Bota
BE, gjoba deri në 10% të qarkullimit për “Big Tech”
Paketa e re rregullatore e Komisionit Europian shënon ndryshimin e kursit në tregun dixhital, sipas dy përgjegjësve të BE-së për çështjen në fjalë, Komisionerja europiane e Konkurrencës, Margrethe Vestager, dhe Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton. Kjo është një përpjekje jo vetëm për të frenuar gjigantët e teknologjisë por edhe për të parandaluar shfaqjen e kompanive dominuese antikonkurruese. “Interesat ekonomike dhe politike të pak kompanive nuk duhet të diktojnë të ardhmen tonë. Europa duhet të përcaktojë rregullat dhe kushtet e saj” – shkruan ata të dy ditë më parë në “Irish Time”.
Rregullat dhe kushtet parashikojnë për Big Tech përgjegjësi, detyrime dhe sanksione në rast se ata vijojnë të veprojnë jo siç duhet, duke vënë në rrezik integritetin e tregut të vetëm. Në Aktin e Shërbimeve Dixhitale (Digital Services Act – DSA), shtylla e parë e kornizës rregullatore, ekzekutivi i komunitetit do t’u kërkojë kompanive teknologjike “shumë të mëdha”, me më shumë se 45 milionë përdorues, si GAFAM (Google, Amazon, Facebook, Apple dhe Microsoft) të marrin më shumë përgjegjësi për moderimin e përmbajtjeve që qarkullojnë në platformat e tyre.
Kjo do të thotë se ato duhet “të përshtasin dhe të përmirësojnë” algoritmet e tyre për të monitoruar dhe për të hequr përmbajtjet e paligjshme si dhe të ndajnë të dhënat e aktivitetit të tyre të moderimit me autoritetet kombëtare. Nëse nuk do ta bëjnë këtë gjë, ato do të gjobiten deri në 6% të qarkullimit të tyre global.
Sanksionet në rastin e praktikave të padrejta të tregut do të jenë edhe më të rënda: në Digital Markets Act (DMA), pjesa tjetër e paketës, Brukseli parashikon gjoba deri në 10% të xhiros për ata që “vrasin” konkurrencën dhe mundësinë ekstreme të ndarjes strukturore të shërbimeve europiane të kompanive.
Monitor/