Shkrime
Dokumenti/ Si u përdor Nesti Angoni për të lënë në burg Erion Veliajn

Me sa duket, ashu siç e parashikone vetë në përgjimet telefonike, se nëse nuk lirohej në 11 mars koha e burgosjes do të shkonte sëpaku deri pas zgjedhjeve, Erion Veliaj do të kalojë një periudhë të gjatë në qeli. Shkaqet se përse atij do të vazhdojë ti kufizohet liria gjenden në vendimin e sapo zbardhur të gjkatësit Engert Pëllumbi. Lapsi.al e ka lexuar të plotë atë për të zbuluar arsyeitmin e gjykatës për përligjjen e masës që ka marrë. Dhe mes 114 faqeve gjendet edhe rasti i denoncuesit anonim, Nesti Angoni.
Menjëherë sapo Erion Veliaj, ende pa u burgosur, e kuptoi se punët mes tij dhe prokurorëve po shkonin keq, ai denoncoi publikisht se kolegët po përdornin denoncimin e një personazhi që nuk ekzisonte, të etiketuar si Nesti Angoni, për ta përdorur në mënyrë të kundërligjshme në dëm të tij. Vetë Veliaj nga zyra e vet hapi regjistrat e gjendjes civile të Tiranës për të vërtetuar manipulimin, ndërsa mediat pro tij filluan një fushatë për ta quajtur këtë denoncim si pa vlerë ligjore.
Ky argument gjendet tani edhe në ankimimin që i burgosuri më i famshëm në vend i bëri masës së tij të arrestit. Një nga pretendimet e tij dhe të avokatëve të vet ishte se sipas procedurës ligjore penale kallëzimet anonime nuk mund të përdoren. Sipas logjikës së mbrojtjes përjashtim bëjnë vetëm rastet kur flitet për një dokumen që përbën provë materiale. Po ashtu sipas avokatëve të Veliajt pasi ka marrë denoncimin e Nesti Angonit, prokurorët duhet të vendosinin brenda afatit ligjor të 15 ditëve, nëse do e regjistronin ose jo procedimin penal, pasi çdo provë e siguruar pas këtij afati është e pa vlefshme.
Duke zgjedhur këtë linjë mbrojtëse Erion Veliaj ka dashur të shfryje tollumbacen e SPAK, i cili në pamundësi për ta hetuar për vepra të rënda si Inceneratori i Tiranës apo grupi kriminal i 5D vendosë që me ndihmën e Nesti Angonit ta trajtonin si hajdut ordiner.
Por këtyre pretendimeve për të zhbërë denoncimin e qytetarit më të lakuar anonim të drejtësisë shqiptare i është përgjigjur gjykatësi Engert Pëllumbi në vendimin që Lapsi.al e ka lexuar. Sipas arsyetimit të tij pretendimi se ligji nuk e parashikon mbështetjen tek kallëzuesit anonimë është një lexim i pjesshëm dhe manipulativ i tij. Pasi vërtet ligji e thotë këtë, por në një nen tjetër parashikohet se “Të dhënat e kallëzimit anonim mund të verifikohen nga prokurori për të siguruar elementë të provës që konfirmojnë vërtetësinë e saj”. Pra ajo që thotë gjykata është se SPAK, pasi ka marrë këtë kallëzim ka hetuar më tej dhe ka vërtetuar se dyshimet e ngritura nga Nesti Angoni kishin bazë (shiko faksimilen poshtë nga vendimi i gjykatës).
Por ky nuk është rasti i vetëm kur tentativa për ta hedhur poshtë denoncimin e Nesti Angonit nuk ka pasur sukses. Gjykata e ka konsideruar të pabazuar edhe pretendimin tjetër të Veliajt se 15 ditë pas marrjes së këtij denoncimi SPAK ose duhet ta pranonte ose ta rrëzonte atë (shiko faksimilen poshtë nga vendimi i gjykatës).
Pra, ndonëse për një kohë të gjatë qëllimi i Veliajt dhe i propagandës mbështetëse të tij ka qenë që zhbëjnë denoncimin e sitisur me emrin fiktiv Nesti Angoni, gjyqtari Engert Pëllumbi e ka shuar këtë shpresë. Ai ka vendosur të marrë për bazë hetimet dhe faktimin e provave që BKH dhe SPAK kanë bërë duke arritur në përfundimin se një pjesë e atyre që thuheshin në denoncimin anonim përbënin dyshime të arsyeshme. Duke i shtuar këtyre edhe arsyetimin se Veliaj më funksionet e larta që mnan mund të ndikojë mbi hetimin apo mund të prishë provat, ai ka vendosur ta lërë atë në qeli. Së paku deri “pas zgjedhjeve” kur do i vijë radha që masa e arrestit të kalojë në Gjykatën e Lartë.
©Lapsi.al

