DOSSIER
Dëshmia e akademikut Ylli Popa: Më thirri Nexhmija urgjent dhe më mbuluan djersë të ftohta…
Nga Blendi Fevziu
Mjeku dhe akademiku i njohur, Prof. Dr. Ylli Popa, me origjinë nga një familje e njohur me tradita intelektuale nga qyteti i Elbasanit, i diplomuar për Mjekësi në Bukuresht dhe në Moskë, në fundin e viteve ’50-të, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe themelues i shkollës shqiptare të Kardiologjisë, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1997 deri në 2007-ën, ish-deputet i Kuvendit Popullor para viteve ’90-të, i dekoruar me medalje dhe urdhra të ndryshme, si dhe me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, në vitin 2007, një rrëfim të gjatë për jetën dhe karrierën e tij si mjek dhe akademik, ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Në rrëfimin e tij, Prof. Popa, është ndalur gjatë, duke treguar si u bë mjek i Enver Hoxhës, si mjekohej diktatori, takimi me Nexhmijen e Ramizin natën e fundit kur vdiq Enver Hoxha dhe si u njoftua lajmi, etj. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh intervista e tij që po e publikojmë në disa numra.
Z. Popa, për 10 vjet, Enver Hoxha flinte me elektroda?!
Jo, jo çdo natë. Në raste nevoje, kur paraqitesh rasti, sipas indikacioneve mjekësore, ai pranonte këtë dhe sigurisht ne nuk rrinim në dhomë, por kishim rregulluar në mënyrë të tillë, që fijet e elektrodave, të ishin të gjata edhe aparati të ndodhej jashtë dhomës së tij. Por, ato elektrodat regjistronin aktivitetin. Të them të vërtetën, kur bëhej një veprim i tillë, mua më pëlqente.
Më pëlqente, sepse Enveri flinte atje, unë e kuptoja nga aparatura që ai ishte i qetë e po flinte dhe e ndiqja të gjithë aktivitetin e zemrës. Por, vendi jonë ku ndiqnim aktivitetin e Enverit, ishte në bibliotekën e tij, me libra shumë të mrekullueshëm.
Në ç’gjuhë ishin librat në bibliotekën e Enverit?
Në frëngjisht kryesisht. Ai madje porosiste libra nga jashtë, që herë pas herë i vinin pakot e librave edhe ai kënaqesh vetë. E kishte si ditë feste hapjen e librave, sepse ishin libra luksozë, të tipave të ndryshme dhe kënaqej me to.
Ai lexonte shumë vetë edhe kishte një kulturë, një bagazh shumë të mirë. E pra, ne vendosnim atë aparatin në darkë, se do të rrinim gjithë natën atje. Vendosej një termos me kafe të ngrohtë, edhe një pjatë me mollë, edhe mund të pinim kafe, që të mos flinim.
Unë nuk doja të flija, sepse doja të shëtisja në bibliotekë. Një natë, isha vetëm tek aparati. Duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër. Ishin kujtimet e Lavrenti Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik të periudhës së Stalinit.
Berja ishte gruzin, nga Gruzia, nga Gjeorgjia, si vetë Stalini. Kujtimet e Berjas, u bëra kurioz edhe e mora librin, e fillova të lexoja disa gjëra. Formova bindjen, sikur nuk ishin tamam kujtime të vërteta të tij. Duke kaluar fletët, kur shikoj nga mesi i librit, një faqe të nënvizuar.
Ishte nënvizuar nga Enver Hoxha?
Duket nga Enveri. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar, më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: “Thirra në zyrë profesor Llukomskin”.
E i thoshte që; “unë të kam thirrur këtu, për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu, nuk do t’ia tregosh njeriu. Po që nga kjo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar”. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u mbush me djersë, e natyrshme kjo.
I thotë; “Di ti ndonjë ilaç, që mund të shkaktojë ngritjen e përnjëhershme të tensionit të gjakut”? Unë të thashë më sipër që Stalini, vuante nga hipertensioni. Por, i thoshte që; “nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin nëse ekziston”. Por, kur doli ky, i tha që; “të kesh kujdes, se do të jesh i survejuar”. Ky nuk kishte rrugë tjetër, vetëm që ta çonte ilaçin. Edhe e çoi ilaçin.
