Bota
SHBA – Vaksinimi i popullsisë do të nis të hënën
SHBA-Pritja për fillimin e vaksinimit me vaksinën anti-Covid në SHBA duket se po i vjen fundi. Vaksinimi i popullsisë mund të nisë të hënën tha sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në Amerikë, Alex Azar. Në një intervistë për FOX News, ai deklaroi se brenda dy ditëve mund të filloj shpërndarja e vaksinës dhe vaksinimi i parë i popullsisë.
Më tej, ai tha se tani po bëhen përgatitjet përfundimtare për të filluar shpërndarjen e vaksinave. Ndër të tjera Azar deklaroi se deri në fund të dhjetorit do të jenë 20 milion doza të gatshme për të vazhduar vaksinimin. Në fund ai tha se deri në fund të shkurtit duhet të jenë vaksinuar rreth 50 milion persona në të gjithë Amerikën.
“Në këtë pikë, është me të vërtetë çështje e përpunimit të disa detajeve përfundimtare,. Brenda dy ditëve të ardhshme, duhet të dalë vaksina dhe ne do të fillojmë të marrim dozat e vaksinës Pfizer dhe ta çojmë atë ku na kanë thënë guvernatorët,” tha ai.
Ndërkohë, zyrtarë në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë të parët që duhet ta marrin vakinën kundër sëmundjes vdekjeprurëse janë 21 milion punonjës të kujdesit shëndetësor dhe tre milion amerikanë të moshuar që jetojnë në shtëpi të kujdesit. Zyrtarët thonë se vaksinimet për grupe që nuk janë në rrezik të lartë pritet të ndodhin në pranverën e vitit 2021.
Një vaksinë e dytë, e zhvilluar nga Moderna dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit, po kërkon gjithashtu miratimin e urgjencës në SHBA. Sakaq, vaksina Pfizer tashmë është aprovuar për publikun në Mbretërinë e Bashkuar në Kanada, Bahrein dhe në Arabinë Saudite.