Connect with us

Aktualitet

Akademiku Fuga: Një socialist s’pajtohet me një zyrtar zullumqar

Akademiku i njohur Artan Fuga vërën me shqetësim se për shkak të keqqeverisjes, nga viti në vit shqiptari është më i varfër, më i palidhur me vendin, më pak i arsimuar, me më pak të drejta. Kjo, sipas tij, është një dramë e vërtetë.

Ndaj z.Fuga apelon që ndryshimin duhet ta sjellë politika, por sipas tij një politikë që mobilizon masat, që fiton besim, që mbledh vota dhe që ka përkrahje masive. Akademiku Artan Fuga thotë për gazetën “Panorama” se pakënaqësia e popullsisë ndaj qeverisë është e spikatur. Sipas tij, socialistët e thjeshtë nuk mund të pajtohen me korrupsionin e ministrave e zyrtarëve të lartë duke pranuar se PS zien nga përfshirja e qeveritarëve në aferat korruptive. Artan Fuga pohon se mëkatarët janë aq shumë, sa duhej shumëfishuar kapaciteti i burgjeve shqiptare. Madje, ai shprehet se nëse do të ndëshkoheshin të gjitha ata që kanë abuzuar me pronat e shqiptarëve, do të na duhej të ndryshonte destinacioni i stadiumit kombëtar të futbollit. Z.Fuga denoncon sulmin e qeverisë ndaj “Hyesenbelliu grup”, duke thënë se goditja ndaj pronave dhe të drejtës së pronës është e papranueshme në një shtet ligjor. Në gjykimin e Artan Fugës duhet të jetë Gjykata në të gjitha shkallët e saj që e vendos drejtësinë.

Z.Fuga. Një maxhorancë që gëzon të gjitha pushtetet përballë një opozite të përçarë! Kush duhet ta mundësojë ndryshimin, ku shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre në Shqipëri e jo duke marrë rrugët e botës për një jetë më të mirë?

Shumica e sotme socialiste është e vërtetë që ka në duart e saj shumë pushtete. Ka Kryeministrin, vendimmarrjen në Kuvendin e Shqipërisë, kolegjet e drejtësisë që emërojnë njerëzit e drejtësisë, bashkitë, ka caktuar Presidentin etj. Pra, edhe të gjithë administratën e shtetit, sigurisht! Kjo ka ardhur se historikisht janë bërë të tilla ndryshime në Kushtetutë që sollën që gradualisht klasa politike në dekada u pajtua me këtë përqendrim pushtetesh. Ndërkaq, Partia Demokratike para disa vitesh dorëzoi mandatet e deputetëve, nuk hyri në zgjedhjet për pushtetin vendor, dhe në këtë mënyrë të gjitha pushtetet iu la dorë e lirë pushtetit në fuqi. Në Shqipëri nuk ka një ndarje reale pushtetesh që është një realitet tridhjetëvjeçar, ndërsa tani ka marrë përmasa shumë më të dukshme se më parë. Kush duhet ta bëjë ndryshimin? Varet se çfarë kuptoni me ndryshim! Po qe se flasim në kuptimin tim, ndryshimi është pikërisht transformimi i modelit pa ndarje pushtetesh në një demokraci pjesëmarrëse. Dhe pastaj njëherazi ndryshimi i modelit të ekonomisë, kulturës, arsimit, etj. Por, nuk shoh propozime apo debate që shkojnë këtej. Po qe se me ndryshim kuptoni se kush vjen dhe kush ikën nga pushteti, sigurisht kjo mund të penalizojë qarqe të ndryshme apo individë me pushtet të kriminalizuar, por nuk jep garanci se në të ardhmen këto dukuri nuk do të ndodhin përsëri. Nga viti në vit, shqiptari është më i varfër, më i palidhur me vendin, më pak i arsimuar, me më pak të drejta dhe kjo është një dramë e vërtetë. Ndryshimin duhet ta sjellë politika, por një politikë që mobilizon masat, që fiton besim, që mbledh vota, që ka përkrahje masive. Mirëpo, sot një pjesë e madhe e shqiptarëve ka emigruar, një pjesë tjetër në hallet e veta të përditshme, të tjerë me mijëra janë integruar në aparate të ndryshme për të fituar bukën e gojës, të tjerë e kanë braktisur interesin për politikën. Kush do ta sjellë ndryshimin? Shoqëria civile? Me atë OJF që ekzistojnë ato nuk janë për të emancipuar shoqërinë sepse kanë problematikat e tyre. Në këto kushte unë hëpërhë shoh individë dhe grupe që duan ta emancipojnë vendin, por që të jenë me fuqi ndryshuese ende nuk shoh. Mbase nuk arrij të shoh sepse nuk kam aftësinë që duhet.

