Aktualitet
Arrestohen dy hajdutët e urbaneve në Tiranë, në pranga edhe 5 persona të tjerë
Shtatë persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale, kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Tiranë.
Policia bën me dije se është arrestuar një 38-vjeçar, i cili dyshohet se i ka vjedhur portofolin një personi në urban, ndërsa po ashtu një 31-vjeçar ka rënë në pranga pasi i ka vjedhur po portofolin një tjetër personi në autobus, në rrugën “Kastriotët”.
Në pranga ra edhe një 29 vjeçar, pasi në Rrugën e Dibrës, ka fyer dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatit të tij, për motive të dobëta.
Po ashtu është arrestuar edhe një 45 vjeçar, administrator i një firme në rrugën “Ndre Mjeda”, pasi ka vendosur me vetëgjyqësi 8 kamionë të tonazhit të rëndë duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe portat hyrëse në kompleksin e ndërtimit të firmës.
Dy persona, L. K., 38 vjeç dhe T. K., 25 vjeç, janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur, ndërsa një 18 vjeçar u arrestua pasi në Rrugën e Elbasanit, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 38 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në Rrugën e Elbasanit, i ka vjedhur portofolin shtetasit D. A., në autobusin e transportit urban.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. M., 31 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në rrugën “Kastriotët”, në autobus, i ka vjedhur portofolin shtetasit I. M.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,“Vetëgjyqësia”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin S. LL., 45 vjeç, administrator i një firme në rrugën “Ndre Mjeda”, pasi ka vendosur me vetëgjyqësi 8 kamionë të tonazhit të rëndë duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe portat hyrëse në kompleksin e ndërtimit të firmës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, ka fyer dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatit të tij, për motive të dobëta.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
L. K., 38 vjeç dhe T. K., 25 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;
S. B., 18 vjeç, pasi në Rrugën e Elbasanit, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

