Bota
Uashingtoni vë sanksione ndaj Turqisë
Shtetet e Bashkuara vendosën të hënën sanksione ndaj Turqisë lidhur me blerjen prej saj të sistemit rus të raketave tokë-ajër, duke vënë në shënjestër entin kryesor turk të industrisë së mbrojtjes, kreun e tij dhe tre punonjës të tjerë.
Sanksionet, edhe pse përqëndrohen tek sektori turk i mbrojtjes, duke përfshirë Drejtorinë e Industrive të Mbrojtjes (SSB), u dënuan nga Ankaraja, aleate e NATO-s, dhe mund të acarojnë më tej marrëdhëniet e Presidentit turk Tayyip Erdogan me aleatët perëndimorë.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e të gjitha licencave amerikane të eksportit si dhe ngrirjen e pasurive dhe kufizimin e vizave për presidentin e SSB, Ismail Demir, dhe tre punonjësit e tjerë.
Ato kërcënojnë të dëmtojnë ekonominë e Turqisë në një kohë kur ajo po lufton me ngadalësimin e shkaktuar nga koronavirusi dhe inflacioni me dy shifra.
Ankaraja e bleu sistemin rus S-400 të mbrojtjes nga raketat nga mesi i vitit 2019 dhe thotë se ato nuk përbëjnë asnjë kërcënim për aleatët e NATO-s. Uashingtoni nuk është dakord me këtë pohim dhe ka kërcënuar prej kohësh për sanksione, ndërkohë që vitin e kaluar e përjashtoi Turqinë nga një program për blerjen e avionëve amerikanë F-35.
Masat e SHBA të shpallura të hënën në bazë të Ligjit për Kundërvënien ndaj Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), do të miratohen nga Presidenti i SHBA Donald Trump, ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Joe Biden përgatitet të marrë detyrën më 20 Janar.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë Turqisë se blerja prej saj e sistemeve ruse S-400 të mbrojtjes nga raketat do të rrezikonte sigurinë e teknologjisë dhe personelit ushtarak amerikan.
Ai tha se i ka kërkuar Turqisë ta zgjidhë çështjen e sistemeve S-400 në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
Pak përpara njoftimit të SHBA, Presidenti turk Reccep Erdogan tha se retorika e sanksioneve ishte bërë shqetësuese. “Nga aleati ynë i NATO-s, Shtetet e Bashkuara, ne presim mbështetje në betejën tonë kundër organizatave terroriste dhe forcave që kanë plane për rajonin tonë, jo sanksione,” tha ai pas një takimi të kabinetit.
Në vitin 2017, Presidenti Erdogan arriti një marrëveshje që mendohet se kishte një vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh me Presidentin rus Vladimir Putin për sistemin e raketave S-400.
S-400, një sistem rus i lëvizshëm kundër raketave, mendohet se paraqet rrezik për aleancën e NATO-s, si dhe për avionët F-35, platforma më e shtrenjtë amerikane e armëve.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s, Turqia pranoi baterinë e parë prej katër raketash në korrik 2019. Një javë më vonë, Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Turqinë nga programi i avionëve F-35.
Duke komentuar për sanksionet ndaj Turqisë, Christopher Ford, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Mospërhapjen e Armëve, tha: “Ky vendim nuk na la asnjë alternativë… Ne shpresojmë që qeveria turke do të jetë e gatshme të angazhohet me ne në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje.”