Aktualitet
Arrestimet te klinika dentare në Tiranë/ Si “Golden Dental &Aesthetics” përdorte preparate të skaduara para 7 vitesh

Klinika dentare “Golden Dental & Aesthetics”, e vendosur në Rrugën e Kavajës në Tiranë, është vënë në qendër të hetimeve pas zbulimit të preparateve dentare të skaduara, disa prej të cilave datonin që nga viti 2018.
Pas kontrollit të ushtruar nga Policia, në pranga ranë dy stomatologët Ervin Zeka dhe Kejdi Myzyri. Zeka, i cili zotëron 60% të aksioneve të klinikës, bashkë me Myzyrin rezultojnë të jenë në rolin e administratorëve të saj.
Klinika ofronte një gamë të gjerë shërbimesh, përfshirë terapi dentare, ortodoncë, kirurgji orale, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime aparatesh dentare. Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme preparatesh dhe materialesh të skaduara, të cilat po përdoren si prova materiale në hetim.
Ndërkohë, për 12 punonjës të tjerë të klinikës është nisur procedim penal në gjendje të lirë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

