Bota
Italianët i frikësohen luftës/ Sondazhi: 1 në 3 persona besojnë se do të ndodhë brenda 5 vitesh

Një studim i publikuar këtë fundjave nga Qendra për Studime të Investimeve Sociale në Itali tregoi se pothuajse një në tre Italianë beson se vendi I tyre do të përfshihet drejtëpërdrejt në një luftë brenda 5 viteve të ardhshme. Megjithatë vetëm 16% e popullsisë që janë në moshë për të luftuar thonë se do të ishin të gatshëm të merrnin armët dhe të shkonin në front.
Sipas sondazhit, 39% e italianëve të moshës 18 deri në 45 vjeç do të deklaroheshin si kundërshtarë të ndërgjegjes për të luftuar apo e thënë ndryshe pacifist, 19% do të përpiqeshin të shmangnin rekrutimin në mënyra të tjera, ndërsa 26% do të preferonin që Italia të punësonte mercenarë të huaj në vend të mobilizimit të brendshëm.
Në sfondin e tensioneve të rritura gjeopolitike dhe dy luftërave të vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme Italia i është bashkuar aleatëve të NATO-s në premtimin për rritjen e shpenzimeve ushtarake. Por, shumica e italianëve mbeten skeptikë ndaj armatosjes.
Vetëm 26% besojnë se parandalimi ushtarak është mënyra më e mirë për të ruajtur paqen, dhe po aq janë dakord me rritjen e buxhetit të mbrojtjes edhe nëse kjo nënkupton shkurtime në mirëqenie. Vetëm 11% e popullsisë do të donin që Italia të kishte armë bërthamore.
Pavarësisht një rritjeje prej 46% të shpenzimeve për mbrojtjen gjatë dekadës së fundit, shpenzimet për frymë në Itali mbeten të ulëta – vetëm 586 dollarë për person, krahasuar me 686 në Greqi dhe mbi 2,000 dollarë në vende si SHBA apo Norvegjia. Për të garantuar sigurinë e Italisë, 49% e të anketuarve janë në favor të forcimit të NATO-s, ndërsa 58% mbështesin krijimin e një sistemi të mbrojtjes së përbashkët evropian me një ushtri unike, komandë të integruar dhe blerje të përbashkëta të armëve. Një sondazh tjetër, i publikuar muajin e kaluar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), tregoi se vetëm 17% e italianëve mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen – përqindja më e ulët mes 12 vendeve evropiane të anketuara.

