Connect with us

Shkrime

Besëprerët e Perëndimit dhe Kosova e tradhtuar

“Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.

Keni vënë re që e keqja njerëzve u vjen prej të njohurve dhe jo prej të panjohurve. Ai që të njeh i di dobësitë tua dhe peshon interesat e veta para sesa të të bëjë keq. Kjo po i ndodh edhe Kosovës me refuzimin për ta vënë në rend dite pranimin në Këshillin e Evropës. Pra, Kosova nuk është në axhendën e datës 17 maj. Kjo, sepse Fuqitë e Mëdha nuk pranuan të kalojë vendimi i Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli për shkak se kryeministri i Kosovës refuzoi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në fakt nuk pranoi që pakoja e marrëveshjes së Brukselit të copëzohet në interes të palës serbe dhe që kalendari i Aneksit të Ohrit të ndryshojë. Pra, sepse Albin Kurti i përmbahet Marrëveshjes së shkurtit dhe aneksit të marsit 2023” – kështu ka shkruar në një opinion, professor doctor Enver Bytyçi, sipas të cilit, nga e gjithë kjo histori qytetari ka të drejtë të dijë disa të vërteta.

“E vërteta më e madhe ka të bëjë me faktin se disa Fuqi Perëndimore nuk e mbajnë fjalën. Në krye të tyre janë Franca dhe SHBA-të. Ndërsa Gjermania është shndërruar në vagon të lokomotivës franceze. Italia e Melonit të refugjatëve që i sjell në tokën arbërore jo e jo! Ajo dëshiron benefite politike nga kjo tokë, por nga ana tjetër e dhunon atë edhe politikisht dhe në integritetin e saj” – ka shkruar Bytyçi, duke shtuar se kjo e vërtetë ishte e pranishme prej kohësh.

“Kur Fuqitë e Mëdha heqin dorë nga fjala që japin, atëherë besimi shkërmoqet dhe po u shkërmoq besimi, nuk ka më as marrëdhënie miqësie. Kjo do të ndodh edhe me Kosovën. Mund të vijë dita e të mos bëjë punë më miti i çlirimit të saj nga miqtë amerikanë e evropiane.

Sepse nëse ajo u çlirua për t’u rikthyer nën Serbinë ose për ta shpërblyer atë me territore të Kosovës, atëherë ky lloj “çlirimi” shndërrohet në skllavëri” – ka theksuar Bytyçi duke potencuar:- Për ta ndëshkuar Kosovën vendet që e kanë njohur atë nuk i përmbahen marrëveshjes që vetë e sponsorizuan. Kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit në shkurt 2023, u tha se ajo ishte e sponsorizuar nga Franca dhe Gjermania. Kurti e pranoi menjëherë. Kërkoi nënshkrimin e saj. Ka pranuar edhe ngritjen e Asociacionit, por në procesin e zbatimit të plotë të asaj marrëveshjeje. Tani Franca dhe Gjermania bëjnë të kundërtën. Edhe pse Aleksandër Vuçic nuk e nënshkroi atë. Edhe pse kryeministrja e Serbisë shkroi letër për BE-në dhe e hodhi poshtë atë marrëveshje, Serbia vazhdon të përkëdhelet……………………..

Bytyçi shkruan gjithashtu se “Për hatër të presidentit serb Kosova nuk do të jetë në rend dite në Komitetin e Ministrave të KiE-së. Se mos zemrohet ai, Kosova duhet të paguajë çmimin e të qenit jashtë kësaj organizate. Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.

Serbia kërcënon Perëndimin me luftë në Ballkan. Pse shqiptarët të mos bëjnë të njëjtën gjë, derisa kjo po funksionon me Serbinë?! E di se shumë shqiptarë do thonë “nuk e duam luftën”! Por ka shumë më tepër serbë, sesa shqiptarë, të cilët nuk e duan luftën. E megjithatë kreu i shtetit të Serbisë kërcënon me luftë. Dhe ai nuk do të heq dorë asnjëherë nga ky kërcënim, derisa shteti i Kosovës të mos marrë më frymë. Çfarë duhet të bëjmë? Të shkojmë si delja e plagosur pas ujkut Serbi?! Jo! Duhet të bëhemi bashkë! Të qërojmë hesapet me tradhtarët brenda nesh dhe të fillojmë e kërcënojmë edhe ne me luftë. Jo për të pushtuar ndonjë territor të huaj. Për të mbrojtur territorin e shtetit të Kosovës! Nuk shoh mundësi tjetër që ata që e kanë njohur Kosovën juridikisht ta njohin atë edhe praktikisht”

 

Advertisement