Connect with us

Politike

Certifikimi i rezultatit të 11 Majit, PD kërkesë KQZ-së: Na vini urgjentisht në dispozicion provat!

Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, teksa ky insiticuin për dy ditë me radhë ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit në 8 Qarqe, teksa janë në proces edhe 4 Qarqet e fundit.

Kërkesa e demokratëve përmban 5 pika, ku ata kërkojnë konkretisht që KQZ t’i dërgojë informacion në lidhje me qarqet ku është certifikuar rezultati.

“Subjekti zgjedhor, koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM), për efekt të ushtrimit efektiv të së drejtës së ankimit të saj, ndaj vendimeve tuaja për miratimin e tabelave të rezultateve të miratuara nga ana juaj, kërkon nga KQZ – për secilin Qark që KQZ ka miratuar rezultatet – vënien urgjentisht në dispozicion të provave”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e PD.

PD kërkon nga KQZ:

1) Raporti i kryqëzimit të të dhënave te PEI për të gjitha Qendrat e Votimit në secilin Qark -Zonë Zgjedhore.
2) Dokumenti i shkruar dhe/ose Regjistri i nënshkruar personalisht nga çdo zgjedhës në Diasporë, që vërteton marrjen personalisht të zarfit me materialet zgjedhore nga secili zgjedhës në adresën e regjistruar nga ky i fundit në KQZ (Ose, në të kundërt, dokumentacionin që vërteton se zarfi, i cili nuk është dorëzuar personalisht tek zgjedhësi,është kthyer nga DHL pranë KQZ-së)
3) Raportin e Audituesit Teknicien lidhur me problematikën e listave të zgjedhësve në secilin Qark – Zonë Zgjedhore.
4) Kopje e te gjitha Regjistrave të Posaçëm e çdo QV në secilin Qark – Zonë Zgjedhore.
5) Kopje e të gjitha Proces-Verbaleve në çdo QV dhe për secilën KZAZ, në secilin Qark – Zonë Zgjedhore.

Demokratët vazhdimisht e kanë kontestuar zgjedhjet e 11 Majit, të cilat i konsiderojnë si farsë dhe si të manipuluara dhe të vjedhura, teksa pak ditë më parë iu drejtuan KQZ me kërkesë që pa i bërë audit me ekspertë ndërkombëtarë procesit të votimit të diasporës, të mos certifikohej rezultati.

Advertisement