 

 

Qeveria ka ndërmarrë një sulm ndaj pronave të “Hysenbelliu Group”. Pavarësisht se liria e medias dhe e pronave është çështje që u përket të gjithëve, kemi të bëjmë me cenim flagrant të pronës, por edhe i lirisë së mediave që ka në pronësi “Hysenbelliu Group”. Si mund të ndalet ky arbitraritet?

Goditja ndaj pronave dhe të drejtës së pronës është e papranueshme në një shtet ligjor. Duhet të jetë Gjykata në të gjitha shkallët e saj që e vendos drejtësinë. Unë nuk po flas thjesht për ndërtesa gjigante resortesh, por edhe për një kasolle bariu në një mal, për shtëpinë e një shqiptari ku kalon gjurma e një rruge kombëtare, për respektimin e së drejtës të pronës në toka etj. Çdo veprim jashtëgjyqësor për çështje pronësie nuk është i mirëpritur në gjykimin tim. Nuk ka nevojë për nxitime. Palët të shkojnë në gjykata. Por, edhe kjo është teorikisht, sepse kjo kërkon gjykata të pavarura dhe gjykatës të fortë që janë të imunizuar nga presionet e ndryshme mbi ta. Ende nuk jemi këtu. Sigurisht, bizneset duhet të respektojnë ligjin në mënyrë që t’u ruhen arbitrariteteve.

Si mund të parandalohen?

Në kushtet kur jetojmë, dhe sikurse kemi jetuar tridhjetë vjet, e drejta e pronës është gjithmonë e kërcënuar, pronat janë vjedhur, dhe lulëzon korrupsioni që sa vjen bëhet më i fuqishëm. Pra, nuk parandalohen dot! Nuk është fjala këtu që ndokush thotë se i parandaloj unë se jam i ndershëm kurse të tjerët janë të pandershëm!!! Këto nuk mjaftojnë.

Shfaqja e shëmtuar vjen një ditë pas raportit të DASH, sipas të cilit sulmet kanë qenë për shkak të linjës editoriale që kanë mbajtur mediat e “Hysenbelliu Group” dhe të nesërmen, ditë pushimi, ngrihen gjithë institucionet për të konfiskuar disa godina në “Prestige Resort”. Pse gjithë ky mllef i qeverisë ndaj mediave të “Hysen ndaj mediave të “Hysenbelliu Group”?

Që të zgjidhet ky problem, duhen modele të reja pronësie mbi mediat. Modeli aktual i pronësisë mbi median nuk jep garanci që do të kemi një media të mbrojtur nga sulmet politike, që do të kemi një gazetar të pavarur nga pronarët e medias, që do të kemi një qytetar të informuar mirë. Pse ky mllef? Nuk mund ta di. Por sikur qeveria privilegjon pronarë të medias, ashtu edhe kur i sulmon, nuk kemi një model të drejtë midis këtyre faktorëve shoqërorë. Por, problemi i pronësive alternative mbi median dhe kuadri i rregullator i tyre kanë nevojë për përgjigje reformuese. Nuk mund të zgjidhet as me tritol, as me fërkim krahësh, as me dreka dhe darka, as me bakshishe, as me falje pronash publike, as me dhënie tenderash, as me gazetari militante të njëanshme! E thashë duhet një reformë e plotë sepse ne sistemet e pronësisë të kompanive të mëdha audiovizive i kemi fatkeqësisht si modelin ekonomik të një kioske në lagje. Kjo nuk shkon. Pronarët e medias duhet ta kuptojnë këtë sepse përndryshe do të jenë të gjithë kohën në tension. Dikur me radhë, “Top Channel”, pastaj “Agon Channel”, po ashtu “Shijak TV”, tani “News 24”, “Panorama”, etj. Pra, nuk është çështje e medias në pronësi të një personi. Është fjala të zgjidhet çështja për një shoqëri të emancipuar.

Pse kaq e vështirë të kemi drejtësi të pavarur? Pse qeveritarët nuk mund të ndiqen penalisht për abuzimet me fondet publike?

Shiko, të ndiqeshin penalisht dhe të ndëshkoheshin të gjithë ata që kanë vjedhur me pronat do të duhej shumëfishuar kapaciteti i burgjeve shqiptare. Të ndëshkoheshin ata që kanë abuzuar me të drejtën e pronës të të tjerëve, ata që kanë abuzuar me postet qeveritare për korrupsion, ata që kanë marrë pasuri të paligjshme, që abuzojnë me fondet publike, që përfitojnë tendera korruptive etj., po të mblidhen në tre dekada këta, unë mendoj se do të na duhej të ndryshonte destinacioni i stadiumit kombëtar të futbollit. Mëkatarët janë aq shumë sa duhej shumëfishuar kapaciteti i burgjeve shqiptare. Ku ka gjykatës që ia dalin kësaj mase mëkatarësh që gjykatësin e fluturojnë nga dritarja po të duan! Ne kërkojmë shpëtimtarët, por ndërkaq duhet të arsyetojmë disi.

