Connect with us

Politike

Aksioni në Theth/ Bardhi: Fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortët!

POSTIMI I PLOTË:

Aksioni në Theth/Fytyra e vërtetë e Edi Ramës: i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortët!

Bekimi nuk kishte mbushur akoma 1 vjeç, kur e ëma e kishte lënë të lidhur në djep dhe ishte larguar për të punuar. Në shtëpi kishte pasur një shkëndijë dhe djepi kishte marrë zjarr. Dikush nga fqinjët kishte parë zjarrin dhe kishte nxituar të nxjerrë foshnjën nga djepi. Kur e ëma kishte mbërritur në spital kishte gjetur djepin që digjej përjashta dhe kishte kuptuar gjithçka.
Nga zjarri Bekimi humbi dy këmbët, njërën dorë dhe pësoi djegie të thella të fytyrës. Por, Bekimi mbijetoi. Mbijetoi dhe nuk pranoi t’i dorëzohej fatit të tij. Ishte aktiv në të gjitha lojërat dhe prapësitë e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë me bashkëmoshatarët e tij. Fëmijët, të rinjtë, burrat dhe gratë e fshatit Hot i Ri në Shkodër e donin dhe mbështesnin Bekimin pa bërë asnjë dallim.

Më 30 prill 2024, Edi Rama kishte deklaruar se banorët e Thethit kishin ndërtuar pa leje se nuk kishin mundur të merrnin certifikatat e pronësisë dhe brenda dy muajsh problemi do zgjidhej. Bekimi kishte dëgjuar këtë dhe një vit më parë me kursimet e kempit dhe një kredie bankare, ndërtoi 5 shtëpiza druri në fshatin Theth, në tokën e të parëve të tij, të njohur për Kullën e famshme të ngujimit, ku stresoheshin burrat e Dukagjinit për të gjetur besë e mbrojtje.

Shtëpizat e Bekimit mirëprisnin miq nga e gjithë bota, siç kishte bërë dikur edhe gjyshi i tij, Zefi. Por, një vit më pas Edi Rama kishte dërguar policë, inspektorë, fadroma dhe kamionë për t’i prishur shtëpizat e Bekimit. Me të gjitha kursimet e harxhuara, një kredi të pashlyer dhe me një shtet që gjithë forcën e ka vënë përballë tij, Bekimi ishte shtrirë sot përballë fadromave dhe nuk largohej. Ja kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës: i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortët.

Ndërkohë që në bregdet e Tiranë ngrihen dhjetëra kate kullash, vilash e resortesh pa leje të oligarkëve, Edi Rama ka vendosur të merret me shtëpizat e Bekimit në tokën e të parëve në Theth. Sepse ai s’ka as guximin, as kurajon, as vullnetin të merret me oligarkët dhe ndërtimet e tyre pa leje, por vetëm prish dhe shkatërron mundin, djersën dhe kursimet e njerëzve të thjeshtë e të pamundur si Bekimi që nuk kanë vjedhur, uzurpuar apo përfituar prona me falsifikime e korrupsion, por kanë ndërtuar në tokat e të parëve të tyre.

Në fakt, plani i Edi Ramës është i qartë. Në vend të investimeve modeste që kanë bërë banorët e zonës me kursimet e tyre, ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura kanë mundësuar grabitjen e pronave për ndërtimin e resorteve me 5 yje të oligarkëve në zemër të zonave të mbrojtura, siç është Parku Kombëtar i Thethit.

Por, përtej politikës i bëj thirrje Edi Ramës dhe Benet Becit që të largojnë policët, inspektorët dhe fadromat e tyre e të lejojnë Bekimin të gëzojë frytet e kursimeve të një jete për të bërë realitet ëndrrën e tij. Sepse njerëz si Bekimi duhen mbështetur, mirëkuptuar dhe ndihmuar, e kurrësesi të bëhen shembulli i arbitraritet, abuzimit dhe paligjshmërisë.

Advertisement