Bota
Britania tregohet e vendosur, ngrin asetet ruse derisa…
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/06/ukraine-2.jpg)
Qeveria britanike i ka bërë të ditura planet për të ashpërsuar politikën e sanksioneve kundër Rusisë. Ajo ka prezantuar një legjislacion për t’i mbajtur asetet e Moskës të ngrira, derisa kjo e fundit të pajtohet për ta kompensuar Ukrainën.
Qeveria ka thënë, po ashtu, se do të krijohet një sistem i ri, ashtu që asetet e ngrira të dhurohen për rindërtim të Ukrainës. Këto plane janë bërë të ditura, teksa Britania përgatitet për të qenë mikëpritese e një konference për rindërtim të Ukrainës, javën tjetër.
Në fokus do të jetë rritja e mbështetjes ndërkombëtare për rindërtim të Ukrainës nga lufta, dhe sesi sektori privat do të mund të përfshihet në rindërtim.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë – në shkurt të vitit 2022 – Britania ka ngrirë asete në vlerë të më shumë se 23 miliardë dollarëve dhe i ka sanksionuar mbi 1.550 individë rusë.
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly, ka thënë se rindërtimi i Ukrainës duhet të bëhet shpejt dhe se masat e reja “do të sigurojnë që Rusia të paguajë për riparim të shtetit që e ka sulmuar”.
Sipas kalkulimeve të Bankës Botërore, Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Evropian, besohet se për rindërtim të Ukrainës do të duhen më shumë se 400 miliardë dollarë. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Marrë nga RE
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)