Connect with us

Aktualitet

Dhuna mes të rinjve: Përtej kërkesave materiale, prindërit duhet të fokusohen në vlera

“Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat.

Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.

“Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.

Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.

Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.

Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale
Të dhënat që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.

Si përkufizohet dhuna mes të rinjve?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhuna mes të rinjve i referohet dhunës që ndodh mes individëve të moshës 10-29 vjeç, të cilët nuk kanë lidhje mes vete dhe mund edhe të mos njihen.

Kjo dhunë, zakonisht, ndodh jashtë shtëpisë.

Ajo përfshin një sërë aktesh, nisur nga ngacmimi dhe grindja fizike e deri te sulmet më të rënda seksuale dhe fizike ose vrasja.

Dhuna mes të rinjve rezulton në vdekje, lëndime, paaftësi dhe pasoja afatgjate shëndetësore, përfshirë probleme të shëndetit mendor.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.

“Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja.

Çka çon në dhunë mes të rinjve?
Dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm, thonë nga organizata “Terre des hommes Kosovo”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.

Pajtim Zeqiri nga kjo organizatë thotë se, në bazë të hulumtimeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në familje.

“Tendenca që fëmija, pastaj, ta përdorë dhunën si mjet të zgjidhjes së konfliktit me të tjerët, në këtë rast me bashkëmoshatarët, është shumë e lartë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se neglizhenca e prindërve, në kuptimin e përkujdesjes, është “një nga problematikat më të mëdha në kuptimin e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve që kanë tendenca të shfaqjes së agresivitetit dhe dhunës”.

Gjatë vitit 2023, Policia e Kosovës evidentoi mbi 2.000 raste të dhunës në familje dhe, krahasuar me dy vjetët paraprakë, shifrat ishin në rritje.

“Thjesht, nuk po i promovojmë aq sa duhet vlerat e një shoqërie, siç janë: toleranca, diversiteti dhe empatia”, thotë Danuza, profesoreshë e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Nuk po japim model se si duhet të zgjidhen problemet në mënyrë paqësore, e jo përmes shpërfaqjes së dhunës ose agresivitetit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, nuk mjafton që prindërit t’i përmbushin vetëm kërkesat materiale të fëmijëve dhe të jenë pranë tyre vetëm fizikisht.
Ata duhet të kalojnë “shumë e më shumë kohë” me ta dhe “t’i mësojnë për vlerat e rëndësishme në shoqëri”.

“… sepse, vërej që gati në të gjitha mediat digjitale dhe të shkruara shpërfaqen role të ndryshme të individëve – mund të jenë edhe fiktivë – por qasja e të fortit prezantohet si vlerë. Dhe kjo është një gjë shumë e gabuar”, thotë Danuza.

Si të parandalohet kjo dukuri?
“Prindërit, definitivisht, duhet të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre”, thotë sociologu Artan Krasniqi.

“Kontroll mbi atë se çfarë bartin me vete, ku rrinë dhe çfarë shikojnë në telefonat e tyre”, shton ai.

Në kohën e bumit digjital dhe të rrjeteve sociale, Krasniqi thotë se duhet gjetur mënyra për të mposhtur “konkurrencën aspak të drejtë” me mediat sociale, ku fëmijët mund të marrin shembuj të këqij se si të sillen.

Në këtë aspekt, sipas tij, edhe shkolla duhet ta ketë rolin prijës në edukimin e një qytetari të përgjegjshëm dhe jo të dhunshëm.

Krasniqi thotë, po ashtu, se sistemi i drejtësisë në vend duhet të punojë më shumë që “të ngjizë te qytetarët bindjen se secili që kryen një vepër të dhunës, do të ndëshkohet në mënyrë meritore”.

“Përtej vënies së drejtësisë, kjo do të mund të shërbente edhe në parandalimin e dhunës”, thotë ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thotë se Kosova e ka të ndërtuar një sistem që e bazon drejtësinë penale në interesin më të mirë të të miturve.

Ehat Miftaraj nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se kryerësve të mitur të veprave penale, u shqiptohen kryesisht masa edukative.

“Privimi nga liria shqiptohet vetëm si mjet i fundit dhe kufizohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Miftaraj thotë se nuk mund të ofrojë më shumë detaje, sepse seancat gjyqësore për të mitur nuk janë publike dhe në dosjet e tyre nuk ka qasje askush.

Rasti Aulon Zeka
Një prej rasteve të tjera të dhunës mes të rinjve që rezultoi me vrasje, ndodhi në vitin 2017 në Prishtinë.

Aulon Zeka, atëkohë 16 vjeç, u qëllua për vdekje në afërsi të një shkolle.

Gati shtatë muaj pas vrasjes, tre të miturve që u gjykuan për këtë vepër, iu shqiptuan dënimet.

I mituri i parë u dënua me 9 vjet e 6 muaj burgim për të mitur; e dyta mori masë edukative-korrektuese prej 3 vjetësh, ndërsa të tretit iu shqiptua mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë.

