Connect with us

Aktualitet

“Autostrada Energjetike”, ambasada gjermane ka disa fjalë për Kosovën dhe Shqipërinë

Ambasada gjermane në Prishtinë ka uruar Kosovën dhe KOSTT-in që është bërë e zonë e pavarur rregulluese brenda bllokut Kosovë-Shqipëri, marrëveshje kjo që është arritur së fundmi mes këtyre dy vendeve.

“Pas marrëveshjes së nënshkruar me rrjetin e operatorëve të sistemit të transmetimit – ENTSO-E, KOSTT do të menaxhojë kapacitetet ndërlidhëse të Kosovës me operatorët e sistemit fqinj të transmetimit”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane.

Tutje kjo ambasadë bën me dije se ky hap aktivizon linjën e ndërlidhjes së tensionit të lartë 400 kV mes Kosovës-Shqipërisë.

“Ky hap aktivizon linjën e ndërlidhjes së tensionit të lartë 400 kV mes Kosovës-Shqipërisë dhe pritet të rrisë kapacitetin e transmetimit dhe të kontribuojë në sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve energjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit. Projekti u financua nga KfW Development Bank, Swissgrid dhe u mbështet nga partnerët evropianë dhe amerikanë”.

Dy ditë më parë nisi operimi i pavarur i Kosovës, si zonë rregulluese brenda bllokut rregullues Shqipëri–Kosovë, ndërsa kryeministri i vendit, Avdullah Hoti tha se pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë.

Hoti tha se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, hapi një kapitull të ri brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.

“Pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”, tha Kryeministri Hoti, duke shtuar se që nga data 14 dhjetor 2020, është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.

Ndërkaq, po të hënën kryeministri Edi Rama ishte në dispeçerin e Operatorit të sistemit të transmetimit, ku nga nisi operimi i pavarur i Kosovës, si zonë rregulluese brenda bllokut Rregullues Shqipëri – Kosovë.

Rama kishte thënë se kjo është një arritje historike, që kishte mbetur pezull që në vitin 2010, por u përfundua vetëm në 2016, ndërsa arsyeja pse nuk ishte vënë në punë ishte vetoja nga Serbia.

“Më në fund ja kemi dalë të arrijmë këtë ditë, që nëse kthehemi pas ka marrë shumë kohë. Në shkurt 2010, kur qeveria ka miratuar një hua për ndërtimin e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë dhe sipas zotimit të kryeministrit paraardhës, linja që do përfundonte për 2 vite, që ishte citoj ‘një marrëveshje historike’, duke hequr këtë pjesë të fjalës me të cilën pajtohem, duhet të kujtoj se puna nuk filloi kurrë. Jo vetëm që asgjë nuk nisi por sistemi elektro-energjetik vazhdoi të degradohej deri në pikën që u bë barrë shtetit, që rrezikonte falimentin financiarisht të Shqipërisë”, tha ai.

Linja energjetike e interkoneksionit ishte shpallur e përfunduar, e inauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Ajo është një linjë interkoneksioni prej 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ka shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Ky projekt ka kushtuar 75.5 milionë euro. Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria. Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit që energjia kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.

Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) mbledh të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje. Ka disa vjet që Kosova e akuzon Serbinë për ndërhyrje në sistemin energjetik të Kosovës duke mos e njohur pavarësinë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për kyçje të sistemit energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar midis KOSTT –it në njërën anë dhe organizatës së Operatorëve Europian të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-e).

Monitor/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *