Kosova
Befasia e minutës së fundit, eksperti gjerman zbulon pse Kurti vendosi tri kërkesa në takim me Vuçiçin
Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, ka folur pas dështimit të takimit në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb dhe i ka quajtur “konsistente” tri kërkesat e kryeministrit Kurti, ndaj Aleksandër Vuçiçit.
Kujtojmë se Kushtet ishin: 1. Formalizimi i marrëveshjeve bazike duhet të nënshkruhet nga shefat përkatës të qeverive. 2. Tërheqja e letrës së rezervimit e deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë e datës 13 dhjetor. 3. Dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore të Kosovës.
Sipas historianit gjerman, Kosova nuk mund të ketë pritshmëri të arsyeshme për kërkesën e tretë të kreut të Qeverisë së Kosovës, që lidhet me kriminelin Milan Radoiçiq.
“Si shpesh gjatë muajve dhe viteve të fundit, kërkesat politike të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë janë mjaft konsistente. Është e arsyeshme që Kosova të kërkojë që Serbia ta pranojë dhe të nënshkruajë marrëveshjen bazë. Është gjithashtu e arsyeshme të kërkohet tërheqja e letrës së Brnabiç që ishte në kundërshtim flagrant me marrëveshjen bazë. Dhe edhe pse nuk mund të ketë pritje të arsyeshme që Radoiçiqi dhe bashkëpunëtoret e tij t’i dorëzohen gjyqësorit të Kosovës, është të paktën e arsyeshme të mos besohet se gjykatat serbe ndonjëherë do ta padisin siç duhet Milan Radoiçiqin, dhe aq më pak do të padisin bashkëpunëtorët e tij” – ka deklaruar Clewing.
Ai megjithatë ka hedhur dyshime për shkakun se pse kryeministri i Kurti vendosi kushtet aty për aty në Bruksel. “Duket se vendosja e kërkesave si parakushte për t’u takuar trepalësh, doli fare e paqartë. Është fare e pamundur që Albin Kurti të ketë pritur që ato të plotësohen aty për aty në Bruksel.
Me parashtrimin e parakushteve, ai me siguri ka dashur t’i silurojë takimet trepalëshe, edhe pse ato ishin paralajmëruar më herët nga Borrell dhe Lajçak” – ka nënvizuar Konrad Clewing dhe ka vlerësuar se Kurti e zuri në befasi Vuçiçin me vendimin e minutës së fundit, mirëpo sipas tij, kjo i bën dëm pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Sigurisht, mund të mos jetë gjëja më e keqe të ushtrosh presion mbi një politikan vështirë të besueshëm si Aleksandar Vuçiç, duke e befasuar atë gjatë negociatave. Por, mendoj se do të kishte qenë e rrezikshme dhe e dëmshme për pozitën ndërkombëtare të Kosovës nëse e njëjta shkallë befasie do t’i shkaktohej BE-së dhe Josep Borrell-it. Kosova tashmë ka humbur shumë nga simpatia në mesin e partnerëve të saj perëndimorë me lëvizje të paparashikuara të minutës së fundit nga Albin Kurti dhe qeveria e tij”- ka deklaruar më tej eksperti gjerman.