Politike
Aksioni për sigurinë ushqimore/ Ministria e Bujqësisë: Fermerët s’janë fajtorë, ja çfarë synojmë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka dalë me një njoftim zyrtar pas aksionit të fundit për kontrollet e sigurisë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore të produkteve bujqësore. Sipas ministrisë, këto kontrolle nuk janë kundër fermerëve, por janë një hap i domosdoshëm për formalizimin, forcimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.
MBZHR, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, thekson se qëllimi është ndërtimi i një sistemi transparent dhe të kontrollueshëm që garanton sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Fermerët nuk janë fajtorë, por bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë,” thuhet në njoftim. Ministria sqaron se nuk synon vendosjen e gjobave, por krijimin e një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi të pastër, ku çdo hallkë është në shërbim të konsumatorit.
Pikat kryesore të kësaj nisme janë:
-Gjurmueshmëria e produkteve: Për të ditur saktësisht ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar çdo produkt.
-Siguria ushqimore: Rritja e besimit të qytetarëve në cilësinë dhe origjinën e ushqimeve që konsumojnë.
-Transparenca dhe mbështetja: Fermerët e formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar.
Ministria fton të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor bujqësor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurt, duke theksuar se eksportet shqiptare tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare.

