Connect with us

Politike

Adriatik Lapaj kërkon mandatin e deputetit, ja kur do të vendosë Kolegji Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë më datën 13 gusht, në orën 10:00, ankimimin e “Shqipëria Bëhet” të drejtuar nga Adriatik Lapaj, për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 Majit.

“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në tërësi dhe pjesërisht vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Forca politike e drejtuar nga Lapaj i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të njohë dorëheqjet e dhëna nga kandidatët e listës së mbyllur dhe mandati t’i kalojë kandidatit më të votuar në listën e hapur, i cili është Adriatik Lapaj.

Gjithashtu, Kolegjit Zgjedhor i kërkohet që të mosnjohë si të vlefshme dhe revokimet e dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit dhe Kleana Xhuveli, vajza e tezes së Adriatik Lapajt.

Ndryshe nga çfarë përcakton ligji dhe Kodi Zgjedhor, “Shqipëria Bëhet” argumenton se vullneti i qytetarëve është shprehur qartë përmes votës preferenciale dhe se ky duhet të jetë edhe kriteri kryesor për përfaqësim në Kuvend.

KAS më 30 korrik vendosi që mandati i vetëm i fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun Tiranë t’i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko.

KAS-i i rrëzoi vendimin Ilirjan Celibashit, i cili i kishte dhënë mandatin Kleana Xhuvelit, e renditur e 4-ta në listën e mbyllur të subjektit, por që kishte revokuar dorëheqjen.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve tha se dorëheqjet në bllok nga kandidimi apo mandati janë ligjërisht nul dhe Celibashi nuk duhet t’i kishte pranuar ato të dorëzuara më 11 maj nga të gjithë kandidatët e listës së fiksuar të Koalicionit “Shqipëria Bëhet”.

Advertisement