Bota
Covid – Mike Pompeo futet në karantinë
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo është në karantinë pas takimit me një person që ka rezultuar pozitiv me koronavirus njoftoi të mërkurën Departamenti i Shtetit. Por vetë zoti Pompeo ka rezultuar negativ.
Diplomati i lartë amerikan “po monitorohet nga afër nga ekipi mjekësor i departamentit”, tha një zëdhënës. Departamenti shtoi se “për arsye privatësie”, nuk do ta identifikonte personin e infektuar, me të cilin zoti Pompeo ra në kontakt.
“Sekretari është testuar dhe ka rezultuar negativ”, tha zëdhënësi, por në përputhje me udhëzimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “ai do të futet në karantinë.”
Nuk dihet se si zoti Pompeo ra në kontakt me dikë të infektuar me korovirus. Të martën, ai organizoi një festë në mjediset e brendshme të Departamentit të Shtetit, por gazeta Washington Post njoftoi se vetëm disa dhjetra vetë nga 900 të ftuar, anëtarë të familjeve të diplomatëve që shërbejnë jashtë vendit, morën pjesë në aktivitet për shkak të paralajmërimeve se mund të shndërrohej në një ngjarje që mund të nxiste përhapje të madhe të virusit. Zoti Pompeo e kishte anuluar fjalimin e planifikuar për t’u mbajtur gjatë aktivitetit.
Javën e kaluar, senatori demokrat i Nju Xhersit Bob Menendez bëri thirrje që zoti Pompeo ta anulonte festën për të shmangur, siç tha, “rrezikun nga pakujdesia mbi shëndetin” për punonjësit e departamentit dhe stafin që do të merrej me festën.
Ndërsa në SHBA ka nisur procesi i vaksinimeve, numri i infeksioneve të reja vazhdon të rritet në dhjetëra mijëra në ditë. Prej fillimit të pandemisë në vend janë regjistruar më shumë se 16.7 milionë infeksione dhe mbi 305,000 viktima, bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.