Miftaraj thotë se në rastet kur fëmijët kryejnë vepra penale, përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të kërkohet vetëm tek institucionet e drejtësisë, por edhe te faktorë të tjerë, që përfshijnë familjen dhe shkollat.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës shprehin shqetësim për rastet e dhunës mes të rinjve, por një pjesë të përgjegjësisë ua hedhin, po ashtu, shkollave.

Sipas kryetarit Besnik Dragusha, ka raste kur fëmijëve në shkolla u gjenden thika e armë të tjera të ftohta.

“Shkollat duhet të kenë masa të shtuara të sigurisë, kamera e kontrolle”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit, edhe asaj të Drejtësisë, por asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj.

Në një deklarim të mëhershëm për REL-in, Ministria e Arsimit tha se dhuna në shkolla, si fizike ashtu edhe verbale, luftohet “sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për mbrojtje të fëmijës, dhe sipas detyrimeve që dalin nga Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”.

Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se përse shkollat nuk kanë psikologë dhe nëse ka plane për përfshirjen e tyre – gjë që, sipas psikologes Danuza, është e domosdoshme.

Praktikat e vendeve të tjera
Shkollat në 23 shtete të SHBA-së, prej vitesh, kanë aktivizuar një sistem online, përmes të cilit nxënësit, në mënyrë anonime, mund të raportojnë sjellje të pazakonshme të nxënësve të tjerë.

Ky sistem u shërben më shumë se 5 milionë nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të 12-tën.

Një studim, që u publikua javën e kaluar në revistën Pediatrics, analizoi se sa i suksesshëm ishte ai në identifikimin e kërcënimeve të lidhura me armë zjarri.

Hulumtuesit zbuluan se në periudhën 2019-2023 u bënë mbi 18.000 raportime në sistemin e njohur si SS-ARS.

“Ajo që gjetëm është se 10% e raportimeve përmbanin referenca për armë zjarri”, tha për mediat amerikane Elyse Thulin, profesoreshë në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve nga Armët e Zjarrit në Universitetin e Miçiganit dhe autore kryesore e studimit.

“Të rinjtë po i drejtohen SS-ARS-it për të dhënë informacione për ato që mund të jenë situata shumë të rrezikshme”, tha ajo.

Në SHBA, dhuna me armë është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve dhe adoleshentëve që nga viti 2020, kur i tejkaloi aksidentet automobilistike.

Faktorët kryesorë që përmendin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmunjdve në SHBA për parandalimin e dhunës mes të rinjve, përfshijnë: promovimin e një mjedisi familjar që mbështet zhvillimin e shëndetshëm, ofrimin e shkollimit cilësor, si dhe forcimin e kapaciteteve të të rinjve.

Aktualitet

Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën kur supozohej ta arrestonin, ai u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit dhe bëri një vrap të lehtë në të njëjtën shteg të parkut të liqenit ku kishte nisur prej javësh ushtrimet fizike, veçse atë ditë ajri dukej më i ngarkuar, a thua se ishte mbushur me pëshpëritje e thashetheme për një ngarje të madhe që pritej të ndodhte.

Për javë e muaj me radhë, që nga gushti i vitit të shkuar, kryeqyteti nuk ishte bllokuar nga trafiku, por nga parashikimet e analistëve, gazetarëve dhe komentatorëve politikë, të cilët paralajmëronin me një siguri profetike dhe kënaqësi që nuk e fshihnin dot se Ai, një politikan jo pa ndikim, do të arrestohej së shpejti.

Një tufë të ftuarish dhe tuafësh televizivë nën regjinë e moderatorëve gjithnjë të habitur, flisnin sikur të kishin qenë prapa kurrizit të gjykatësit që kishte firmosur urdhërin e arrestit. Detajet shkonin deri aty sa jepej jo vetëm ora, dhe vendi, por edhe se si do të ndodhte arrestimi.

Kafetë, që zakonisht gumëzhinin nga zhurma e ekspresit ishin shndërruar në falltore. Kokat e klientëve lëviznin sa nga filxhanet e kafeve te ekranet e mëdhenj duke, pritur me stoicizëm rënien e njeriut që kishte ecur në korridoret e pushtetit për 30 vjet me lehtësinë e dikujt që besonte se ishte i paprekshëm. “Durim a derëzi. Është vetëm çështje kohe,” “Akuzat mund të jenë të dobta, por provat janë shumë të forta”..

Gazetat, që në këtë vend historikisht kanë thënë vetëm të vërtetën, edhe të shtunen dolën me tituj të mëdhenj për arrestimin. Drejtuesit e emisioneve të mengjesit lexonin titujt si skenat përfundimtare të një drame politike që pritej të ndodhte orë e çast. Titujt që lexoheshin nga televizionet në mëngjes i referoheshin bisedave të darkës në ekran ku shkëlqenin fytyrat serioze të analistëve që analizonin çdo lëvizje të kaluar të Atij si të ishte një gjurmë që zberthente enigmën që do të çonte në fundin e tij të pashmangshëm.

