Bota
Bëri burg 19 vite gabimisht, qeveria e dëmshpërblen me 2.7 milionë euro
Një person, i cili kaloi gabimisht 19 vjet në burg, do të marrë një kompensim rekord prej gati pesë milionë dollarësh të Zelandës së Re, ose 2.7 milionë euro.Në vitin 1986, Alan Hall u dënua për vrasjen e Arthur Easton dhe plagosjen e djalit të tij Brandon dhe mori një dënim të përjetshëm. Ai ka qenë në burg me ndërprerje për gjithsej 19 vjet dhe dënimi i tij është anuluar vitin e kaluar.
Qeveria ka rënë dakord t’i paguajë atij 4,933,725 dollarë si kompensim për të gjitha ato vite pas hekurave, tha Ministrja e Drejtësisë e Zelandës së Re, Deborah Russell.“Unë e kuptoj se një falje dhe kompensim nuk do të jetë kurrë në gjendje të korrigjojë plotësisht padrejtësinë që pësoi Hall”, tha ajo.
Familja e Hall u shpreh se gjëja më e rëndësishme ishte njohja e pafajësisë së tij nga qeveria, por theksoi se nëna e tij, Shirley, nuk arriti ta shihte atë.“Alan ishte 24 vjeç kur u arrestua. Tani ai është 61 vjeç. Me njoftimin e sotëm, Alan mund të fokusohet në atë që i është mohuar me dekada, të ndërtojë jetën e tij si njeri i lirë”, shtuan ata.