Connect with us

Kosova

Kisha dhe Vuçiç/ Rajoni Ballkanit i mbërthyer në një cikël krizash që po thellohen

Në Kosovë kanë kaluar mbi 200 ditë nga zgjedhjet, por institucionet nuk janë konstituuar. Përplasjet politike e kanë lënë Kuvendin pa nënkryetar serb, ndërsa vendi prej vitesh gjendet edhe nën masa ndëshkuese të BE-së, i bllokuar në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe shpesh në qendër të kritikave për një qasje të perceptuar si të pakoordinuar.

Në Mal të Zi, në pushtet janë partitë proserbe dhe proruse. Bashkë me Kishën Ortodokse Serbe, ushqejnë përçarjet etnike dhe kërkojnë lidhje më të ngushta me Serbinë.

Por, situata është akoma më e nxehtë në Bosnje e Hercegovinë, ku lideri serb, Millorad Dodik, sfidon hapur autoritetin e shtetit, duke injoruar vendimin e gjykatës që i ka hequr mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.

Me rritjen e zemërimit në rrugët e Serbisë, reagimi i regjimit të Vuçiçit u bë më drakonian. Pa asnjë provë, ai akuzoi ‘agjitatorët e huaj’ për përpjekje për revolucion dhe nisi një goditje të ashpër ndaj organizatave të shoqërisë civile me fonde nga jashtë, ndërsa turmat e orkestruara sulmuan protestuesit.

Në vitin 1998, autokrati jugosllav, Sllobodan Millosheviq, e emëroi Vuçiçin ministër të Informimit. Në këtë rol, ai zbatonte disa nga ligjet më kufizuese në Evropë kundër lirisë së shprehjes.

Gati tri dekada më vonë, Vuçiç kontrollon gjithçka në Serbi – nga mediat te gjyqësori, nga marrëveshjet për infrastrukturë deri tek ato për armatim – dhe qëllimi i tij është t’i heshtë protestuesit me çdo mjet, tha Maja Bjellosh, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

“Është tronditëse që në vitin 2025 flasim për një tjetër regjim autoritar – pothuajse 25 vjet pas rënies së regjimit të Millosheviqit. Edhe ajo që po ndodh në Mal të Zi me polarizimin etno-nacionalist, në Kosovë me përshkallëzimet e mundshme, në Bosnje e Hercegovinë me lëvizjet e mundshme separatiste, më bën të kuptoj se një rikthim i viteve ’90, fatkeqësisht, mund të jetë në horizont”, theksoi Maja Bjellosh.

Advertisement