A besoni se ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë ligj vetëm për një mandat se më pas qeveritarët bëjnë zullum të madh…?

Kjo përvojë nuk njihet në botë! Por, ka masa të tjera që mund të aplikohen. Kushtetuta jonë është nga më të dobëtat në botë, më e paplota në Evropë.

Si e shikoni situatën brenda opozitës? Në kushtet ku PD ndodhet, si mund ta realizojë rrotacionin politik?

Nuk besoj se Partia Demokratike e pengon fakti që ka një lloj grupimi brenda saj që nuk njeh kandidatët e dalë nga Primaret. Opozita ka nevojë për një rinovim të ekzistencës dhe të aksionit të vet. Por, në këto kushte, opozita mund ta bëjë rrotacionin veçse do të vërtetohet që shqiptari ka arritur në atë pikë sa të thotë unë e jap votën kudo të jetë, mjafton që kjo qeverisje të largohet. Pakënaqësia e popullsisë është e spikatur. Por, a ka arritur në pikën e vlimit që përmenda, këtë nuk jam në gjendje ta them.

A mjafton vetëm bashkimi që opozita të fitojë? A i duhen asaj shumë zgjedhës që të shkojë drejt fitores?

Partisë në pushtet i duhet të marrë votat e militantëve të saj, e grupeve të interesit që përfitojnë nga qeverisja e saj, votat e të gjithë atyre që mendojnë se ndryshe u rrezikohet vendi i punës, dhe i duhet gjithashtu që elektorati gri, të rrijë atë ditë në shtëpi, mos votojë. Detyrë e lehtë relativisht. Kurse opozitës i duhet veç të tjerash të zgjojë elektoratin gri, të fitojë besimin e tij, ta bëjë veten të besueshme te ky elektorat që nuk e do politikën. Detyrë titanike. Të shohim se çfarë do të ndodhë.

Çfarë e bën Edi Ramën kaq të pushtetshëm? Çfarë e rrëzon atë nga qeverisja?

Kryeministrin e bën të fuqishëm, sikurse thashë, modeli i shtetit që ne kemi, sigurisht edhe aftësia e tij personale për ta përdorur këtë model për të pasur pushtet absolut. Sigurisht gabimet e opozitës në dhjetë vitet e fundit ja kanë lehtësuar shumë punën. Fakti që emigrimi është bërë një alternativë për shqiptarët e dobëson opinionin publik dhe forcon pushtetin e një njeriu. Edhe ndërkombëtarët, duket se deri tani e kanë dashur në pushtet më shumë atë sesa ndonjë tjetër.

Sa do të vazhdojë?

Nuk mund ta dish.

A besoni se Partia Socialiste ka tension dhe zien për korrupsionin e ministrave dhe drejtorëve, për të gjitha pushtetet të grumbulluara në 2-3 duar?

Patjetër. Një anëtar i thjeshtë partie nuk ka si pajtohet me ndonjë zyrtar të lartë që vetëm në qyngjen e sobës të pastrues së vet ka aq para sa ky anëtar nuk i ka parë as në ëndërr. Por, ka edhe që për të luftuar kundërshtarët demokratë nuk bëzajnë para korrupsionit të zyrtarëve të lartë që dalin të korruptuar, ka edhe socialistë që justifikojnë pasurimin e paligjshëm, sikurse ka edhe një pjesë që ndan të njëjtat vlera antivlera. Por, të mos presë njeri që një socialist të votojë opozitën për shkak të korrupsionit të qeveritarëve të ndryshëm. Lufta politike prevalon ndaj pakënaqësive për çështje ekonomike apo morale.

Maxhoranca dhe qeveria e saj për shkak të përfshirjes me krimin dhe korrupsionin duke rrënuar jetesën e shqiptarëve ka bërë shumë të pakënaqur duke gjetur si zgjidhje emigrimin! Nisur nga kjo situatë, a duhet që pas 14 majit PS të rebelohet…?

Partitë në Shqipëri rebelohen në dy raste, vetëm: a. Kur vendi i kryetarit mbetet bosh; b. Kur partia ikën nga pushteti qendror. Për arsye të tjera jo.

Të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit, a është një mision i vështirë…?

Kush i hyn këtij misioni, i duhet të sigurojë një pjesëmarrje të elektoratit në votime prej 65 deri 75 për qind të numrit të tij, ose i duhet që së paku në pesë qytetarë që nuk duan të dëgjojnë më për politikën, të paktën t’u kthejë mendjen në favorin e vet njërit ose dyve prej tyre. Kuptohet, nëse zgjedhjet janë korrekte.

Advertisement