Në atë kohë Stalini, bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike (ishte mbas Luftës së Dytë Botërore), mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së Luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat, etj., etj.
Një natë, thotë Berja; “unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë, ishte pak e prekur. Na kërkoi falje, se shkoi në banjë më duket. Unë pashë majtas-djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxora nga xhepi ampulën, e theva edhe e hodha në gotë.
Vjen Stalini, ulet edhe ngre gotën dhe thotë: ‘Hajde të pimë’. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas, mos më ke hedhur gjë këtu brenda. Ky u tmerrua, por e mbajti veten edhe i tha: ‘Jo shoku Stalin, si ta bëj këtë’?! Pastaj Stalini i tha, që; “bëra shaka edhe e piu gotën”.
Kjo qe nata e fundit e Stalinit?
Më duket se kjo qe nata e fundit, sepse unë kam lexuar edhe librin e të bijës së Stalinit, Svjetllana Alilujeva, “23 letra një mikeshe”, madje duhet ta kem në shtëpi. Ajo tregon që Stalini, nuk ishte i rregullt në mjekimin e hipertensionit.
Madje, kishte një shërbyese atje në apartament, që i mbante ilaçet në një komodinë, edhe i jepte kokrrat. Ajo kur shkoi të nesërmen në mëngjes, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit kishte rënë dhe ishte në gjendje koma.
Kjo ishte pjesa që Enver Hoxha kishte nënvizuar?
Sigurisht dhe ja thashë Petrit Gaçes, në radhë të parë. Edhe ai më tha: “O bo bo, jemi në rrezik”?!
Profesor, po flisnim më parë për frikën që ekzistonte te grupi i mjekëve të diktatorit Hoxha. A kishte raporte personale midis jush dhe liderit komunist, apo ishin vetëm raporte pune?
Në përgjithësi ishin marrëdhënie pune. Domethënë, ne shkonim kur na thërrisnin, kur kishte ndonjë shqetësim, ose thjesht për t’i bërë një matje tensioni, një kontroll të zemrës, e kështu me radhë. Unë e kuptoja që ai nuk e ka mendjen te ne, në kokë kishte problemet e tij të mëdha, edhe ikte: “Tungjatjeta, tungjatjeta”.
Por, kishte raste kur vetë Enveri, të ngacmonte që të flisje, në sensin që ai donte të dinte, për shembull, sigurisht kur ai bënte pyetje, në lidhje me spitalin, ose kur dëshironte të bisedonte për libra.
Për çfarë lloj librash bisedonit?
Më nxiste vetë për libra dhe ai kishte një memorie të jashtëzakonshme, mbante mend shumë emra, autorë, ngjarje, ata të luftës i dinte, shtëpitë ku kishin qenë të strehuar në kohën e Luftës, i dinte të gjitha.
Çështjen e librave e kishte shumë qejf, ai kishte kuptuar që edhe unë kisha lexuar, që e kisha pasion dhe që e kam edhe tani, për librat dhe leximin.
Cila ishte pjesa që i interesonte më shumë nga letërsia apo nga librat në përgjithësi?
Ai edhe romanet i dinte, edhe librat historikë, edhe librat filozofikë, i shikoja nga biblioteka.
A kishte ndonjë admirim për ndonjë personazh të caktuar historik?
Jo, nuk e kishte shprehur. Për të thënë të vërtetën, ai emocionohej shumë për Kosovën. Unë kam dëgjuar shumë gjëra, që e shiti, e bëri…! Duhet ta kesh që ta shesësh, kur nuk e ke, nuk ke çfarë mund të shesësh.
Grupi i mjekëve që merrej me mjekimin e Enver Hoxhës, ishin vetëm shqiptar apo edhe mjekë të huaj?
Jo, ka pasur edhe mjekë të huaj.
