Shkrime
Dialogu Kosovë-Serbi/ Dy anët e medaljes së Brukselit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i kanë thënë “po” edhe zyrtarisht planit të BE-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në prani të ndërmjetësve, të dy liderët janë pajtuar se propozimi, i cili do të quhet “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”, nuk ka nevojë për diskutime të mëtutjeshme. Deri me tani duket që palët nuk janë pajtuar për aneksin e marrëveshjes, i cili pritet t`i përcaktoj afatet e zbatimit të marrëveshjes.
Dokumenti i publikuar nga BE-ja është i mbushur me paqartësi dhe dykuptimësi. Edhe kjo marrëveshje, sikurse 33 marrëveshjet e më hershme të ndërmjetësuar nga BE-ja , karakterizohet me dykuptimësi konstruktive.
Pikërisht dykuptimësia e përdorur në tekst ka bërë që palët ta interpretojnë në mënyra të ndryshme dokumentin.
Pavarësisht asaj që është shkruar aty, pas takimit, palët kanë shpallur fitoret, duke pretenduar se kanë arritur maksimumin në këtë takim.
Shikuar në tërësi, dokumenti ka disa anë pozitive dhe disa negative.
Njohja de fakto
Si anë pozitive e kësaj marrëveshje po konsiderohet avancimi i raporteve ndërmjet dy shteteve në disa fusha. Avancimi i këtyre raporteve deri te njohja e disa elementeve të shtetit të Kosovës, po konsiderohet si njohje de facto e Serbisë për Republikën e Kosovës.
Në nenin e parë të kësaj të marrëveshjes thuhet se palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Në këtë mënyrë, Serbi është pajtuar t`i njoh simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”, thuhet në nenin e parë.
Paragrafi i parë i nenit 2, po ashtu, po shihet si pozitiv. Këtu përmendet se të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve.
Neni 4 dhe 5 i dokumenti janë të favorshme për Kosovën. Aty thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Mungesa e njohjes së ndërsjellë, prania e Asociacionit
“Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë” nuk përmban njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo po konsiderohet si problemi kryesor i kësaj marrëveshje. Askund në nenet e kësaj marrëveshje nuk përmendet se Serbia pritet ta njoh de jure Republikën e Kosovës.
Madje, në preambulë të marrëveshjes thuhet që palët kanë pikëpamje të ndryshme për statusin dhe çështje tjera fondamentale.
Këtu ka qenë edhe kritika kryesore e opozitës për Qeverinë.
“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje, tashmë e pranuar nga palët”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Problem tjetër me ketë marrëveshje është pika 10, ku palët zotohet se do t`i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritur në Bruksel.
Ndonëse nuk përmendet me emër, këtu nënkuptohet se pala kosovare do ta zbatojë edhe marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën është pajtuar në vitin 2013 dhe 2015.
Pjese tjetër problematike e dokumentit po shihet neni 7. Në këtë nen përmendet një qeverisje e avancuar e komunitetit serb në Kosovës.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë
dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës” thuhet në ketë nen.
Gjithashtu, edhe paragrafi i fundit mund të konsiderohet problematik. Aty thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Si shqetësuese po konsiderohet edhe vet preambula e dokumenti. Fjali se palët pajtohen të “kapërcejnë trashëgiminë e të kaluares” po konsiderohet se pala kosovare ka pranuar që të harrohen krimet serbe në Kosovë.
Të gjitha këto paqartësi pritet të qartësohen në planin e zbatimit. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka bërë me dije se për planin zbatuar palët duhet të pajtohen deri në fund të muajt mars. sonte. Kryefjala e planit të zbatimit pritet të jetë formimi i Asociacionit.