Aktualitet
Dera mbyllur, grupi i Berishës zbarkon në selinë e PD-së: Të shtunën do i japim xhevapin
Sot për herë të dytë në këtë vit që sapo ka nisur grupi i Berishës u drejtua rreth orës 11:00 drejt selisë blu, por dera kryesore, ashtu si dje ishte e mbyllur. Aldo Bumçi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri tentuan që të hynin brenda por dera nuk u hap. Deputeti Aldo Bumçi u shpreh se Lulzim Basha e ka kthyer selinë e partisë në bunker dhe se më datë 8 Janar do të çlirohet. “Kemi ardhur këtu me drejtuesit e tre degëve të Tiranës, me Gentin dhe Ivin dhe kishim caktuar një mbledhje pune dhe vend tjetër për ta bërë përveç shtëpisë sonë nuk ka. Kjo është kthyer në një shtëpi e mbyllur. Është kthyer në një bunker. Kujt i shërben kjo? Të gjejë dikush një të mirë publike, një interes, që opozita të kthehet në burg, bunker.
I shërben vetëm Bashës që të mbajë karrigen e tij dhe Ramës. Opozita është në këmbën ditën e shtunë do ta çlirojë këtë bunker, do ta kthejë në shtëpinë e madhe të demokratëve. Opozita duhet t’i ketë dyert e hapura. I dhamë kohë për një arsye se duam të mirën e opozitës dhe demokratëve. Ai vullnet do të shkojë në vend” tha deklaroi Aldo Bumçi.
Gent Strazimiri ishte edhe më i ashpër në fjalën e tij përpara mediave. Ai tha se të shtunën “do të marrin xhevapin. Janë 44 mijë vetë që duan të hyjnë në PD më datë 8.”.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh dje se për të hyrë në seli në këto ditë kur po bëhet rikonstruksioni i godinës, duhet të njoftohet më parë. I pyetur nga gazetarët nëse është ndjekur kjo procedurë, Bumçi tha “Ku ta marrim lejen te E-Albania për të hyrë te godina?”.
Dje ishte afati i fundit që Sali Berisha i kishte lënë Lulzim Bashës për të dalë nga zyra, ndërsa ditën e shtunë njoftoi protestën dhe deklaroi se “do ta nxjerrim butësisht”.
Strazimiri: Janë 44 mijë veta që do kërkojnë të hyjnë në seli
“Ky oborr është oborrti i shkretëtirës së madhe, kjo godinë e mbyllur kështu është godina e zbrazëtisë së madhe. Sot nëse do kishte ndërmend të bënte betejë nuk do ishte në kafe se nuk i fton gazetarët që mos shohin sekretet që ka. Sot ky oborr duhet të gumëzhinte në betejë kundër regjimit. Ky oborr i zbrazët tregon frikën e tij nga demokratët jo më nga regjimi, ky me regjimin e ka grurë. Çështje autorizimesh? Është revolucioni më burokratik që po organizojmë.Janë 44 mijë veta që do të kërkojnë të hyjnë në seli në datën 8 janar, këta tani po bëjnë 44 mijë autorizime gati në rastin më të mirë që ti thonë këtij a do futen apo jo?Edhenë kryeministri nuk futesh dot me këto procedura. Këta thjesht kanë ndërmend ta mbajnë të zbrazin e ta mbajnë të shkretë këtë oborr. Në datën 8 do marrin xhevapin kjo është shtëpia e demokratëve ky oborr nuk mund të qëndrojë më i zbrazët dhe i shkretë”, tha Strazimiri.
FRPD: S’na lejojnë të zhvillojmë mbledhjen! Mbyllja e dyerve është për mendimin ndryshe, e turpshme
Një grup të rinjsh kanë shkuar ën selinë blu me shpresën për të hyrë brenda, por sërish janë hasur me dyer të mbyllura. Ata e cilësojnë këtë veprim të turpshëm dhe është një mbyllje dyersh për mendim ndryshe.
“Jemi thirru për të bërë një mbledhje për zhvillimin e protestës më 8 janar , por nuk lejohemi të hyjnë në seli për të zhvilluar mbledhjen. Kjo është një situatë e turpshme, kjo seli nuk është pronë e askujt por e demokratëve dhe t’i mbyllesh derën të rinjve është e paprecedentë. Nuk ka nevojë të lajmërohet administratë për çdo hyrje, ne kemi hyrjen dot në FRPD. Nuk jemi ne rrezik për këtë seli por duam thjeshtë të zhvillojmë një mbledhje. Kjo është një mbyllje dyersh për cdo mendim ndryshme. Ne do të jemi në protestë më 8 janar”, u shprehën ata.