashnor Sulës tregoi qartazi se çifti Lapaj-Shabani, në testin e parë që patën, vendosën sipër parimit interesin.

Edhe pse me disa gafa, Adriatik Lapaj tregoi se kishte një lëkurë të fortë politike. “Nisma Shqipëria Bëhet” si makineri elektorale performoi mirë. Rezultati që morën në zgjedhje ishte i paprecedentë.

Por siç thotë edhe shprehja e urtë: “Dielli duket që në mëngjes”. Boshti Lapaj-Shabani nuk çedoi si makineri elektorale, por moralisht. Sinjalet për papjekuri dhe mungesë morali politik u dhanë që kur situata u nxeh para zgjedhjeve.

Për vëzhguesin e kujdesshëm të politikës, ishte e qartë se nga kampi i Shqipërisë Bëhet kishte qetësi, por ajo do të kthehej në një furtunë pa kaluar gjatë.

Sisteme apo individë?

Formacionet politike bashkohen rreth kauzave dhe besimeve të përbashkëta. “Nisma Shqipëria Bëhet” provoi se ishte një bashkim mekanik me qëllim oportunist. Prova për këtë ishte ajo që ndodhi me shembjen e koalicionit. Nga vllazëri publike, çifti drejtues kaloi në armiqësi vëllavrasëse.

Koalicioni u shemb si kala rëre. Mandati nuk dihet kujt do ti shkojë. A ka ndonjë të besuar Lapaj që do ta bllokojnë dajën e Endri Shabanit? A do ta marrë daja i Shabanit mandatin që i takon Adriatikut? Po meritokracia ku mbeti?

Ka një arsye pse sistemet ekzistojnë, qofshin të formëzuara në organizime të vogla komunitare, qofshin në rang shtetëror. Sado të këqija të jenë, sistemet funksionojnë si garanci ndaj vullnetit të pankontrolluar të individëve. Sistemet ekzistojnë pikërisht sepse njerëzit nuk janë gjithmonë të drejtë, të qëndrueshëm apo të besueshëm.

Sado i padrejtë të ishte kodi zgjedhor shqiptar me lista gjysëm të mbyllura dhe gjysëm të hapura, ai është një sistem që garanton përfundim të qartë. Nëse Lapaj apo Shabani do të ishte i pari i listës së mbyllur, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur.

Mandati do të ishte produkt i negociatave mes partnerëve kur negocionin koalicionin. Por Lapaj dhe Shabani e sfiduan sistemin dhe ranë viktimë e sfidës që gatuan vetë.

Në thelb, kjo histori nuk është thjesht një përplasje mes dy individësh, por një dëshmi tragjikomike e kufijve të idealizmit fals kur përplaset me realitetin e pushtetit dhe natyrën e njeriut që pushtetin e ka qëllim dhe jo mjet.

Advertisement