Connect with us

Politike

A do t’ia heqë Trump “Non Gratën” Berishës? Kasanof shuan kureshtjen: Nuk…

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ndër të tjera është pyetur edhe në lidhje me “non gratën” e vendosur nga DASh ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha dhe rreth pretendimeve të demokratëve se ajo do të hiqet nga administrata Trump.

Teksa therksoi se nuk flet për persona të përcaktuar dhe hollësitë e rasteve të tilla, zyrtari i lartë i DASH tha se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet të rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar.

Duke mos dhënë një përgjigje konkrete, Kasanof deklaroi se nuk mund të flas në emër të administratës që vjen në SHBA.

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?

Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar

Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anullohet. A ekziston një mundësi e tillë?

Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.

Advertisement