Por në rrugë, jeta vazhdonte me ritmin e saj të zakonshëm. Leku, monedha vendase kishte shtrirë përtokë dhe po i merrte frymën euros dhe dollarit. 30 mijë profesionistë të lirë po lexonin faturat e Tatimeve per fitimin e 2024. Paradhenie! Qeveria vijonte me numërimin e turisteve që vinin nga vendet e BE-se, ndërsa Eurostat numëronte shqiptarët që kërkonin azil në BE!

Dita zgjatej çdo ditë me minuta në kurriz të natës, ndërsa entuziazmi i mëngjesit zbehej nën peshën e diellit të pasdites. Por me rënien muzgut, rritej siguria e babavangave të banaqeve televizive.

Ndërkohë ai e mbylli ditën e ngjeshur me aktivitete fizike dhe postime në Facebook. Në orët e vona u pa në një kafe në qendër të Tiranës, duke qeshur me zë të lartë mbi një filxhan makiato. Njerëzit rreth e rrotull kishin porositur kafe turke, në një përpjekje për të lexuar fatin e tij.

Mbrëmja erdhi dhe shkoi, dhe asnjë sirenë nuk u dëgjua, përveç sirenave të ambulancave që pas djegies së urgjencës silleshin të çoroditura sa nga një spital në tjetrin. Drama nuk ndodhi.

Gazetarët e kronikës që prisnin me minuta ngjarjen e madhe befas u qetësuan si pëllumbat që çukisnin copa buke në sheshin e para Universitetit. Diçka nuk shkonte mire me burimet. Spektakli i pritur nuk ndodhi.

Ndërsa nata zbriti mbi Tiranë, një erë e freskët fëshfërinte përmes rrugëve, ndoshta si një ndjesë për stuhinë që kurrë nuk erdhi. Analistët nga istikamet e tyre në ekran i bënë thirrjen e radhës prokurorisë të mos luante me parashikimet e tyre, ndryshe do të përballeshin me zemërimin popullor.

Po afroheshin Pashkët dhe vendi (bashkë me njerëzit) e meritonte një shi (dush) të mirë.

Continue Reading

Aktualitet

Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar

Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.

Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.

Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.

Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Mbetën të bllokuar në det, shpëtohen 11 turistë në Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë shpëtuar 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Momentet e fundit të dy viktimave në Kurbin, zetori rrokulliset dhe…

Pamjet e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në 10 Prill në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë publikuar duke shfaqur momentet e fundit të dy personave që mbetën të vrarë pas incidentit.

Siç duket edhe në video, zetori me të cilin udhëtonin 60-vjeçari Ismajl Ismaili dhe 21-vjeçari Gjin Muhaj, të dy banues në Mirditë, përmbyset dhe bie në kanal.

Nuk është e qartë se përse zetori ku ndodheshin dy viktimat është përmbysur duke sjellë edhe vdekjen e tyre, por dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin për një moment.

 

 

Të dy ishin nisur për të punuar tokën e 60-vjeçarit, i cili kishte punësuar të riun, por të dy humbën jetën pasi nuk kanë arritur të shpëtojnë pasi zetori i ka zënë poshtë.

Continue Reading

Aktualitet

Vrau një shqiptar në Gjermani dhe rrëmbeu një tjetër në Belgjikë, Interpol në kërkim të vrasësit turk me “armë të artë”

Gjermania në bashkëpunim me agjencinë ndërkombëtare të policisë Interpol, kanë shpallur në kërkim një vrasës 30-vjeçar të quajtur, Ferhat K. Ky i fundit është cilësuar si vrasësi me “armë të artë”, pasi përdor një pistoletë ari për vrasjet e tij. Ferhat K., i cili dyshohet se ishte vrasës i bandave të drogës dhe i qëllon viktimat e tij në kokë dhe penis, mendohet se është arratisur në Turqi.

Autoritetet gjermane pas nisjes së hetimeve për vrasjen e 27-vjeçarit shqiptar Alonso Hysneli alias Reols Hysneli, trupi i të cilit u gjet pesë muaj më parë pranë qytetit Utersen, u vunë në ndjekje të Ferhat K. si autori kryesor i dyshuar

Shqiptari u qëllua me plumb në kokë dhe u ekzekutua si pasojë e një mosmarrëveshjeje për shpërndarjen e drogës në një bar nargjilesh të pashfrytëzuar. Raportohet se Ferhat K. ka rrëmbyer për herë të fundit një shqiptar në Belgjikë duke e qëlluar më pas, ndërkohë që viktima mezi ka shpëtuar pas disa operacioneve.

Në vitin 2016, ndërsa Ferhat K. donte të merrte të fejuarën e tij Aline P. nga një diskotekë, se ai ka plagosur lojtarin e skuadrës St. Paul, Armin B., duke e qëlluar në penis. Vrasësi me “armë të artë” të cilit në dosje i gjenden edhe precedentët penalë, është dënuar me 5.5 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë para vendimit ai u largua drejt Turqisë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING