Kosova
Dinarët më të rëndësishëm se Kosova/ Rada Trajkoviç për votuesit e Vuçiçit
Politikania serbe Rada Trajkoviç, ka vlerësuar se për elektoratin e Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandër Vuçiçin, marrja e ndihmës prej 10 mijë dinarë (rreth 85 euro) është më e rëndësishme se statusi i Kosovës.
Trajkoviç i tha agjencisë ‘Beta’ se Vuçiç ka korruptuar votuesit dhe se kjo tregon që shumica e serbëve nuk janë të përkushtuar fort ndaj asaj që ajo e ka quajtur kombëtare.
“Me korrupsionin e vogël social, që ndodhi në prag të zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, Vuçiç mundi të marrë mbështetjen e shumicës për zbatimin e çdo projekti në dëm të shtetit të Serbisë. Ky është një rrezik i madh për ne, dhe nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare po sheh forcën numerike të Vuçiçit, e arritur përmes korrupsionit të njerëzve të varfër dhe që perms saj, mund të realizojë të gjitha projektet që u përshtaten atyre, edhe pse ato nuk janë në interes të popullit serb” – citohet nga mediat serbe, të ketë thënë Trajkoviç, madje sipas saj, shumica e banorëve të Serbisë janë varfëruar aq shumë sa kanë humbur një pjesë të dinjitetit të tyre.
“Për pensionistët dhe njerëzit që jetojnë në prag të ekzistencës, është më e rëndësishme të marrin 10 mijë dinarë ndihmë nga buxheti i shtetit, sesa fati i Kosovës. Është e pashpjegueshme që serbët nga Kosova, të cilët vuajnë pasojat e tmerrshme të politikës së gabuar të Vuçiçit dhe që e dinë se kush e vrau politikanin serb, Oliver Ivanoviç, të votojnë për ata për të cilët një popull dinjitoz nuk do të votonte kurrë. Thelbi i të gjitha problemeve tona është se aparati mafioz dhe korrupsion i Vuçiçit po blen votues” – theksoi politikania Trajkoviç.
E pyetur nëse Qeveria e Serbisë do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës, Rada Trajkoviç u shpreh se Beogradi tashmë i ka njohur të gjitha dokumentet e Kosovës dhe do t’i zbatojë të gjitha obligimet e pranuara nga Marrëveshja e Ohrit.
Lidhur me këtë, Trajkoviç mendon se ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të gitit të kaluar, ia kanë zbehur fuqinë në bisedime, Aleksandër Vuçiçit.