Kosova
Bislimi: Vuçiçi nuk e ka pritur dështimin e sulmit terrorist
Zëvendës-Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në konferencën e organizuar nga Instituti “Octopus”, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për momentin është në “difensivë”, ngase sipas tij, nuk e ka pritur dështimin e sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës. “Në fakt, dështimi nuk ka qenë në interes të Serbisë, por plani i 24 shtatorit nuk është përgatitur me idenë se do të dështojë sepse Serbia ka qendruar prapa saj, duhet të konkludohet duke paramenduar suksesin e këtij hapi dhe jo dështimin e tij” – ka argumentar ai, dhe ka shtuar se tani gjithkush e ka kuptuar që Serbia përdor mjete të dhunshme për të përfituar territor. “Akti i agresionit të datës 24 shtator nuk është një akt i izoluar, është një akt brenda një drame. Ne besojmë fuqishëm që nuk është akti i parë i kësaj drame, nuk do të jetë akti i fundit dhe nuk është as akti kryesor i kësaj drame prandaj për ne është shumë e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm dhe të besojmë që Serbia do të vazhdojë me kërcënime të tilla” – ka shtuar Bislimi. Ai ka theksuar se sulmi terrorist dhe akti i agresionit në Banjskë ,ka ngritur brengën jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe gjithë Bashkimin Evropian, për arsye se, sipas tij, ky lloj agresioni hibrid, terrorist mund ta zhbëjë të gjithë progresin, të cilin Kosova dhe Serbia e kanë bërë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së. “Që nga fillimi i dialogut Kosovës, është thënë në vazhdimësi se dialogu në Bruksel nuk ka asnjë alternativë por si duket se përpjekja ka qenë gjithmonë e gabuar, pala ndërkombëtare është dashur ta bind Serbinë që dialogu nuk ka alternativë për arsye se me veprimin e datës 24 shtator, Serbia po tregon se ajo beson në alternativa që shkojnë përtej Brukselit” – theksoi Bislimi