Connect with us

Shkrime

Amerika u tërhoq/ SPAK, mes luftës për Drejtësi dhe luftës për Pushtet

Reforma në drejtësi dhe roli i SPAK janë në qendër të përplasjeve më të ashpra politike ditët e fundit, veçanërisht pas arrestimit të kryebashkiakut Erjon Veliaj, që ishte i pari zyrtar i këtij niveli që prangosej në zyrën e tij. Pas arrestimit të Veliajt u duk sikur pati një devijim nga vija zyrtare ndaj SPAK mes dy partive politike kryesore, por ditë më pas, si Rama, ashtu dhe Berisha zunë vendet e mëparshme në llogore, mbi temën e pavarësisë dhe funksionimin e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion. Veçse të  dyja narrativat bashkohen në një pikë; në ndikimin që ka trajtimi i SPAK në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Kryeministri Edi Rama e paraqet SPAK-un si një produkt të Reformës në Drejtësi, një iniciativë që ai dhe Partia Socialiste e konsiderojnë si arritjen më të madhe të qeverisjes së tyre. Sipas Ramës, SPAK është një institucion i pavarur, por në të njëjtën kohë, e vetmja forcë politike që e garanton funksionimin e tij është Partia Socialiste.

Nga njëra anë, Rama kërkon të distancohet nga akuzat se SPAK është nën kontrollin e tij, duke theksuar se kjo strukturë është krijuar në bazë të Kushtetutës dhe jo si një mekanizëm i dirigjuar nga politika. Në anën tjetër, ai pranon se PS dhe ai personalisht janë garantët e mbijetesës së SPAK, duke nënkuptuar se pa mbështetjen e qeverisë, reforma në drejtësi do të dështonte.

Ndërsa u përgjigjej ndjekësve në rrjetet sociale, këtë të martë, Rama nxorri nga ekuacioni i ndikimit të SPAK Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sqaruar se mbështetja e vetme për prokurorët e posaçam, tashmë është ai vetë.

“Amerika është tërhequr siç e keni parë, nga kjo punë dhe nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë, po jo. SPAK është këtu dhe SPAK ka vetëm një garanci” u shpreh Rama.

Megjithatë, Rama e pranon se SPAK ka hyrë në një fazë të re, ku duhet të përmirësohet profesionalizmi dhe të respektohen standardet demokratike. Deklarata, që paralajmëron ndryshime ligjore pas zgjedhjeve, merr shkas nga arrestimi i Veliajt në zyrë dhe vjen në një moment kur SPAK ka nisur një numër hetimesh që prekin nivelet e larta të politikës, përfshirë dhe funksionarë të lartë në qeveri.

Kjo është arsyeja që Rama paralajmëron se SPAK nuk duhet të shkelë liritë dhe të drejtat e qytetarëve në emër të pavarësisë së tij, duke nënkuptuar se ekziston një rrezik që kjo prokurori speciale të abuzohet si një mjet presioni politik.

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, retorika e Ramës për SPAK synon të ruajë dhe mobilizojë bazën elektorale. Duke u pozicionuar si garantuesi i drejtësisë, ai synon të bindë votuesit se vetëm PS mund të sigurojë progresin e reformave dhe integrimin europian. Megjithatë, skepticizmi i publikut mbi ndërhyrjet politike në drejtësi mbetet një faktor që mund të ndikojë në mbështetjen për socialistët.

Në të kundërt, Sali Berisha e sheh SPAK-un si një prokurori tërësisht të kontrolluar nga Edi Rama, e cila ka për qëllim eliminimin politik të opozitës. Berisha e lidh rolin e SPAK-ut me arrestimin e liderëve të partive opozitare dhe me vendimet për të sekuestruar mandate deputetësh të dhëna nga zgjedhësit, duke e konsideruar këtë një strategji të qeverisë për të kapur pushtetin në mënyrë të paligjshme.

Madje sipas Berishës, edhe pas arrestimit të Erjon Veliajt, sërish qëndron Edi Rama.

“Për sa i përket lotëve të krokodilit të Edi Ramës për Erion Veliajn, është kuptuar gjerësisht që janë lotë krokodili. Më falni, a nuk është Edi Rama që e vuri Erion Veliajn në procesin e persekutimit ‘ëoke’? A nuk ia preu ai fotografinë në krah kur i tha çelësin e qytetit Ali Ahmetit? A nuk paralajmëroi ai që do ketë se do ketë arrestime? A nuk dërgoi ai Belinda Ballukun për të drejtuar partinë? Unë socialistëve u thashë dje, lexoni pak për zogun sqepkëpucë. Ai zog ka një veti, ai zog ha zogjtë e tij” u shpreh Berisha në një konferencë nga selia e PD.

Ish-kryeministri thekson se një sistem drejtësie që arreston kundërshtarët politikë për të favorizuar pushtetin nuk mund të quhet një sistem i pavarur, por një instrument represioni politik. Ai shkon edhe më tej duke cituar deklaratën e zv/Presidentit të SHBA-së, JD Vance, për të sugjeruar se arrestimi i liderëve të opozitës është një mekanizëm që bie ndesh me parimet demokratike.

Për Berishën, SPAK nuk ka ndjekur dhe nuk ka hetuar krimin elektoral, por është përqendruar në eliminimin e opozitës. Ai akuzon SPAK-un për dy standarde, duke argumentuar se ndërsa opozita goditet me akuza të rënda, përfaqësues të shumicës socialiste nuk përballen me të njëjtin trajtim nga drejtësia.

Në zgjedhjet e 11 majit, qasja e Berishës ndaj SPAK-ut është një përpjekje për të mobilizuar elektoratin opozitar dhe për të krijuar perceptimin se vendi po shkon drejt një sistemi autokratik. Kjo strategji synon të ngjallë revoltë tek votuesit kundër qeverisë dhe të forcojë frymën e një opozite të përndjekur nga shteti.

Nga njëra anë, Rama kërkon ta paraqesë SPAK-un si një sukses të PS-së dhe një institucion që po forcon demokracinë. Nga ana tjetër, Berisha e portretizon atë si një vegël politike në duart e qeverisë, e cila përdoret për të mbytur opozitën dhe për të krijuar një realitet politik ku pushteti mbetet i pakontestueshëm.

Deri më sot, SPAK ka treguar se nuk i kursen hetimet ndaj askujt, përveç Edi Ramës, duke proceduar figura nga të gjitha krahët e politikës. Megjithatë, perceptimi publik mbetet i ndarë.

Ajo që është e sigurtë është se në prag të zgjedhjeve të 11 majit, përplasja mbi SPAK mund të rezultojë një faktor kyç në vendimmarrjen e qytetarëve. Nëse votuesit e shohin SPAK-un si një institucion që lufton korrupsionin, kjo do të favorizojë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Në këtë kuptim, sado kontradiktore të duket, arrestimi i Erjon Veliajt dhe zbulimi i pasurisë së tij marramendëse, më shumë e ndihmon fitoren e Partisë Socialiste, se sa e dëmton atë.

Në të kundërt, nëse narrativa e Berishës për një drejtësi të kapur, fiton terren, atëherë opozita mund të shfrytëzojë këtë pakënaqësi për të mobilizuar elektoratin.

Nisur nga këto, e ardhmja e SPAK do të përcaktohet jo vetëm nga veprimet e prokurorëve, por edhe nga mënyra se si qytetarët do të interpretojnë rolin e tij në zgjedhjet e 11 Majit./Lapsi.al

Advertisement