Bota
A është rënia e dhëmbëve një tjetër pasojë e COVID-19?
NEW YORK- Disa prej njerëzve që kanë kaluar koronavirusin, janë shprehur se kanë hasur probleme me dhëmbët, shkruan New York Times.
Një 43-vjeçare nga New Yorku, Fara Kemili, ka treguar se pati një ndjesi të çuditshme në gojë. Asnjë dhëmb i saj nuk kishte pasur probleme, por teksa preku njërin dhëmb, vuri re se ra pa dhimbje dhe pa gjakderdhje.
Ajo kaloi Covid-19 në pranverë, dhe kishte kaluar vështirësi si konfuzion mendor, dhimbje muskujsh dhe nervash.
Megjithatë, ekspertët janë shprehur se nuk ka ende prova të forta se ky infeksioni mund të çojë në humbje të dhëmbëve apo probleme të lidhura me to. Përpos deklaratës së ekspertëve shumë të tjerë, të mbijetuar nga COVID-19, janë shprehur se kanë pasur edhe simptoma të tilla si gishtërinj të fryrë dhe rënie të flokëve, teksa dyshojnë shumë edhe se një pasojë negative që lë virusi është rënia apo dëmtimi i shpejtë i dhëmbëve.
Disa dentistë janë skeptikë nëse Covid-19 mund të shkaktojë simptoma dentare. “Është shumë e rrallë që dhëmbët të bien pa ndonjë shkak madhor”- thotë dr. Dejvid Okano, një periodontist në Universitetin e Utah në Salt Lake City, SHBA.
Por ai shton se problemet ekzistuese të dhëmbëve, mund të përkeqësohen si rezultat i Covid-19, sidomos pasi pacientët shërohen nga infeksionet akute, dhe përballen me efektet e tij afatgjata. Disa ekspertë thonë se mjekët dhe dentistët duhet të jenë të hapur ndaj mundësive të tilla, veçanërisht pasi sipas një raporti të vitit 2012 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, më shumë se 47 për qind e të rriturve 30 vjeç e sipër kanë një formë të sëmundjes periodontale, përfshirë infeksionet dhe inflamacionin e mishit të dhëmbëve dhe kockave që rrethojnë dhëmbët.
“Tani kemi filluar të shqyrtojmë disa nga simptomat bezdisëse dhe nganjëherë pa-aftësuese nga të cilat pacientët po vuajnë për muaj me radhë pasi janë shëruar nga Covid, përfshirë edhe rrëfimet mbi problemet dentare dhe humbjen e dhëmbëve”- thotë dr.Uilliam Li, president i Fondacionit Angiogenesis, një organizatë jofitimprurëse që studion shëndetin dhe sëmundjen e enëve të gjakut.
”Sëmundja e mishrave të dhëmbëve, është shumë e ndjeshme ndaj reaksioneve hiper-inflamatore, dhe ata që vuajnë për një kohë të gjatë pasojat e Covid, hyjnë sigurisht në atë kategori”- thotë një tjetër ekspert shëndetësor.