Aktualitet
BPSH reagon pas denoncimeve mashtruese për “Lajthizën” – ‘Sulm i fabrikuar ndaj markave shqiptare’

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë (BPSH) ka reaguar sot pas publikimeve në disa media online, të cilat kanë shpërndarë “denoncime qytetarësh” lidhur me cilësinë e produktit “Uji Lajthiza”.
Sipas këtyre denoncimeve, një qytetar i paidentifikuar, në një resort gjithashtu të paidentifikuar në jug të Shqipërisë, ka pretenduar se uji kishte përmbajtje të lartë kripe.
Pretendimi u “konfirmua” nga një kamarier po ashtu i paidentifikuar.
BPSH e ka cilësuar këtë një “inskenim të qëllimshëm” për të dëmtuar imazhin e kompanisë, e cila operon prej 25 vitesh në tregun shqiptar.
“Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është shumë i vëmendshëm ndaj respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe do të mbajë qëndrim të qartë sa herë që organet kompetente konstatojnë shkelje. Por, me të njëjtën përgjegjësi, kërkojmë që institucionet të ndërhyjnë edhe kur prodhuesit bëhen viktima të sulmeve denigruese e pa bazë”, thuhet në deklaratën e BPSH.
Sipas këtij institucioni, sulme të tilla të fabrikuara nuk janë një fenomen i ri në industrinë ushqimore shqiptare dhe dëmtojnë rëndë marrëdhënien e besueshmërinë mes prodhuesve dhe konsumatorëve.
BPSH i ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se hasin probleme me produkte ushqimore, të drejtohen tek institucionet përkatëse. Po ashtu, ka kërkuar që autoritetet të reagojnë jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe në rastet kur lajmet e rreme përdoren për të goditur markat shqiptare.
Deklarata e plotë e Bashkimit Prodhuesve Shqiptarë
Prej disa ditësh, në disa portale dhe media online, janë publikuar “denoncime qytetarësh” ndaj produktit “Uji Lajthiza”.
“Denoncimi” i referohet një qytetari, të pa identifikuar, në një resort në Jug të Shqipërisë, gjithashtu të pa identifikuar. Sipas këtij “denoncimi”, uji kishte përmbajtje të lartë kripe. Këtë konstatim e përforconte edhe një kamarier, gjithashtu i pa identifikuar. E gjitha, ishte e qartë që ishte një inskenim për të dëmtuar imazhin e kompanisë, që hedh në treg prej 25 vjetësh një prej produkteve më cilësore të ujit.
Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë është shumë i vëmendshëm ndaj respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Ai do të mbaj qëndrim në rastet kur organet kompetente konstatojnë shkelje dhe cenim të standardit të sigurisë ushqimore. Por, me po të njëjtën përgjegjshmëri dhe përgjegjësi, BPSH kërkon të mbahet qëndrim nga institucionet kur prodhues të ndryshëm, bien pre e shantazhit apo sulmeve denigruese, për qëllime të caktuara.
Nuk është hera e parë që prodhues shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë ushqimore, bien pre e sulmeve publike pa asnjë bazë të vërtetueshme.
Këto sulme të qëllimshme cenojnë rëndë marrëdhënien dhe besueshmërinë mes prodhuesit dhe konsumatorit.
BPSH nxit çdo qytetar që, nëse vëren probleme me produktet ushqimore, t’i drejtohet institucioneve përkatëse.
Gjithashtu BPSH nxit institucionet që të mbajnë qëndrime në mbrojtje të konsumatorëve, por njëkohësisht i nxit të reagojnë edhe në rastet kur fabrikohen fakte për të sulmuar marka të ndryshme prodhuesish.

