Connect with us

Aktualitet

A duhet të dënohet Policia për mashtrim publik?

Nga Lutfi Dervishi

Në çdo vend normal kjo do të kishte ndodhur prej kohësh.

Nuk është një rast e dy, por mashtrimi është bërë rrugë, është bërë vijë sjellje.

1. Rasti i Elbasanit në zgjedhje.

Një vrasje në mes të ditës, në mes të fushatës, dhe drejtori i përgjithshëm i policise gënjen publikisht, gënjen live dhe nuk ndodh asgjë.

Fraza “nuk ka patur materiale zgjedhore” do të mbetet epitafi i”paanësisë” se policisë në zgjedhje. Dhe gënjen sepse e vërteta nxjerr keq partinë në pushtet.

Për këtë mashtrim publik nuk ndodhi asgjë.

2. Djali i mitur te Liqeni gjatë kohës së pandemisë.

Ndalohet një adoleshent me biçikletë . Jo vetëm që dhunohet, por policia e shet aktin e vet të dhunës si sukses.

3. Nëna që po “luante” me armë lodër.

Një fotografi e nënës së djalit të “kapur” me biçikletë ku ajo (aktore) ka pozuar me një armë lodër paraqitet si shembulli i prindit që nuk di të rrisë fëmijët. Në çdo vend serioz, kjo quhet shpifje dhe deformim i opinionit publik.

Tek ne, është njoftim standard i Policisë së Shtetit.

4. Arma në dorë e djalit të vrarë në Laprakë.

Për të ndërtuar imazhin e një “të dyshuari të rrezikshëm”, policia manipulon vendngjarjen ku vrau të riun.

Manipulim. Vrasje. Pengim i drejtesise.

Dhe për ta çuar cinizmin zyrtar deri në fund, rrugës së vendngjarjes i vendoset emri i viktimës.

5. Grumbullimi para SPAK-ut nga simpatizantët e kryebashkiakut.

Një ngjarje e paralajmëruar gjithe ditën, policia thotë: “grumbullim spontan”. “Nuk kishim njoftim”

A ka pasur ndonjëherë ndalim për këtë? Jo.

Sepse kur i shërben pushtetit, edhe ligji mbyll sytë.

6. Arrestimet e “bujshme” jashtë shtetit.

Në fakt janë kontrolle të rastësishme nga policia lokale. Por mediat furnizohen me “lajme” të përpunuara ku shkruhet:

“Operacion i përbashkët policor falë shkëmbimit të inteligjencës”.

Inteligjencë? Nuk ka fyerje me të madhe për këtë fjalë.

Lista vazhdon… dhe ne vazhdojmë të mashtrohemi sistematikisht.

Policia nuk është thjesht e paaftë në komunikim, ajo është bërë një mjet propagandistik, që në rastin më të mirë justifikon dhunën, dhe në rastin më të keq e prodhon vetë atë.

Në vend që të hetojë ngjarjet, policia vret mendjen se si do t’i shesë ato në media.

Në vend që të ruajë rendin, ajo ruan imazhin e vet duke shtrembëruar realitetin.

Kjo nuk është policia e një shteti demokratik.

Është një strukturë që përdor shkopin dhe gënjeshtrën me të njëjtën lehtësi.

Po, policia duhet të dënohet për mashtrim publik. Sepse kur një trupë e armatosur përdor gënjeshtrën si armë, ajo bëhet më e rrezikshme se çdo bandë. Dhe kur e vërteta deformohet me qëllim nga ata që duhet ta mbrojnë, atëherë qytetari mbetet i pambrojtur, jo nga krimi, por nga vetë shteti.

Advertisement