Ishte një mjek francez, që ishte Pol Miljezi, që vinte. Para se të shkoja unë, ai takohesh me të, nuk e di nëse e vizitonte apo jo, por gjithsesi, kishte dijeni për shëndetin e tij. Më kujtohet që në një vizitë që më thirrën mua të bëj, në shtëpinë e vjetër, ne kishim transferuar shërbimin tonë mjekësor, në një dhomë, që të ishte afër atje.
Ky ishte në një dhomë që kishte një vatër, një oxhak të ndezur, ka disa ditë që ka dalë nëpër gazeta, Enveri aty me një shall me ngjyra katrore dhe zjarri ndezur. Unë po kërkoja veten time aty, se mos e gjeja te ajo foto. M’u kujtua episodi që po të përshkruaj tani.
Më thirri Enveri atje, ishte edhe Nexhmija. Ajo ishte gjithmonë e pranishme aty. Gjatë asaj kohe, kishte një dobësi, një këputje. Unë e pashë me stetoskop, pashë që i kishte shumë të çrregullta rrahjet e zemrës. Ne i themi “bigemini”, kishte një rrahje normale dhe një rrahje jonormale. Ky është një fenomen, që ndodh shumë edhe te njerëzit e shëndoshë e, nuk preokupohemi shumë.
Por, kur ndodh te një i sëmurë, që sapo ka kaluar infarktin e miokardit, është shumë e rëndë për neve, sepse ajo mund të transformohet në çdo çast, themi ne, në çdo moment, në; “fibrilacion ventricular”. Domethënë, që zemra nuk rreh më, por fibrilon. Unë e pashë, që ai po më shikonte me kujdes. U mundova që ta mbaj veten. Aty e pashë veten që u mbulova me djersë të ftohta”.
Nga gjendja e tij, edhe nga rreziku që mund të paraqitesh nga kjo bigemini. Pastaj vendosëm që të bisedoj me Miljezin. Miljezi krijoi një grup specialistësh francezë, një ekip si tonin këtu, të cilët do të ishin në korrent, me ndryshimet që do të kishte Enveri gjatë sëmundjes.
Të gjitha analizat tona këtu, shkonin atje, ato i analizonin dhe dërgonin mendimin e tyre. Në një moment të caktuar më thërret Hysni Kapo, në zyrë. Ai më thotë: “Duam që të sjellim mjekë nga jashtë, si thua të sjellim nga Perëndimi apo nga Kina, Lindja”.
Unë i them që ata të Perëndimit, që unë i njoh më mirë, janë specialistë shumë të mirë, sigurisht, por kanë disavantazhin, që ata vijnë edhe ikin. Kurse mjekët kinezë, mund të vendosen për një farë kohe këtu, i ke në dispozicion. Kjo na interesonte më shumë. Edhe ata e vendosën më vonë vetë, që të vijë një ekip nga Kina.
Jo, njëri ishte kardiolog. Një mjek shumë i dëgjuar kardiologjie, që kishte mbaruar në SHBA-ës, sepse ata kështu e kishin. Ai kishte qenë edhe mjeku i Ho Shi Minit, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Vietnamit, pasi edhe ai kishte bërë infarkt miokardi përpara pak kohësh, e ai shkonte e vinte me avion special te Ho Shi Mini, për ta mjekuar.
Për sa kohë qëndroi grupi kinez?
Grupi kinez qëndroi gjatë, ndoshta dy muaj.
Me ilaçet e Enver Hoxhës merreshit ju, apo kishte njerëz të besuar?
Kjo ishte e rregulluar në këtë mënyrë. Neve si ekip mjekësor, vendosnim që duhet ky ilaç, edhe jepnim indikacionin. Ilaçi, blihesh nga një grup tjetër njerëzish, ku kishte edhe njerëz të Sigurimit brenda, e sillesh ilaçi këtu, depozitohesh në farmacinë e familjes.
Atje kishin një infermiere, shumë të mirë, shumë të besës, që e donte seriozisht Enverin, edhe vetëm ajo mund të futesh në farmaci.
Vetëm ajo ishte personi i besuar që mund të depërtonte në farmacinë e familjes dhe t’i jepte ilaçe Enver Hoxhës?
Ajo hynte dhe dilte aty. Ajo i jepte infermieres së turnit, që t’ia jepte Enverit. Kishte një kontroll shumë të fortë.
Në ç’kuptim? Ka pasur fjalë, që sikur mjekët kanë ndikuar për të përshpejtuar vdekjen e Enver Hoxhës?
Nuk ka mundësi. Ne ishim 10 mjekë atje. Propozimi i ilaçit që do të jepej, një paracetamol, një vitaminë, do të shtrohej në konsultë. Ilaçe pa konsulta, nuk jepeshin.
Në disa kujtime të nxjerra në një gazetë, ju jeni shprehur që në një moment para vdekjes së tij, ju edhe profesor Bajram Preza, keni sjellë një ilaç, për parkinsonin, e nuk ja dhatë. A mund të ma shpjegoni këtë detaj?
Po, ia kam kujtuar edhe Ramiz Alisë, në një konferencë, ai nuk e mbante mend dhe pastaj u kujtua. Domethënë, neve kishim diagnostikuar, Bajram Preza, se ishte një sëmundje neurologjike parkinsoni, një sëmundje e rëndë.
E kishte të rënduar parkinsonin Enver Hoxha?
E kishte të rënduar. Bajram Preza ngulte këmbë, që ka parkinson. Kjo u shkoi mjekëve francezë dhe neurologu francez, mendoi që nuk i dukej se ishte ashtu, duke mos e parë të sëmurin, por e mendoi nga përshkrimet, nga ekzaminimet. Atëherë u vendos që Bajram Preza dhe unë, të shkojmë në Vjenë.
Atje ishte një profesor shumë i dëgjuar, me famë botërore, për parkinsonin, Birkmajer, kështu quhej. Mirëpo, pse shkova edhe unë këtu, se unë isha kardiolog, por ilaçet që jepeshin për parkinsonin kishin veçori, që irritonin anomalitë e rrahjeve të zemrës.
Domethënë, ato jepnin bigeminira, ekstrasistola. Unë i thosha: “Hë more Bajram…”? Ai më thoshte: “Ky është ilaçi”. “Po çfarë ilaçi, – i thosha, – se më prish punë mua”?! Atëherë shkuam ne të dy te Birkmajeri, ai e konfirmoi diagnozën e parkinsonit, nga përshkrimi, nga të gjitha të dhënat, edhe i thashë unë: “Dakord i jepni ilaçe, por këto i japin shtime të rrahjeve të zemrës”.
“Shiko, – më thotë, – unë kam një ilaç, që po e provoj vetë tani”. Sipas propozimit të tij, ishte prodhuar ky ilaçi. Më thotë që; “kam mjekuar 70 vetë deri tani edhe e shikoj që ka rezultate të mira në këtë drejtim”.
“Po të doni, – na tha, – mund t’ju jap disa kokrra, që ta provoni edhe ju”. “Dakord, i thamë, – faleminderit”. E shkon ai edhe sjell një shishe peniciline, pak më të madhe, por me tapë llastiku, peniciline. Aty kishte 10 kokrra, nga ky lloj ilaçi dhe i thamë: “Faleminderit”.
Kur erdhëm ne nga Vjena, në aeroport na priste makina e Sulo Gradecit. U futëm në shtëpinë e Enverit. Aty në bibliotekë, na priti Ramiz Alia dhe Nexhmija. U ulëm të katër në tavolinë. Filloi profesor Preza, të tregojë për profesor Birkmajer dhe në një moment, bie zilja e telefonit të shtëpisë.
Pastaj na thotë Nexhmija që më kërkon Enveri lart, ishte në shtrat Enveri, sipër. Edhe na tha që ne të vazhdojmë, se do të vinte shpejt. Bajrami vazhdoi të bënte shpjegimin e tij, kjo rastisi me ilaçin, që na dha profesori në Vjenë, e nxori ilaçin edhe ia dha Ramizit. Nexhmija nuk ishte aty, ishte sipër. Ramizi e mori ilaçin, e pa dhe…! Memorie.al